Shkodër – Të shtunën më 11 dhjetor 2021, në Galerinë “Oda” të qytetit të Shkodrës, u hap ekspozita personale “Spekter” e piktores nga Malësia, Monika Dukaj. Kuratore e ekspozitës ishte Ikbale Kalaja-Bushati.
Me këtë ekspozitë, përmes pikturave të saj me shumëllojshmëri ngjyrash, piktorja shpalos përditshmërinë e saj, ndërsa shprehet se është hera e parë që e ka paraqitur krijimintarinë artistike në qytetin e Shkodrës.
Punimet e piktores Dukaj karakterizohen nga motivet e natyrës dhe objektet e përditshmërisë njerëzore, të cilat përmes lapsit dhe panelit modest i evidenton me dritëhijen dhe larminë shumëngjyrëshe.
Pikturat sjellin mesazhe të qarta, motive që shpeshherë syri i vëzhguesit i anashkalon, por që në nënvetëdije i ruan në thellësi të kujtesës, për t’i rishfaqur ato përmes kreativitetit artistik piktorja e re, Monika Dukaj.
Punimet artistike të saj sjellin copëza jete, kujtime e përjetime, dhe peisazhe nga natyra e qetë që flasin shumë. Në punime spikat një larmi ndjenjash e emocionesh të cilat janë të ndërthurura me formën, natyrën, dritën e hijen, ndjekur me dlirësi, thjeshtësi dhe butësi.
Kjo është ekspozita e dytë personale e piktores Monika Dukaj, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më datën 30 dhjetor 2021.
t. u.
