
(vijon nga numri i kaluar)
Siç shihet, edhe pse në këto dokumente situata paraqitet sikur ekziston një lloj pranimi ndërmjet Ymer ef. Prizrenit me pushtetin malazias të kohës, nuk duhet harruar faktin që Ymer efendiu kishte ardhur në Ulqin te miku i tij, myftiu Salih ef. Hyli për t’u strehuar, ku njëherazi nëpërmjet këtij dokumentacioni shohim që për shkak të mosmarrëveshjeve princ Nikolla e kishte shkarkuar nga detyra e myftiut këtë të fundit. Edhe pse shikuar nga këndvështrimi i dokumentit që tregon propozimin e princit për emërimin e Ymer efendiut si myfti, nuk mund të nxjerrim një përfundim nëse propozimi i tillë ka qenë në pajtim me vullnetin e Ymer efendiut pasi një gjë e tillë nuk na rezulton në dokumente. Nga dokumentacioni në fjalë nuk shohim as edhe ndonjë qëndrim të Ymer efendiut për t’u bërë pjesë e ndonjë marrëveshjeje me princin. Po kështu, vrasja (Sipas dëshmive të disa ulqinakëve, të publikuara në përmbledhjen e kumtesave të sesionit shkencor kushtuar Ymer Prizrenit, të mbajtur në Ulqin, ai vdiq duke u helmuar, goditur me mjete të forta etj. Vdekja e Ymer ef. Prizrenit ishte e paqartë deri në ekspertizën e inicuar nga Enti Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit dhe të lejuar nga Komuna e Ulqinit dhe Enti Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Cetinë, me vendim 02-426/1, datë 10 prill 1978, për aplikimin e kërkimeve antropologjike të eshtrave të tij. Ekspertizën e bëri Dr. Sci. Janos Nemesekeri, ndërsa analizat laboratorike të rikonstruksionit biologjik dhe kimik i bëri Dr. Sci. Imre Lenguel, që të dy nga Budapesti. Nga aspekti i mjekësisë ligjore u lëshua KOMUNIKATA se Ymer Prizreni ka përjetuar lëndime të rënda trupore në mënyrë mekanike nga veprimi i një mjeti të fortë topitës dhe të rëndë, nga të cilat goditje edhe ka vdekur. Shih Riza Rexha, “Ymer Prizreni dhe Ulqini”, në Ymer Prizreni – personalitet i shquar i Lëvizes Kombëtare, Art Club, Ulqin, 2002, f. 159.) e tij në Ulqin në vitin 1887, në momentin kur po arrihej kompromisi malazezo-osman për çështjet që u hapën rreth myftiut, akoma më tepër na çon në mendimin që ai më tepër të ketë qenë i padëshiruar sesa i përshtatshëm.
Referuar dokumentacionit shohim se qeveria e Malit të Zi ndaj tij kishte vendosur masa izoluese që në momentin e shkarkimit të Salih ef. Hylit nga myftiu. Në një telegram që i dërgon më 27 shkurt 1885 vojvoda Bozho Petroviq nga Cetina vojvodë Simo Popoviqit në Ulqin thuhet: “Ymer Prizrenin mbajeni nën mbikëqyrje të rojës”. Vojvoda Popoviq nga Ulqini i kthen këtë përgjigje Cetinës: “Jam duke e mbajtur nën mbikëqyrje të rojës efendi Ymer Prizrenin”. (Riza Rexha, Po aty, f. 158)
Është absurd të mendohet që në njërën anë princi e donte për myfti shqiptarin Ymer Prizrenin e në anën tjetër i kërkonte sulltanit që të mos emëronte myfti një pjesëtar me kombësi shqiptare. Në të vërtetë, princi nëpërmjet figurës së Ymer efendiut, si i padëshiruar që ishte për sulltanin, më tepër synonte që të bënte politikë duke i dalë kundër vendimit të Perandorisë Osmane me qëllim që të prishte marrëveshjen e arritur në Kongresin e Berlinit dhe ta minimizonte faktorin shqiptar/mysliman në institucionin e Myftinisë, pasi e drejta e hierarkisë fetare, e garantuar në Kongresin e Berlinit sipas modelit të shteteve evropiane iu imponua shtetit të ri të Malit të Zi. Porse me kalimin e viteve knjazi synonte që ta shndërronte Malin e Zi në shtet unitar duke u përpjekur që t’i fuste totalisht në dorë edhe bashkësitë fetare.
Ndërkaq, e vërteta rreth planeve të administratës malazeze na shfaqet te kujtimet e administratorit të Ulqinit, Simo Popoviq, i cili në vitin 1886 e informon qeverinë e Malit të Zi se ai është njoftuar që në Ulqin ka mbërritur një myfti i ri nga Stambolli dhe se i propozon që Qendra e Bashkësisë Islame të Malit të Zi të mos jetë më në Ulqin, por të transferohet në Tivar ose në Podgoricë, pasi ka arsye të mira që selia e tij të mos jetë në Ulqin. (Në dokument ceket: “G. Božu Petroviću, Javljaju mi iz Ulcinja, da je tamo juče doša iz Carigrada neki muftija koji kažu da je odredjen za Ulcinj. Molim da mi što javite odnosno njega. Ako je on odredjen za starešinu u zakonu turskom svijema turcima u našim granicama cjelishodnije bi bilo, da mu je središte u Bar ako ne Podgoricu. Ima dobrih razloga protiv toga da mu je sjedište Ulcinj. V. S. Popović”, që d.m.th. “Z. Bozho Petroviqit, Më njoftojnë nga Ulqini se dje ka ardhur një myfti nga Stambolli dhe thonë se është caktuar për Ulqin. Ju lutem, më tregoni diçka në lidhje me të. Nëse ai është caktuar si udhëheqës në ligjin turk për të gjithë turqit brenda kufijve tanë, do të ishte më me vend që ai të vendosej në Tivar, ndoshta edhe në Podgoricë. Ka arsye të mira që selia e tij të mos jetë në Ulqin. V. S. Popoviq”. Shih faksimilin nr. III. www.arkiva.me , shkarkuar më 27.05.2024.)
Ndërkaq, nëpërmjet dokumentacionit arkivor osman mund të kuptohet që pas shkarkimit të Salih ef. Hylit procedura e emërim-pranimit të myftiut të ri zgjati deri në shtatorin e vitit 1887, kur u arrit kompromisi me të cilin princi e pranon emërimin e myftiut të ri, Hasan Ismet efendiut, nga Shejhu`l-islami (Rreth myftiut Hasan Ismet efendiut kemi pak të dhëna. Edhe dosja e tij personale në Arkivin e Meshihatit në Stamboll ka pak të dhëna rreth jetës dhe veprimtarisë së tij. Por nga dokumentacioni arkivor mund të nxjerrim që në detyrën e myftiut në Mal të Zi qëndroi ndërmjet viteve 1887-1889. Sipas një dokumenti të Arkivit Osman, të datës 8 muharrem 1305 h. / 26 shtator 1887 shohim se para se ai të ishte emëruar myfti i Malit të Zi ka qenë naib (gjykatës) i kazasë së Ishmit. Shih BOA, HR.TH., 75/68. f. 1. Shih faksimilin nr. IV. Kurse pas dhënies së dorëheqjes nga detyra e myftiut, ai do të emërohej naib i kazasë së Turgutlus. Shih MŞH.SAİD, 249/47, f. 3.), e cila pason me zhvendosjen e selisë.
Nga sa shihet, ky presion diplomatik i princ Nikollës ndodhi për të rishqyrtuar rregullin e emërimit të myftiut duke e vënë theksin si fillim te sanksionimi i myftiut nga kombësia shqiptare (Debatet rreth emërimit të myftiut nuk munguan pasi shohim mjaft dokumente që e konstatojnë një gjë të tillë. Në një telegram të Ambasadës Osmane në Cetinë dërguar Ministrisë së Jashtme Osmane, rreth një muaj pas takimit të Ahmet Xhevad Pashës me Princ Nikollën, raportohet se e ka informuar princin që për momentin në Stamboll ishte e vështirë gjetja e një kandidati për myfti që mund t’i fliste njëkohësisht gjuhën shqipe dhe malazeze. Me mendimin që në Vilajetin e Shkodrës mund të gjendet ndonjë kandidat për myfti që mund të fliste gjuhën shqipe dhe malazeze, i është bërë kërkesa Vilajetit të Shkodrës dhe se është në pritje të saj. Por nga ana tjetër, princ Nikolla tha se nuk mund të pranonte emërimin e një myftiu nga kombi shqiptar, të cilin e cilësoi si komunitet i pamarrë vesh. Përkundrazi, ai do të pranonte me kënaqësi një myfti nga një komb tjetër, qoftë edhe të mos e fliste gjuhën malazeze. Princi deklaroi se në këtë rast, ai mund të caktojë edhe një përkthyes mysliman për të siguruar komunikimin mes popullit të besimit islam dhe myftiut. Shih BOA, HR.TO., 46/141 (17 kanuni evvel, 1302 rumi / 29 dhjetor 1886); Po kështu çështja e kombësisë dhe e gjuhës së myftiut përsëritet edhe në dokumentin e datës 24 kanuni evvel 1302 rumi / 5 janar 1887 dhe të tjerë. Shih BOA, İ.MMS., 93/3916, f.3, 7.; Uğur Özcan, Po aty, f. 237.) dhe më pas në vitin 1887 edhe zhvendosjen e selisë së myftiut nga Ulqini në Podgoricë, një vend me më pak ndikim nga muhamedanët (shqiptarët, A.B.), siç cilësohet në kujtimet e Simo Popoviqit. (Simo Popoviq pohon se pasi u emërua myftiu i Malit të Zi (1887), në fillim u vendos në Ulqin ku ishte selia e myftiut, ndërsa më pas me urdhër të princ Nikollës selia u transferua në Podgoricë. Në kujtimet (memoaret) e veta ai pohon që transferimi i selisë u krye me kërkesën e tij te princ Nikolla, për të ulur ndikimin e Myftinisë në një vend mysliman (muhamedan), siç ishte Ulqini. Shih Šerbo Rastoder, Bošnjaci/Muslimani Crne Gore između prošlosti i sadašnjosti, Almanah, Podgorica, 2010, f. 19.)
Ndërkaq, nga dokumentet e marra në shqyrtim nuk kemi ndeshur në të dhëna rreth qëndrimit të hoxhallarëve dhe popullit të Ulqinit për situatën e krijuar, përveçse aq pak sa mund të kuptohet nëpërmjet realitetit zyrtar ndërshtetëror që e ndeshim në dokumentacionin e marrë në studim. Në të ardhmen duhet të ndriçohet situata dhe realiteti parë nga perspektiva e hoxhallarëve dhe popullit si palë e ndërmjetme zyrtare.
Përfundim
Në këtë artikull kemi trajtuar çështjet që ndërlidhen me institucionin e Myftinisë, që nga formimi i saj me seli në Ulqin në kufijtë e Malit të Zi të dalë nga Kongresi i Berlinit, zhvendosjes së saj nga Ulqini në Podgoricë, kompetencat e emërimit dhe shkarkimit të myftiut, vendin prej nga vjen ai, përkatësinë e tij kombëtare, gjuhën etj.
Institucioni i Myftinisë u formua në kuadër të nenit 27 të Kongresit të Berlinit, i cili përfshin intervalin kohor mars 1881 – qershor 1912. Në këtë kuadër myftinjtë u emëruan nga Shejhu’l-Islami në Stamboll dhe u miratuan nga krajli i Malit të Zi, nëpërmjet të cilëve administrohej jeta fetare islame, duke i shtuar edhe tre kaditë (gjykatësit e sheriatit) në Ulqin, Tivar dhe Podgoricë.
Gjatë periudhës 1881-1887, të cilën e kemi trajtuar në këtë artikull, për çështjet e cekura më lart vërehen marrëveshje e nganjëherë edhe mosmarrëveshje zyrtare ndërmjet Malit të Zi dhe qeverisë osmane, pasi në njërën anë Mali i Zi donte që të rriste ndikimin e vet mbi administrimin e fesë islame aq sa të nxirrte nga drejtimi i Myftinisë faktorin shqiptar mysliman duke qenë se në Ulqin ishte qendra e këtij institucioni.
Ndërkaq, në anën tjetër, qeveria osmane detyrohej që t’i bënte lëshime qeverisë malazeze deri në atë masë sa të mund të ruante lidhjet dhe influencën e vet mbi pjesëtarët e besimit islam, marrëveshje e cila zgjati deri në qershorin e vitit 1912 kur krajli në mënyrë të njëanshme do të emërojë myfti kadiun e Tivarit.
Nga debatet e hapura zyrtare të këtyre dy shteteve shohim praninë edhe të faktorit mysliman, kryesisht atij shqiptar në Ulqin, të cilët vërehej se nuk mund të ushtronin ndikimin e tyre në këto rrethana, fati i të cilëve diktohej në varësi të marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve zyrtare ndërshtetërore. Për momentin nuk disponojmë të dhëna të mjaftueshme arkivore të cilat do të sqaronin akoma më qartë pozicionin e tyre përgjatë këtyre viteve, si fillim në Ulqin e më pas në Tivar e Podgoricë, gjë e cila shton nevojën që në të ardhmen të bëhen hulumtime. (Fund)
