Në mjediset e Bashkësisë Islame në Ostros të Krajës, të mërkurën (30 korrik 2025) është bërë përurimi i librit të autorit Hamid Alaj “Institucionet islame dhe imamët e Krajës”, botuar nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame” – Prishtinë, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit, kryeimami i Krajës, Irfan ef. Kaca ka thënë se promovimi i këtij libri është një rast për të risjellë në vëmendje të kaluarën tonë fetare, identitetin dhe trashëgiminë që kemi ndërtuar ndër breza.
“Ky botim është një përpjekje për të ruajtur në kujtesën tonë institucionet, figurat dhe veprimtarinë islame në trevën tonë”, ka thënë ai.
Në mesin e shumë personaliteteve, kryesisht fetare, në promovim ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Mr. Naim ef. Tërnava.
Ai ka thënë se vepra “Institucionet islame dhe imamët e Krajës” na i sjellë në vëmendje personalitetet e shquara të kësaj treve, që kanë lënë emër e histori, jo vetëm këtu, por edhe në përmasa kombëtare e në diasporë.
“Pra, kemi të bëjmë me personalitete që kanë lënë një trashëgimi të pasur dhe të paçmuar, personalitete që me angazhimin, vizionin dhe punën e tyre kanë bërë histori këtu në Krajë, pastaj në Shkodër, Tiranë e gjetiu, deri në SHBA”, ka thënë Tërnava.
Myftiu i Kosovës ka shprehur mbështetjen e BIK-ut për nisma e projekte që, siç ka thënë ai, “vënë në pah të kaluarën tonë të begatë, por të lënë anash për shkak të rrethanave nëpër të cilat ka kaluar populli ynë”.
“Sepse ky është obligim ndaj të parëve tanë, ndaj angazhimit dhe kontributit të tyre në funksion të dinit, identitetit dhe vatanit”, ka thënë Tërnava.
Recensenti Ramadan Shkodra, njëherazi drejtor i botimeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, ka folur për Shtëpinë Botuese “Dituria Islame” dhe vlerat e librit “Institucionet islame dhe imamët e Krajës”.
Ai ka thënë se Shtëpia Botuese “Dituria Islame” është një institucion me mision arsimor, kulturor, fetar, historik, shoqëror e kombëtar, e themeluar si një nevojë e domosdoshme për të ofruar literaturë cilësore në gjuhën shqipe.
“’Dituria Islame’ synon të afirmojë dijen, vlerën shpirtërore dhe trashëgiminë kulturore të islamit dhe të kombit shqiptar; botimet dhe promovimet e veprave origjinale të autorëve vendorë dhe ndërkombëtare, që trajtojnë tematikat islame, kulturore, shoqërore dhe kombëtare”, ka thënë ai.
Ndërkaq, duke folur për librin e Alajt ai ka thënë se mund të themi se është fryt i përkushtimit dhe i dashurisë së autorit për vendlindjen e tij.
“Vepra dokumenton me kujdes dhe respekt kontributin e institucioneve islame dhe imamëve të Krajës në formësimin e jetës shpirtërore, arsimore dhe kombëtare të kësaj treve. Kjo vepër është një thirrje për të mos harruar rrënjët, për të çmuar trashëgiminë, për të vlerësuar figurat e institucionet, që përmes dijes dhe besimit formësuan ndërgjegjen fetare dhe kombëtare të Krajës dhe mbarë hapësirave shqiptare”, ka theksuar Shkodra.
Mësimdhënësi në pension, Ali Gjeçbritaj, duke pohuar se kjo është mbase monografia e vetme e këtij lloji për institucionet islame në Krajë, ka thënë se në të lexuesi mund të njihet me përhapjen e islamit në Krajë.
“Autori Hamid Alaj i ofron lexuesit njohuri historike lidhur me ndërtimin e xhamive të Krajës, mënyrën e arkitekturës, kohën e ndërtimit, materialin ndërtimor, rinovimet, meremetimet e kështu me radhë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Në vështrimin e tij për librin, studiuesi Mr. Ali Bardhi, njëherazi kryeimam i Ulqinit, është përqendruar te problemi i literaturës ekzistuese mbi objektet fetare në trevat e ndryshme në Malin e Zi, sidomos kur bëhet fjalë për kohën e ndërtimit të tyre.
Duke konstatuar se shumica e autorëve, përfshirë edhe Hamid Alajn, janë mbështetur te botimi i Bajro Agoviqit “Xhamitë në Mal të Zi”, ai ka thënë se nga përvoja personale, në tri xhamitë që ka hulumtuar dhe studiuar, të dhënat nuk përputhen me ato që ka shkruar Agoviqi në librin e tij.
“Jo për ta kritikuar, por për të dëshmuar se është një punë shumë kritike kur flitet për data dhe dokumentime të xhamive”, ka thënë Bardhi.
Një çështje tjetër që ai ka trajtuar është dallimi i termave “xhami” dhe “mesxhid” në Perandorinë Osmane, që shpeshherë i ngatërrojmë në përdorimin e përditshëm ose edhe në tekstet e ndryshme.
Gazetari Ismet Kallaba ka thënë në vështrimin e tij se nga libri kuptojmë se me sa mund dhe vështirësi janë ngritur dhe mbajtur institucionet fetare islame.
“Nga libri kuptojmë (po ashtu) se nuk ka qenë aspak e lehtë të ruhet e aq më tepër të kultivohet feja në Krajë dhe në trevat tjera shqiptare në Malin e Zi të sotëm, sidomos pas pushtimit dhe aneksimit të këtyre trevave nga Mali i Zi, sepse ashtu si edhe vetë shqiptarët, edhe feja islame dhe ithtarët e saj kanë qenë të persekutuar”, ka theksuar ai.
Duke konstatuar se autori në libër na jep në mënyrë kronologjike edhe një listë të imamëve, përfshirë jetëshkrimet e tyre, Kallaba ka thënë se “me këtë libër ai ju ka ngritur një monument apo përmendore të gjithë imamëve me origjinë nga Kraja dhe atyre që kanë shërbyer në Krajë, qofshin ata krajanë apo të tjerë. Në mesin e tyre ka shumë figura të ndritura, që duhet të jenë shembëlltyrë për brezat e rinj të imamëve”.
Autori Hamid Alaj ka treguar qëllimin e botimit të librit “Institucionet islame dhe imamët e Krajës”.
Ai ka thënë se “qëllimi primar i këtij punimi është që lexuesit t’i paraqesë një hyrje të shkurtër dhe sa më të qartë të historikut të institucioneve islame në trevën e Krajës, pastaj lexuesi të njihet edhe me historikun e shkurtër të intelektualëve myslimanë nga kjo trevë, duke dhënë kontributin e tyre brenda vendlindjes së tyre Krajës dhe jashtë saj, si dhe me njohjen e historikut të imamëve të cilët punuan në këtë trevë, por që nuk ishin me origjinë prej aty duke dhënë kontributin e tyre unikë”.
Në vijim, Alaj ka thënë se me themelimin e tyre këto institucione do të bëhen pjesë e jetës civilizuese të popullit të Krajës.
Ai ka theksuar se libri në përgjithësi përfshin një hark kohor me rëndësi në historinë e trevës së Krajës dhe se “një studim i mirëfilltë dhe i plotë në këtë drejtim ende nuk është bërë, por as nuk pretendoj se është kompletuar i tëri me këtë libër”.
Programi i përurimit është udhëhequr nga Suela Dibra – Kaca, e cila duke bërë paraqitjen e autorit, ka thënë se ai është një publicist aktiv në promovimin e kulturës, traditave dhe historisë shqiptare të trevës së Krajës.
“Alaj ka ndërmarrë një punë me përkushtim të veçantë, duke mbledhur dëshmi, emra, përvoja që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën fetare dhe institucionale në trevën e Krajës dhe ky libër është një përpjekje për të dokumentuar dhe ruajtur atë që shpesh rrezikon të humbasë në harresë. Dhe për këtë duhet të falënderohet dhe përgëzohet autori, për guximin dhe përkushtimin”, është shprehur ajo.
Libri “Institucionet islame dhe imamët e Krajës” është botim voluminoz me lidhje të fortë, me rreth 420 faqe, ndërsa është botuar në vitin 2024.
i. k.
