Përmbledhje e mençurisë njerëzore për tematika të ndryshme

“Autori Nikë Palkola me këtë vepër troket, ngacmon dhe provokon lexuesin për çështje, fenomene dhe dukuri të ndryshme, mirëpo nuk i imponon lexuesit mendimet dhe bindjet e tij. Ai e lë lexuesin të përcaktohet për atë përgjigje, për atë mendim ose thënie që i përgjigjet atij për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Përmes këtij libri autori na zbulon edhe rëndësinë e pranimit të qortimit, disiplinimit, këshillimit dhe korrigjimit për t’u bërë njerëz më të mirë”, ka thënë publicisti Gjekë Gjonaj

Ulqin – Në prani të një rrethi të ngushtë të familjarëve, të afërmve, miqve e shokëve të autorit, të dielën mbrëma (9 korrik 2023) në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin është bërë përurimi i librit të Nikë Palkolajt “Dashnia shpëtimi i shpirtit”.
Recensenti i librit, gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj ka thënë se ky libër i shkruar në dialektin gegë, u bashkohet botimeve shqiptare që trajtojnë tematika të ndryshme, duke filluar nga filozofia jetësore, pasqyrimi i bindjeve, besimet më të hershme të njerëzimit, virtytet dhe bekimet njerëzore, e deri në moralin, shprehjen e dashurisë dhe të urtisë shqiptare dhe botërore.
“Që në titullin e librit dallojmë mesazhin e dashurisë dhe miqësisë që janë shpirtrat binjakë të njerëzimit. Në këtë libër prozaik-poetik, të parin e Nikë Palkolës, ka disa tërësi. Në to janë radhitur tregime mistike, shpirtërore dhe religjioze, që kanë të bëjnë me jetën, lindjen, vdekjen, dashurinë midis njerëzve, mirësinë njerëzore, mëshirën, lutjet, pendimin, reinkarnimet, egoizmin, dhunën, mëkatet, shpirtmirësinë dhe shpirtkeqësinë, paqen, lumturinë, bekimin, mallkimin, parajsën, skëterrën, urrejtjen, misteret, prostitucionin, femrën, abortin, suksesin, pasurinë, luftërat, nderin, besën dhe burrërinë”, ka thënë ai.
Libri është ndarë në pesë kapituj ku, sipas Gjonajt, janë përmbledhur citate, mendime dhe thënie filozofike që shprehin përvojën dhe urtësinë e shkencëtarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj të huaj dhe shqiptarë, që nga lashtësia e deri në kohën e sotme.
“E gjithë kjo mençuri popullore, e përzgjedhur dhe e përgatitur me dashuri, përkushtim dhe kujdes nga autori, ka një vlerë të qëndrueshme dhe të përhershme. Ajo është më e vlefshme dhe më e fuqishme se ari dhe argjendi; ajo jep kuptueshmëri për fjalën e Perëndisë dhe na udhëheq në shtigjet e drejta”, është shprehur Gjonaj.
Ai ka thënë se autori Nikë Palkola me këtë vepër troket, ngacmon dhe provokon lexuesin për çështje, fenomene dhe dukuri të ndryshme, mirëpo nuk i imponon lexuesit mendimet dhe bindjet e tij.
“Ai e lë lexuesin të përcaktohet për atë përgjigje, për atë mendim ose thënie që i përgjigjet atij për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Përmes këtij libri autori na zbulon edhe rëndësinë e pranimit të qortimit, disiplinimit, këshillimit dhe korrigjimit për t’u bërë njerëz më të mirë”, ka thënë gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj.
Në vështrimin e tij, shkrimtari, përkthyesi dhe kritiku letrar Nikollë Berishaj ka thënë se libri “Dashnia shpëtim i shpirtit”, “i rrallë i llojit të vet ndër ne shqiptarët, është një kompilim i mendimeve dhe veprave të autorëve të mëdhenj të botës, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, me shpjegime të vetë autorit, apo vetëm si shembuj me të cilët pajtohet ai, e që tenton të na tregojë një rrugë për spastrimin e shpirtit”.
Berishaj ka thënë se në parathënien e librit autori tregon se leximi i librit të Dr. Raymond Moody, Jr. “Jeta mbas jetës” ia ndërroi plotësisht bindjen, më mirë mosbesimin e tij në ekzistencën e shpirtit. Kjo e nxiti të lexojë libra fetarë, ku në secilin prej tyre gjen thërrmija të vërteta, për të – të besueshme, por edhe objektiva për kundërshtime, gjë që kanë pasur si pasojë kalimin e tij në gjendjen momentale shpirtërore të “religjiozit mbifetar”, siç e quan autori veten.
“Autori shpirtin e sheh si fuqi kozmike pa fillim dhe pa mbarim, që përputhet me atë hapësirën Unike, siç e quajnë ithtarët e meditimit transcendental, ku ‘është e ruajtur kujtesa e historisë së njerëzimit’”, ka thënë ai.
Berishaj ka theksuar se pjesë e rëndësishme e librit të Palkolajt është edhe çështja kombëtare e shqiptarëve.
“Në një vend në libër shkruan se nuk ka armiq personalë, apo nuk e di se i ka, por decidivisht shprehet se me tradhtarët e kombit nuk mund të ketë kompromis”, ka thënë ai.
Më tej, Berishaj ka thënë se autori e pranon realitetin shqiptar të ndarë në besime të ndryshme, por është i prerë se “shqiptarët duhet të jenë dhe të mbesin ashtu siç janë dhe siç dëshirojnë të jenë, e jo si dëshirojnë fanatikët e të tri feve…” Pra, sipas autorit, duhet të jenë njerëz të mirë dhe besimtarë të mirë.
Avokati Loro Markiqi, përndryshe vëlla i autorit, ka folur për disa aspekte të veprimtarisë së Nikë Palkolajt, duke u përqendruar në aktivitetin e tij për çështjen shqiptare dhe organizimin politik të shqiptarëve në Malin e Zi gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar.
“Ai kudo që e ka lypur nevoja për veprimtari, ka qenë ndër të parët”, ka theksuar Markiqi.
Ai ka thënë se veprimtarinë e tij patriotike Palkola e ka dëshmuar në themelimin e Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe të partisë së parë shqiptare – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, ku ka qenë njëri ndër themeluesit, pastaj në rastin e rezervistëve shqiptarë në Sutorman etj.
Markiqi ka potencuar edhe aspektin human të Palkolajt.
“Ai ka qenë edhe humanist. Edhe pse nuk kemi qenë materialisht aq të pasur, kudo ku ka qenë ndonjë aksion ai ka marrë pjesë dhe ka kontribuar”, ka thënë ai.
Përmes një video mesazhi nga Nju Jorku, pjesëmarrësve u është drejtuar edhe autori Nikë Palkola, i cili për shkaqe shëndetësore nuk ka qenë i pranishëm në përurimin e librit.
Një fragment nga libri e ka lexuar Gjina Daboviq, udhëheqëse e përurimit të librit.
Nikë Palkola ka lindur në fshatin Kllezën të Komunës së Ulqinit, në vitin 1946. Shkollën fillore e ka kryer në Kllezën dhe në Katërkollë. Në Gjakovë e ka kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike. Për rreth 30 vite ka punuar mësues në shkollat në Shëngjergj dhe Pistull. Me fillimin e pluralizmit politik, në fillim të viteve ’90 u përfshi në organizimin politik të shqiptarëve në Malin e Zi. Ka qenë kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike në Mal të Zi për Anën e Malit, më pas sekretar i përgjithshëm i Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Që prej vitit 1999 jeton me familjen në SHBA.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat