Ulqin – Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka dhuruar Bibliotekës së Qytetit në Ulqin rreth 400 kopje të botimeve të saj të viteve të fundit.
Ceremonia e dorëzimit të librave është zhvilluar të premten, në mjediset e Bibliotekës së Ulqinit.
Librat ia ka dorëzuar udhëheqëses së Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, kryetari i ASHSH-së, akademik Skënder Gjinushi, i shoqëruar nga sekretari shkencor i ASHSH-së, akademik Shaban Sinani.
Kryetari Gjinushi ka thënë me rastin e dorëzimit të librave se në politikën e ASHSH-së nuk është fitimi, por përhapja e dijes, kulturës, veçanërisht në fushën e albanologjisë, që janë edhe botimet kryesore të këtij institucioni.
“Në këtë kuadër, dhurimi i botimeve të Akademisë, veçanërisht qendrave kryesore të shqiptarisë, ku flitet shqip, kultivohet shqipja, përdoret gjuha shqipe, është në politikën tonë. Të jeni të sigurt që çdo vit, tërë botimet e atij viti, më së pari apo ndër të parët do t’i dërgohen bibliotekës suaj”, ka theksuar ai, duke premtuar se edhe në të ardhmen ASHSH-ja do t’i dhurojë libra kësaj biblioteke.
Gjinushi ka thënë se këtë nuk e sheh si një dhuratë, por si një detyrim.
Udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, ka folur për gjendjen e fondit të librave të kësaj biblioteke, duke nënvizuar se ka mungesë të theksuar të botimeve të fundit.
“Kjo (dhurimi i librave) është një gjë shumë e mirë, është një përkrahje mjaft e madhe ndaj bibliotekës sonë, por duhet të gjejmë edhe mënyra të tjera të bashkëpunimit me institucione”, ka thënë ajo, duke falënderuar ASHSH-në për donancionin.
Rama ka treguar se edhe në të kaluarën ka pasur donacione të librave nga donatorë të ndryshëm.
Ajo ka thënë se shpreson që “edhe të tjerët të ndjekin shembullin e ASH-së, jo vetëm në rastin e Panairit të Librit, por edhe në raste të tjera”.
Dhurimi i librave u bë ditën e dytë të Panairit të Librit në Ulqin, ku i ftuar ishte edhe kryetari i ASHSH-së, akademik Skënder Gjinushi.
i. k.
