Përdorim më i avancuar i simboleve kombëtare

Tuz – Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave ka organizuar në sallën e kuvendit të KU të Tuzit, debatin e katërt publik mbi Projektligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe ngritjen publike të simboleve kombëtare.
Në emër të kësaj ministrie dhe të ministrit, Z. Mehmet Zenka, ka përshëndetur Fikret Lulanaj i cili ka bërë të ditur shkaqet për të cilat ministri nuk ka marrë pjesë në këtë debat publik.
Në fjalën hyrëse, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale të pakicave në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Leon Gjokaj, ka prezantuar në pika të shkurtra Projektligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe ngritjen publike të simboleve kombëtare, duke thënë se ligji i ri është më i avancuar kur është në pyetje zgjedhja, përdorimi dhe ngritja publike e simboleve kombëtare të pjesëtarëve të popujve pakicë.
“Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare është miratuar në vitin 2000. Me këtë ligj, pjesëtarëve të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale të pakicave në Mal të Zi, u rregullohet e drejta e zgjedhjes, përdorimit dhe ngritjes së lirshme të flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare. Duke marrë parasysh faktin se Ligjit në fjalë i kishte kaluar koha, dhe duke marrë parasysh mangësitë e këtij ligji sa i takon përdorimit të simboleve kombëtare, u ndërmorën hapa për projektligjin e ri. Kushtetuta në mes tjerash, ka garantuar dhe të drejta të veçanta për pjesëtarë të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale. Baza kushtetuese për nxjerrjen e këtij ligji të ri, përmbahet në nenin 79 (pika 2) e Kushtetutës së Malit të Zi me të cilën pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera nacionale u garantohet e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe shfaqjes së lirë publike të simboleve kombëtare”, nënvizoi Gjokaj.
Ai shtoi se në bazë të ligjit të ri, flamuri kombëtar dhe simbolet e tjera të pjesëtarëve të popujve pakicë, do të jenë të lira kur është fjala për përdorimin privat në ato zona ku popullata pakicë përbën shumicën “kurse sa i takon përdorimit në vetëqeverisje lokale, në ato qeverisje ku pakica përbën të paktën 5 përqind, këto simbole mund të përdoren në festa shtetërore dhe në festa të asaj pakice kombëtare”.
Në këtë Debat publik përveç përfaqësuesve të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, mediave “Koha Javore” dhe Radio Televizioni i Malit të Zi (Redaksia në gjuhën malazeze), nuk kanë marrë pjesë asnjë qytetar, asnjë përfaqësues i subjekteve politike të partive shqiptare dhe as të subjekteve të tjera që participojnë në kuvend, përveç kryetarit të KU të Tuzit, Abedin Axhoviq i cili iu bashkëngjit debatit në fjalë.
Rikujtojmë se, debati publik mbi Projektligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe ngritjen publike të simboleve kombëtare ka filluar më 10 korrik në Ulqin, duke vijuar më pas në Tivat, Rozhajë, Tuz dhe Podgoricë, ndërsa do të përmbyllet më 4 shtator 2017. t. u.

Të fundit

më të lexuarat