Ulqin – Pas Shkodrës, piktorja e re nga Malësia, Monika Dukaj, ka hapur të shtunën mbrëma ekspozitën e saj të titulluar “Spektër” në Galerinë “Kulla e Balshajve” në Kalanë e Ulqinit.
Në punimet e prezantuara ajo paraqet përditshmërinë që ajo si artiste, por edhe njerëzit jetojnë çdo ditë.
“Në këto punime kam paraqitur spektrin, pra spektrin e ngjyrave, paletës sime që unë e përdori dhe pikturoj me to”, është shprehur piktorja në hapje të ekspozitës.
Në punimet e saj mbizotëron ngjyra e verdhë.
“Ngjyra e verdhë mund të tregojë edhe dritën, edhe emocionin, edhe ndjeshmërinë”, ka sqaruar Dukaj.
Motivet e pikturave të saj janë të ndryshme. Në to “mund të shihni edhe frutat, edhe enë, që një njeri i zakonshëm ose një vëzhgues tjetër nuk mund t’i dallojë, kurse një artist i sheh dhe i dallon me syrin e tij artistik”.
Udhëheqësi i Muzeut të Ulqinit, Gazmend Kovaçi, ka thënë se punimet e piktores kanë rëndësi edhe për trashëgiminë kulturore, pasi që përmes artit të saj ajo ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë.
Ai ka theksuar se përmes kësaj ekspozite në fokus kemi trashëgiminë kulturore.
Të pranishmit i ka përshëndetur drejtori i Qendrës së Kulturës – Ulqin, Musa Hoxhiq.
Monika Dukaj ka mbaruar studimet themelore për pikturë dhe grafikë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ka specializuar në Fakultetin e Arteve Pamore të Universitetit “Mediteran” në Podgoricë. Punon si mësimdhënëse e artit figurativ në tri shkolla fillore në Malësi. Kjo është ekspozita e dytë personale e piktores, ndërkohë që ka ekspozuar në disa ekspozita kolektive dhe ka marrë pjesë në koloni arstistike.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 janar 2022.
i. k.
