
Autorja Teuta Hasangjekaj, e cila me profesion është magjistre e artit pamor, dega e Grafikës, e cila pos punës së vet profesionale, njëkohësisht është shoqëruar edhe me literaturën shpirtërore dhe psikologjike, kryesisht botime të huaja, që më vonë u bë pasion i pashmangshëm, u bë pjesë e rëndësishme e sirtarit të jetës së saj.
Këtë vepër, të cilën, siç shprehet ajo ua ka kushtuar atyre të cilët formojnë copëzat dhe në mënyrë të përkryer plotësojnë mozaikun e jetës së saj, atyre që i japin gjithë ngrohtësinë e vatrës, atyre që ia mbushin plot sofrën e jetës: prindërve, që e mbuluan me ngrohtësinë e dashurisë, që prej tyre mban vulën e urtisë, të drejtësisë, të forcës, të guximit – gjithë moralin dhe pasurinë e jetës; bashkëshortit Luanit, që e mbështolli, e mori në strehën e dashurisë, thuri vargje të panjohura të zemrës dhe i dha melodi jetës së saj; fëmijëve Oltit, Olsës dhe Ledit, që i japin kuptim jetës së saj, që thellë në të gdhendin diellin e jetës së saj, që ia mbushin jetën me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe që i sjellin rreze çdo ditë jetës së saj, doli si një nevojë për t’i ndarë me të tjerët njohuritë e saj të fituara mbi fshehtësitë e jetës, të cilat i kishte akumuluar dhe i kishte shpalosur gjatë viteve të fundit.
Ajo falënderon të gjithë ata që e ndihmuan dhe ia dhuruan krahët që të fluturojë, falënderon të gjithë ata që janë pjesë e jetës së saj, të gjithë ata që ishin dhe janë bashkudhëtarë të saj në jetë, të gjithë ata që zgjatën fijet dhe thurën rrjetën e jetës së saj.
Kjo vepër, përmbajtjen tematike të së cilës autorja e ka ndarë dhe radhitur kronologjikisht në 17 trajtesa shtjelluese, ka marrë formë dhe, siç thotë ajo, është bërë tregim bashkë me të, apo më mirë me thënë kanë lindur së bashku, përgjatë kësaj rruge, kanë marrë edhe formë së bashku. Të gjitha ato që i përjetoi lanë gjurmë në fletët e këtij ditari, që më vonë formojnë shkronjat me të cilat më pas ajo do të thurë tregimin e jetës dhe të së vërtetës. Çdo gjë që është shkruar në këtë vepër rrjedh nga pastërtia e shpirtit të saj, andaj autorja Teuta Hasangjekaj, dëshiron që kjo vepër e saj jetësore (e para ndër gjithsej tri sa ka botuar deri më tani) të jetë dhuratë e saj për të gjithë.
Kjo vepër ka recetat më të rëndësishme për jetën, dhe i dedikohet çdokujt që dëshiron të gjejë dhe të jetojë një jetë të vërtetë, një jetë të suksesshme, në të gjitha sferat e saj dhe të jetë vetvetja. Prandaj, porosit autorja, këtë vepër duhet ta përdorni dhe shijoni ashtu siç duhet, duke ecur çdo hap, duke ndjekur çdo gjurmë dhe duke i praktikuar ato gjatë jetës, që në fund të kuptoni vërtetë peshën e fjalëve të kësaj vepre.
Autorja Hasangjekaj shpreson se kjo vepër e saj të zë vendin meritor në sirtarin e dhomës, të jetës dhe të zemrës së lexuesve, që të arrijë t’i besoni, ashtu siç i beson ajo. Ta ruani si një thesar, por edhe ta përdorni, të merrni shembuj nga ajo dhe ata t’i bartni në jetën reale. Të bashkëjetoni me ato që ju thuhen në këtë vepër, derisa të bëhen pjesë e juaja, se përndryshe nuk do të ketë efektin e duhur.
Autorja Hasangjekaj konfirmon se i tërë rrugëtimi i saj në fjalë kishte një qëllim – të gjejë perlën e jetës brenda vetvetes, e tani qëllimi i saj është ta gjeni edhe ju, t’ju ndihmojë që ta sillni atë në sipërfaqe dhe të jetoni jetën e vërtetë. Prandaj, shprehet ajo, rruga e saj sapo ka prekur magjinë e vet, dhe kjo magji do të zbres dhe do të zërë vendin e saj, nëse ju do ta përkrahni këtë dhuratë me zemër të hapur. Ju jeni ata që do ta zgjidhni se a do të jetë e mbyllur dhurata e saj, apo do ta hapni dhe do ta shijoni.
Ju jeni ata që do të vendosni, thotë autorja, se a do të vazhdojë rruga e saj, deri ku do të shkojë ajo dhe a do të arrijë ëndrra e saj t’i prekë majat e realitetit. Dhe kjo bëhet kur edhe ju të niseni në kërkim të rrugës suaj jetësore, që ta gjeni llambën tuaj magjike, thesarin brenda vetes suaj. Ta gjeni fuqinë brenda vetvetes, të zotëroni plotësisht atë dhe të nisni jetën e ëndrrave që gjithmonë e keni gjakuar, sepse fuqia për të arritur të gjitha këto, është pikërisht brenda jush.
Autorja Hasangjekaj, thotë se me këtë vepër secili do të fillojë rrugëtimin e vet drejt rrugës së pasurisë, lumturisë, shëndetit të mirë, drejt parajsës magjike, dhe do të bashkohet me pikën më të lartë të jetës – aty ku ëndrrat bëhen realitet. Vetëm kur të bëheni pjesë e kësaj ekspedite, përgjatë rrugës do të kuptoni edhe vetë rëndësinë e saj. Kjo vepër do t’i japë shijen e vërtetë jetës suaj, nëse hyni me zemër të hapur, nëse i përmbaheni dhe gatuani jetën tuaj sipas mënyrës së saj.
Teuta Hasangjekaj veneron se ndonjëherë do të mbetet e pa shijuar një dhuratë e mbyllur për ata që nuk i hapin rrugë veprës së saj “Libri i sekreteve – Udhërrëfyes për një jetë të suksesshme…”, deri te zemrat e tyre dhe nuk i përmbahen mënyrës së saj. Ajo i fton lexuesit që me shpirt të hidhen në këtë libër të sekreteve dhe rruga e jetës do tu shpaloset vetë.
Ajo në fund lexuesve u drejtohet se nuk është e rëndësishme prej cilës pikë jeni nisur, e rëndësishme është se për ku jeni nisur. I rëndësishëm është përjetimi i kësaj rruge, në çdo hap të marrin dhe të ruajnë mësimet që u jepen dhe të nxjerrin kënaqësi në çdo situatë që do të ndodhen. T’i shoqërojë ndjenja e fitores brenda vetes gjatë kohës dhe të vazhdojnë rrugën e të mos dorëzohen për asnjë moment, të realizojnë çdo gjë pavarësisht se çka hasin.
Nuk ka rëndësi prej nga vini, thekson autorja, por ku shkoni. Andaj, duhet shikuar vetëm rruga përpara, shtrirjet e saj për ku jeni drejtuar. Dhe, ecni përpara, porositë ajo, duke u kënaqur me fitoret e radhitura brenda vetes. Ashtu të vazhdoni pa u kthyer mbrapa, deri të arrini në cakun tuaj.
Autorja Hasangjekaj, në fund citon fjalët e të madhes Nënë Tereza“Unë jam veçse një laps i vogël në dorën e Zotit që po ju shkruan dhe po ju dërgon sot këtë libër dashurie…”
Andaj edhe këtë vepër pranojeni si një dhuratë, si një mesazh dashurie, që Zoti e ka nisur drejt jush, që destinacionin dhe pikën e ndalesës e ka tek ju. Dhe, lexoni ato që kanë për tu thënë, ndjejeni, kërkojeni dhe gjejeni gjithë atë dashuri që do ta shpalosë ky libër brenda jush.
Në fund, pa ngurrim, dhe me plot gojë mund të konstatohet por edhe të konfirmohet se autorja e re, Teuta Hasangjekaj, pas një studimi serioz, para lexuesit vjen me një realizim të mahnitshëm, që do ta kënaqë e do ta stimulojë secilin lexues, duke i ndihmuar që jetën e botën t’i shohë nëpërmjet këndvështrimit më pozitiv. Teksti i veprës është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, të pastër dhe me përmbajtje domethënëse.
Përndryshe, Teuta (Beqiri) Hasangjekaj u lind më 15 nëntor të vitit 1979 në Skenderaj të Kosovës, ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve Damore , dega e Grafikës në Prishtinë (1998-2002) dhe ka magjistruar në të njëjtin fakultet (2002-2004). Aktualisht punon si mësimdhënëse e grafikës në Shkollën e Mesme “28 Nëntori” në Prishtinë.
Përpos artit pamor, dizajnit dhe veprimtarisë artistike, Teuta merret me shkrime të zhvillimit personal dhe të ngritjes shpirtërore.
Ka botuar tri vepra: “Libri i sekreteve – Udhërrëfyes për një jetë të suksesshme…” (2013), “Mrekullia e jetës në ty” (2019) dhe “Kur frymëmarrja bëhet shërim” (2020).
Teuta është e martuar dhe jeton me bashkëshortin dhe tre fëmijët në Prishtinë.
