Ulqin – Në sallën e konferencave të Hotelit “Plaza” në Ulqin, të shtunën mbrëma është mbajtur mbrëmja autoriale me poetin, prozatorin, eseistin dhe studiuesin e letërsisë nga Malësia, Anton Gojçaj.
Në bashkëbisedim me moderatorët Nikollë Berishaj dhe Adriana Hoxha, shkrimtari ka folur për jetën, rrugën e tij në letërsi, ndikimet e vendlindjes, shkollimit, jetës dhe literaturës në krijimtarinë e tij letrare dhe shumë çështje të tjera që lidhen me letërsinë.
Vendlindja si përcaktuese e identitetit të njeriut
Shkrimtari Anton Gojçaj ka thënë se njeriu përbëhet gjithmonë nga një shumësi identitetesh, por në varësi nga vendi, momenti dhe rrethanat se cili identitet është më i rrezikuar, ai vjen më tepër në shprehje, ndërsa identitetet tjera tërhiqen.
Ai ka thënë se këtë e ka kuptuar më së miri kur gjatë viteve ’90 ka emigruar në Gjermani, ku ka jetuar disa vite.
“Njeriu ka edhe identitet personal, edhe lokalist, edhe krahinor, edhe kombëtar, edhe gjuhësor, edhe kulturor e shumë identtitete të tjerë. Megjithatë, identiteti i fëmijërisë, i vendlindjes, është një identitet që e përcjellë gjithkë gjithë jetën”, ka theksuar Gojçaj, duke shtuar se edhe psikoanaliza e ka vërtetuar se vendi ku ke lindur ka “një domethënie të madhe edhe për zhvillimin psikologjik, edhe zhvillimet e tjera të çdo njeriu”.
Gojçaj ka thënë se sa më tepër që kalojnë vitet, “njeriu i kthehet gjithnjë e më shumë fëmijërisë”, apo “stacionit të parë”, siç e ka quajtur ai.

Shkollimi në Zarë dhe studimet në Prishtinë
Gojçaj ka treguar se për dy vite ka ndjekur Seminarin e Françeskanëve në Zarë, në fillim të viteve ’80. Kjo ka qenë një periudhë kur Shqipëria ishte akoma e izoluar dhe fretënit shqiptarë shkolloheshin në Jugosllavi.
Kjo periudhë ka pasur një ndikim të madh në formësimin e tij intelektual.
“Ka pasur shumë gjëra të mira, ka pasur edhe vështirësitë e veta. Kam pasur profesorë të mirë aty. Kam mësuar gjuhët. Kam mësuar greqishten e vjetër, latinishten, italishten, kroatishten, gjermanishten, pak anglishten. I kanë dhënë shumë rëndësi gjuhëve aty”, ka treguar ai.
Përkundër kësaj, ai nuk i ka vazhduar studimet teologjike për t’u bërë meshtar, sepse siç thotë me shaka, duke iu referuar thënies “shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”, se “nuk më ka zgjedhur Ai lart”.
Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe vitet e kaluara në kryeqytetin e Kosovës më 1984-1990, në kohën e vlimeve të mëdha politike dhe luftës për të drejtat e shqiptarëve, kanë lënë gjurmë në jetën dhe krijimtarinë e tij.
“Këto janë ato frikat që janë jashtë njeriut, që të përcjellin, futen në palcë etj., që kanë mbetur në mua”, ka thënë ai, duke përshkruar situatën e elektrizuar në Kosovë gjatë kohës së studimeve.
Shkrimtari ka thënë se i ka mbetur peng i madh që të shkruaj një roman për Prishtinën, ku dëshiron të shprehë se si e ka parë dhe përjetuar Prishtinën e asaj kohe.
“Gjithmonë dëshiroj ta shkruaj një roman për Prishtinën e viteve kur kam qenë student, por nuk po arrij. Ndoshta duhet akoma një distancë kohe. Dëshiroj, por nuk arrij. Janë vitet të cilat kanë përcaktuar më së shumti e për të cilat kam shkruar më së paku. Diçka po më pengon, por nuk e di se çka”, ka hapur zemrën para publikut Gojçaj.
Poezitë e para si reagim ndaj letërsisë së kohës
Shkrimtari ka treguar se poezitë e tij të para, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, i ka shkruar si reagim dhe revoltë ndaj poezisë së deriatëhershme që krijohej në Kosovë, e cila në përgjithësi ishte një poezi tepër abstrakte dhe figurative, gjysmë hermetike, jo e drejtpërdrejtë me realitetin dhe brengat, me të cilën vetëm studiuesit e letërsisë kanë mundur të komunikojnë.
“Shtrohet pyetja se për kë kanë shkruar ata poetë kur s’ka pasur lexues të mirëfilltë ose kanë qenë shumë të vogël, ose shumë të pakët ata lloj lexuesish, për atë lloj letërsie? Dhe unë e kam pasur një revoltë ndaj kësaj poezie dhe pata nisur të shkruaj një poezi më të drejtpërdrejtë, më shumë të rimuar, lojëcake, gati si këngë të lehta, si njëfarë oponence e imja ndaj asaj”, ka treguar Gojçaj për fillimet e krijimtarisë së tij letrare.
Ai ka thënë se me këtë nuk ka dashur të tregojë se poezia që është shkruar deri në atë periudhë nuk ka pasur vlera, pasi që ka pasur disa emra të letërsisë shqipe në Kosovë të njohur ndërkombëtarisht dhe të përkthyer në gjuhë të huaja.
“Por thjesht kam dëshiruar të shkruaj një poezi, ta kthej poezinë të jetë më komunikative, me njerëzit e thjeshtë, me lexuesit e zakonshëm që nuk janë teorikisht aq shumë të njohur, që nuk kanë kulturë leximi aq të zhvilluar, por të cilët mund të kënaqen duke lexuar poezi”, është shprehur shkrimtari.
Burimet e frymëzimit krijues
Gojçaj ka pranuar se tekstet biblike kanë ndikuar në krijimtarinë e tij.
Ai ka thënë se jo vetëm shkrimtarët, por të gjithë krijuesit i kanë dy burime kryesore të frymëzimit.
“E para është jeta personale, ngjarjet personale, empirike, çfarë u ndodh atyre në jetë: dashuritë, zhgënjimet, hilet, miqësitë e pasinqerta e gjëra të ndryshme, problemet e shoqërisë. E dyta janë leximet, literatura të cilën e lexon, e cila është po ashtu shumë e rëndësishme për çdo shkrimtar”, ka theksuar shkrimtari.
Sipas tij, Bibla është me siguri një ndër veprat që kanë ndikuar, “por jo vetëm Bibla, por edhe shumë e shumë vepra të tjera të cilat po ashtu janë të lidhura ndoshta në mënyrë të tërthortë me Biblën dhe përmes tyre edhe duke lexuar edhe shkrimtarë të tjerë të cilët kanë pasur ndikim në mënyrë të tërthortë. Por, jo vetëm Bibla, por edhe letërsia e vjetër greke, romake, mesjetare etj.”
Kriza e shkrimit
Shkrimtari ka thënë se aktualisht po përjeton krizën e shkrimit, sepse e sheh që nuk mund të thotë gjë të re.
“Unë shpesh kam idenë të shkruaj diçka, por përtoj. Pas disa ditësh e shoh që ka shkruar dikush tjetër shumë më bukur se çfarë kam dashur unë. Çfarë të shkruaj më?!”, ka pyetur ai, duke arsyetuar se “nëse nuk mund të them diçka të re, më mirë të mos shkruaj fare”.
Për të argumentuar mendimin e tij, Gojçaj i është referuar edhe dilemës që ekziston dhe që shprehet shpesh në rrethet letrare, se “a mund të ketë më origjinalitet sot pas mijëra vitesh letërsie?!”
“Kanë shkruar qindra e mijëra shkrimtarë, janë shkruar qindra e mijëra vepra letrare, po çka mund të them unë gjë të re më?!”, ka thënë ai.
Mbrëmja autoriale është mbajtur në kuadër të edicionit të 28-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, i cili organizohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.
