Pasqyrim i maskilinitetit dhe ndikimit të patriarkatit në shoqëri

Tuz – Në Qendrën Kulturore- Informative “Malësia” të mërkurën mbrëma më 27 nëntor 2024, në orën 18:00, u dha shfaqja “O Zot, o Zot, o Zoja e Shpisë”, e regjisorit Robert Nuha produksion i ArtPolis i Qendrës për Art dhe Komunitet, Prishtinë.
Të pranishmit patën mundësi të njihen me tematikën që pasqyron kjo shfaqje teatrore, atë të maskilinitetit dhe ndikimit të patriarkatit në shoqërinë tonë, në një mënyrë komike dhe provokuese.
Ndërkohë, duke përdorur gjuhën e trupit dhe komunikimin përmes fjalës, shfaqja eksploroi aspekte të maskilinitetit dhe traditat e vjetra shqiptare, duke i ndërthurur me humor, kërcim bashkëkohor dhe teknologji.
Kjo shfaqje u luajt nga aktorët: Labinot Raci, Altina Binaku, Enis Mulaku, Patriot Osmani dhe Edlir Gashi, ndërsa tekstin dhe dramaturgjinë e ka bërë, Zana Hoxha. Shfaqja “O Zot, o Zot, o Zoja e Shpisë” vë përballë të kaluarën dhe të tashmen, duke theksuar ndikimin e praktikave të vjetra në shoqërinë tonë.
Mesazhi që përcolli kjo shfaqje dhe interpretimi i shkëlqyer i aktorëve, e bënë këtë mbrëmje të paharruar për publikun pjesëmarrës. Premiera e shfaqjes teatrore “O Zot, o Zot, o Zoja e Shpisë”, është dhënë me 26 shtator 2024 në Prishtinë, përkatësisht në Festivalin Ndërkombëtar të Artistëve dhe Aktivistëve.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat