Tuz – Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, të premtën mbrëma më 24 shkurt 2023, u mbajt shfaqja “Nata poetike migjeniene”, një larmi e prozës dhe poezisë së Migjenit, interpretuar nga aktorë të Shoqatës “Grupimi për artin”-Pogradec, Desara Xhangolli dhe Anderson Gurra.
Kjo natë vjen nëpërmjet etydeve interesante, moderne e të prekshme mbi tekste të njohura e të vjetra, duke sjellë frymën dhe ngjyrat e Shkodrës, por edhe malësoren migjeniane, më njerëzore e më të bukur se kurrë.
Në këtë mbrëmje u panë detaje të së shkuarës në kostume, thurur me një interpretim modern.
Aktorët vuajnë dramën migjeniane, qeshin, kërcejnë, humbasin dhe njëkohësisht ndërveprojnë me njëri-tjetrin, por edhe me publikun, duke e mbajtur veprimin gjithmonë të gjallë, që në këtë qasje të duket gjithçka sa e njohur prej një jete, aq edhe e panjohur.
Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX, një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma, ndikimi i të cilit mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
t. u.
