Tuz – Shfaqja teatrore “Ëndrrat e Hamletit”, një monodramë e filozofisë hamletiane bazuar në veprën e Shekspirit -“Hamleti – Princi i Danimarkës”, me tekst të Nina Mazur dhe regji e interpretim të Mentor Zymberajt, u shfaq të hënën mbrëma më 10 tetor 2022, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz.
“Ëndrrat e Hamletit” është një dramë e dilemave të Hamletit në filozofinë e tij, “të jesh apo të mos jesh”. Rrëfimi i kësaj monodrame është më tepër si një dialog i tij me personazhet e veprës së Hamletit, me të cilët shtron çështjet e komunikimit në relacionet dhe pasojat e veprimit dramaturgjik. Monodrama në fjalë është e ndarë dy pjesë të rrëfimit, në atë “të jesh”, dhe në atë “të mos jesh”.
Të gjitha pytjet, dilemat, botëkuptimet, sqarimet, etj, vijnë si një rrebesh në kokën e Hamletit, thuajse janë personazhe të gjalla dhe të vërteta përreth tij, dhe herë-herë vijnë si mendime të vet Hamletit dhe zërave të personazheve që i dëftohen në kokën e tij.
Argumentet e asaj që më mirë është “të jesh”, theksojnë pjesën e parë të ëndrrës së tij, ndërsa argumentet e tjera janë pjesë e asaj që “të mos jesh” është të mos dëshmosh asgjë, por të heshtësh. Pasojat janë evidente në të dyja anët e dilemës hamletiane “të jesh apo të mos jesh”, por përcaktimi më i afërt mund të jetë, “të jesh si të tjerët, apo të mos jesh”.
Premiera e shfaqjes teatrore “Ëndrrat e Hamletit”, është dhënë më 27 mars të vitit 2018 në Kosovë, në Ditën Botërore të Teatrit.
Kjo monodramë ka arritur sukses të jashtëzakonshëm si në Kosovë, ashtu edhe në disa vende të tjera ballkanike dhe evropiane, duke u shpërblyer me çmime të rëndësishme. Gjithashtu edhe regjisori Mentor Zymberaj, me shfaqjen e kësaj monodrame është vlerësuar për përfeksionim dhe mjeshtëri në aktrim.
Ndër çmimet e shumta veçojmë: Mirënjohje e veçantë nga Festivali Ndërkombëtar Teatror “SAINT MUSE” në Ulanbator (Mongoli); Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT”, 2018 – nominuar dhe vlerësuar: Niveli më i lartë i artit performues (Mentor Zymberaj); Shfaqja më e mirë e Festivalit – “Ëndrrat e Hamletit”- Mirënjohje Speciale nga Ministria e Kulturës së Dagestanit (Mentor Zymberaj); Festivali Ndërkombëtar i Monodramës BACAUFest 2019, Bacau, Rumani (Shfaqje nderi – “Ëndrrat e Hamletit”); Festivali Ndërkombëtar Teatror MOLDFEST, Kishineu, Moldavi, 2019 – Mentor Zymberaj me “Ëndrrat e Hamletit” (Laureat i çmimit kryesor të Festivalit); Festivali Ndërkombëtar Teatror “Aktori i Evropës”, Resen, Maqedoni e Veriut 2021 – Çmimi prestigjioz i Jascues La Carierre për Mentor Zymberaj (“Ëndrrat e Hamletit”), dhe shumë çmime të tjera të shfaqjes dhe të regjisorit Zymberaj në Bullgari, Armeni, Egjipt, etj.
t. u.
