Tuz – Gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar me një karrierë gazetareske mbi tridhjetë vjeçare në mediat shqiptare, z. Enkel Demi, ose siç ai në veprimtarinë e tij letrare mban pseudonimin Tom Kuka, ka bërë përurimin e librit “Flama” në Tuz, të shtunën në mbrëmje, më 14 maj 2022 në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Përpara një numri të konsiderueshëm të të pranishmëve, dialogun me autorin e librit e zhvilloi moderatori i mbrëmjes, Nikollë Berishaj, i cili përveç veprës e cila u promovua aty, bashkëbisedoi edhe për veprat e tjera që Enkel Demi (Tom Kuka) i ka botuar më parë, por edhe për karrierrën e tij të gjatë në shtypin e shkruar, në radio dhe në televizion.
Një vështrim mbi librin “Flama” e dha Albert Bikaj (magjistër i historisë së Mesjetës), i cili theksoi se romani i Tom Kukës “Flama” i zhanrit fiksion-historik, nëpërmjet personazheve dhe ngjarjeve gërsheton realen dhe magjikën.
“Bestytnitë, iracionalizmin, por edhe arsyen. Vet titulli “Flama” të jep përshtypjen e kuptimit të dyfishtë, asaj reale dhe metaforike. Nga elementet dhe ngjarjet që hasim gjatë leximit, është e qartë se ngjarja e romanit vendoset në Shqipëri, veçanërisht në Shqipërinë e Mesme të shekullit 18. Duhet theksuar se përshkrimi autentik i autorit Tom Kuka, të kthen mbrapa në kohë, i shkruar mjeshtërisht, të jep ndjesinë se je duke lexuar një tregim historik me rrëfime ngjarjesh të një udhëpërshkruesi apo shkrimtari të shekullit 20”, tha në mes tjerash Bikaj.
Ai tha se në këtë roman, paradoksalisht hasim në shumë realitete, si paraqitja e jetës së thjeshtë e të vrazhdë, e varfërisë materiale dhe shpirtërore dhe problemet e ndryshme të cilat paraqitën në mënyrë sublime, që “i japin këtij romani një vlerë të veçantë, jo vetëm në aspektin letrar, por edhe në atë historik dhe sociologjik”.
Ndërkaq, shkrimtari Mark Lucgjonaj duke falënderuar shkrimtarin Enkel Demi (Tom Kuka) për praninë e tij në Tuz, tha se romani “Flama” që në titull të intrigon.
“Si titull, si metaforë, mua më ka asociuar në shumë gjera që në fakt ne si popull e si komb i kemi të flamosura, madje me një flamë të cilën mjaft bukur e përshkruan romani i Tom Kukës, realisht, Kel Demit”, tha Lucgjonaj.
Ai tha se libri në fjalë paraqet një kohë të pakohë, një kohë që siç tha, per ne si duket nuk ka mbarim.
“Një mishmash e një konfuzion mendimesh, personazhe që nuk jetojnë me asnjë nga motivet që jetojnë njerëzit në jetën reale”, u shpreh në mes tjerash shkrimtari Mark Lucgjonaj, i cili vazhdoi së rrëfyeri mbi ngjarjet dhe personazhet e romanit, duke thënë se letërsisë shqipe i bëjnë nder shkrimtarët si Enkel Demi.
Kjo mbrëmje letrare ishte takim i këndshëm i admiruesve të fjalës së shkruar me shkrimtarin dhe gazetarin e spikatur, Enkel Demi, sepse, publiku me shumë vëmendje dhe kërshëri ndoqi dhe dëgjoi gjithë historinë e shkrimtarit, të motivacionit që shtyn Demin të shkruaj dhe për atë që ai pasqyron dhe përcjell tek masa përmes fjalës së shkruar.
Rikujtojmë që z. Demi deri më tani ka botuar katër vepra letrare: “Hide mbi kalldrëm”, “Gurët e vetmisë”, “Ora e ligë” dhe “Flama”, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare është shpërblyer me çmime të larta, ndër të cilat ka fituar edhe Çmimin Evropian të Letërsisë për Shqipërinë, 2021.
Përurimi i librit “Flama” u organizua me iniciativë të shkrimtarit Mark Lucgjonaj, mbështetur nga Komuna e Tuzit dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi.
t. u.
