Të hënën mbrëma, më 26 maj 2025, në ambientet e Qendrës për Kulturë në Ulqin, publiku pati mundësinë të përjetojë një mbrëmje të paharrueshme muzikore me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin mjeshtëror të dirigjentit Gridi Kraja. Ky koncert, i organizuar me kujdes nga Komuna e Ulqinit, Qendra për Kulturë dhe Organizata Turistike e Ulqinit, solli një atmosferë të ngrohtë për të gjithë të pranishmit, duke qenë një prej ngjarjeve më të spikatura të kalendarit kulturor të qytetit.
Programi përfshinte vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Çesk Zadeja, Antonin Dvorak dhe Georges Bizet, që u interpretuan me një ndjeshmëri të veçantë nga instrumentistët e Orkestrës dhe nga sopranot e njohura: Gjylie Pelingu – Hoxha, Hristina Dragoviq, Maja Jakoviq dhe Egzona Salaj. Vepra të njohura të repertorit klasik u sollën në skenë përmes interpretimesh që mbartnin ndjeshmëri, fuqi emocionale dhe një komunikim të thellë me publikun, i cili i shpërbleu interpretuesit me duartrokitje të gjata dhe të përzemërta.
Dirigjenti Gridi Kraja, një nga emrat më të spikatur të skenës muzikore shqiptare, shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe bashkëpunimin që kishte me institucionet dhe artistët lokalë.
“Për mua është një privilegj i madh të drejtoj Orkestrën Simfonike të RTSH-së në Ulqin. Ky qytet ka një shpirt të jashtëzakonshëm artistik dhe mikpritës, që e bën çdo përvojë këtu të paharrueshme. Bashkëpunimi me sopranot nga Ulqini ishte frymëzues – janë artiste të përkushtuara dhe me një ndjeshmëri të thellë muzikore. Kjo mbrëmje tregoi sesa shumë mund të arrihet kur institucionet kulturore bashkohen për një qëllim të përbashkët: promovimin e artit dhe vlerave tona të përbashkëta”, pohoi ai.
Dirigjenti Kraja theksoi gjithashtu se bashkëpunimet e tilla ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe trevave shqiptare jashtë kufijve janë thelbësore për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe për fuqizimin e një dialogu artistik ndër-rajonal.
Ndërkohë, sopranoja e njohur Gjylie Pelingu – Hoxha ndau emocionet e saj për këtë përvojë artistike.
“Ishte një kënaqësi dhe nder të jem pjesë e këtij koncerti, në qytetin tim të dashur – Ulqin. Të performosh me profesionistë të këtij niveli, si Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe dirigjenti Gridi Kraja, është një përvojë e veçantë. Ne, artistët lokalë, e ndiejmë si mision të sjellim artin më pranë komunitetit, dhe sonte, u ndje fuqishëm energjia dhe dashuria për muzikën klasike”, u shpreh ajo.
Sopranoja gjithashtu shtoi se përfshirja e artistëve nga Ulqini në projekte të tilla është një hap i rëndësishëm drejt integrimit më të gjerë në skenën muzikore ndërkombëtare dhe një motivim për brezat e rinj që ndjekin rrugën e artit.
Hyrja falas dhe mikpritja tradicionale e Ulqinit bënë që ky aktivitet të jetë i hapur për të gjithë dashamirët e muzikës klasike, duke përfshirë të rinj, familje, artistë dhe përfaqësues të institucioneve lokale e rajonale. Koncerti jo vetëm që afirmoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërinstitucionale në promovimin e artit, por gjithashtu theksoi rolin e Ulqinit si një qendër kulturore që mirëpret artistë të niveleve të larta nga mbarë rajoni.
Kjo natë e muzikës klasike në Ulqin, përtej interpretimit të lartë artistik, ishte edhe një mesazh i fortë për unitetin kulturor, për ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe për fuqinë e artit në ndërtimin e urave mes njëri-tjetrit.
D. Teliqi
