Idetë politike, filozofia politike, mendimi politik etj. kanë qenë në qendër të takimit me gazetarin dhe analistin Fitim Zekthi, pedagog i shkencave politike në Universitetin Europian të Tiranës, që është mbajtur të premten mbrëma (27 tetor 2023) në Librarinë “Ulqini”.
Në takimin me temë “E majta, e djathta dhe kozmopolitja si teza politike”, ai ka folur për origjinën e ideve politike dhe se si ato janë transformuar përgjatë viteve, cila është ideja politike më e mirë për një vend apo për një entitet të caktuar territorial dhe politik dhe si këto ide politike mund të zbatohen.
Zekthi ka thënë se idetë politike nuk kanë lindur nga asgjëja, por kemi një epistemë apo premisë të parë.
“Ata që besojnë se Zoti ekziston dhe Zoti ka krijuar njeriun dhe botën, për ata ka një rend natyror të gjërave. Pra, Zoti ka krijuar një rend natyror. Në këtë rend natyror që ka krijuar Zoti ka të drejta dhe liri natyrore”, ka thënë ai.
Sipas filozofisë politike të këtij grupimi, duhet të ndërtojmë një sistem politik që është në harmoni të plotë me këto liri dhe të drejta natyrore që ka krijuar Zoti.
“Pra, duhet t’i gjejmë se cilat janë dhe të ndërtojmë një shtet, një sistem politik që i mbron këto të drejta dhe liri dhe i çon përpara. Kjo është A-ja, nga këtu lind e djathta”, është shprehur Zekthi.
Për dallim prej këtij grupi, ekziston grupi tjetër, e majta, që thotë se Zoti nuk ekziston dhe se nuk ka një fuqi të madhe transcendentale që ka krijuar njeriun dhe botën.
“Për këtë grup nuk ka të drejta dhe liri natyrore të krijuara nga një rend natyror i cili në vetvete është krijuar nga Zoti. Është një e dhënë. Ne jemi këtu dhe ne me anë të racios njerëzore, me anë të marrëveshjes me njëri-tjetrin, dialogut me njëri-tjetrin, kontratës sociale, do të ndërtojmë shtetin që duam”, ka theksuar Zekthi.
Për të majtën njeriu është produkt i shoqërisë.
“Për të majtën njeriu mund të bëhet si të dojë shteti. Prandaj e majta mendon se një shtet gjigant, me sistem arsimor që e kontrollon plotësisht, me gjërat që ia indukton ai, mund ta bëjë njeriun si të dojë ai”, ka thënë Zekthi.
Autorët kryesorë nga buron teza e së majtës janë Rusoi dhe më pas Marksi, derisa mendimi evropian që i formuloi në mënyrë sistemike tezat e së djathtës nis nga teza e Makiavelit, pastaj Dekartit, Luterit dhe Hobsit, të cilat i ka përmbledhur në mënyrë sintetike James Madisoni, njëri prej autorëve themelorë të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së SHBA-së.
Me kalimin e kohës, të dy grupet kryesore politike kanë lëvizur nga idetë politike fillestare. E djathta ka qenë nën presionin e jashtëzakonshëm dhe avancimin e frikshëm, gati 100-vjeçar të së majtës.
“Sot e majta ka shkuar aq larg nga gjeneza që thamë, nga ato premisa. E djathta i ka humbur premisat e asaj që thamë, pra rend natyror, të drejta natyrore, liri natyrore, shtet i kufizuar, ndarje pushtetesh e me radhë, por ka shkuar te sovranizmi, nacionalizmi, radikalizmi, antiglobalizmi, antieuropeizmi, sepse është reaksion”, ka theksuar Zekthi.
Gjatë takimit ai është përgjigjur në pyetjet e publikut të pranishëm.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
i. k.
