Manifestimi i përbashkët dyditor i Takimeve të XLI Letrare të Plavës dhe i Kolonisë së XVI Figurative të këtij qyteti, i organizuar nën moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2017”, filloi në orët e paradrekes të së premtes me takimet e poetëve dhe piktorëve me nxënësit dhe mësimdhënësit e dy shkollave fillore nëntëvjeçare në Plavë e Murinë dhe të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, me ç ‘rast u mbajtën orë letrare e takime me piktorë dhe janë zhvilluar biseda të ndërsjella, kurse në hollin e Qendrës për kulturë në Plavë, në muret e së cilës është hapur ekspozita me 19 piktura – retrospektive e piktorëve të kolonive të mëparshme figurative “Plavsko jezero”, të cilën e shpalli të hapur piktorja akademike nga Bosnja e Hercegovina, Hiba Allajbegoviq-Mustafiq, për të vazhduar pastaj në orët e mbrëmjes në sallën e madhe të Qendrës për kulturë me homazhin mbi jetën dhe veprimtarinë e bujshme dhe të gjithanshme letrare, shkencore, kulturore, shoqërore dhe arsimore të romansierit, poetit, eseistit dhe tregimtarit Husein Bashiq nga Plava, me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së tij dhe të shfaqjes së filmit dokumentar 45minutësh me titull “Od sunca ogrlica” (Qaforja nga dielli) të autorit Bogiq Rakoçeviq nga Podgorica, kushtuar jetës dhe veprës së krijuesit letrar plavjan, Husein Bashiq.
Moderatori i homazhit dhe i filmit dokumentar, në fjalën për jetën dhe opusin e gjerë krijues letrar të Husein Bashiqit, drejtori artistik i Qendrës për kulturë të Plavës, Alija-Alo Rexhematoviq, bashkëvendës i veprimtarit të ndjerë tha se “Sot jemi tubuar për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e bujshme dhe të gjithanshme të këtij personaliteti të shquar dhe mirënjohur plavjan, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të vdekjes së tij” dhe në vazhdim shtoi: “Në kuadër të programit të hartuar, do të lexoj bisedën e shkruar të akademikut Zuvdija Hoxhiq, i cili për shkaqe të arsyeshme nuk ka mundur të jetë sonte me ne, e në të cilën bëhet fjalë për jetën dhe veprën e punës së Husein Bashiqit, e në mungesë të tij, sonte do të flas akademiku prof. dr. Sherbo Rastoder, e më pas të pranishmit do të kenë mundësinë të shikojnë filmin dokumentar me titull “Od sunca ogrlica”, kushtuar tërësisht letrarit dhe veprimtarit Husein Bashiq”. Sh. Hasangjekaj
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “794” të revistës Koha Javore
