Binak Ulaj
Ftesën e mikut tim nga Peshkopia, Dorian Bulkut, për të marrë pjesë në realizmin e projektit Mbjellja e fidanëve të pishave në sipërfaqet e maleve të shkrumbuara nga zjarri në Lurë, nga 28 deri më 30 maj, e kam mirëpritur me kënaqësi të veçantë. Këtë, jo vetëm për pasionin tim, ca të tepruar, për t’i shëtitur me këmbë e shijuar bukuritë natyrore, as për faktin shumë të vlerësuar se me projekt parashihej të merrnin pjesë vullnetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës…, por në rend të parë për atë se në krahun tjetër të atdheut tonë kam parë shumë sipërfaqe pyjesh të prera e të djegura. Mjerisht, as pishat shtatlarta të Lurës, oazës së bukurisë magjike shqiptare, tani të plagosur, nuk u kishin shpëtuar duarve të mendjeakrepëve.
Me të aguar dita e 27 majit, bashkë me taksistin e rregullt nga Vermoshi, Nardin, do të nisemi rrugës së asfaltuar Guci-Shkodër, e cila kalohet për dy deri dy orë e gjysmë me makinë. Kjo rrugë u ka krijuar mundësi banorëve të mbetur të Plavës, Gucisë, Vermoshit, Selcës, Kelmendit, për t’u marrë me turizëm dhe mirëpritur grupet e vizitorëve, kryesisht shqiptarë, por edhe të huaj, që gjithnjë e më shumë vijnë t’i vizitojnë këto vise me bukuri mbresëlënëse natyrore dhe të kaluar të lavdishme historike.
“Ja, kjo është në Kre-Lura, që do të thotë Krye –Lura”, tregon Nazmiu. Dhe, s‘kishte si të mos ndalemi e ta shijojmë për pak çaste atë mrekulli gjelbëroshe. Para nesh shtrihej lugina e butë, disa kilometra e gjatë, por jo shumë e gjerë. Duke vazhduar tutje, diku kah fundi i saj, më bie në sy kisha e re, e vogël, dhe dy shtëpi të vetme. Në njërën shihej se ka banorë, kurse tjetra ishte kulmrënë
Duke biseduar për rëndësinë e kësaj rruge, s‘kishte si të mos e përmendja rrugën Deçan- Plavë, dyzet e dy kilometra e gjatë, asfaltimi i së cilës do t’i bënin Plavën e Gucinë, me resurset natyrore që ka, qendër turistike të nivelit ndërkombëtar. Por, sapo kalojmë bashkinë e Kelmendit dhe arrijmë në Grabom, për të satën herë bindem se ndërtimi i saj, ashtu si edhe i rrugëve tjera që lidhin viset tona etnike e historike, të copëtuara me kufij nga trungu i atdheut tonë, s’varet prej qeverive tona, por prej qeverive të shteteve fqinje, që i kanë okupuar që para më se një shekulli. Këto qeveri vazhdojnë të mos preokupohen fare për krijimin e kushteve për zhvillim të viseve të banuara me shqiptarë, siç parashihet edhe me aktet shtetërore të tyre, por përkundrazi, me mjete administrative, mirë të studiuara e analizuara, e pengojnë zhvillimin e përparimin e tyre. Rasti i rrugës Grabom-Tuz e dëshmon këtë. Derisa qeveria shqiptare ka vite që e ka asfaltuar pjesën brenda kufirit shtetëror të saj, Qeveria e Malit të Zi e ka vonuar këtë. Për më tepër, ajo e shpërfillë edhe marrëveshjen e arritur për hapjen e pikës së kalimit kufitar në këtë vend. Sikur të hapej pika kufitare në Grabom, rruga nga Gucia për në Tuz e Podgoricë do të zgjaste më pak se dy orë.
Biseda, kryesisht për zhvillimet politike në të dy krahët e atdheut dhe pamjet mahnitëse që përftonin, veçmas përgjatë Luginës së Cemit e Leqeve të Hotit, kishte bërë që pa e hetuar të arrij te djali i dajës, Dini, dhe nusja e tij, Xhefja, të cilët si shumë prindër të Malësisë së Madhe, fëmijët i kanë të shpërndarë nëpër botë. Komunikimi me telefon ua zbutë sadopak mallin, por ç’t’i bëjnë vetmisë. Takimin tonë, pas më se një viti dhe fatmirësinë se nuk kishim pësuar nga pandemia, e kremtojmë si përherë në këtë familje, me raki të pastër rrushi, të pjekur nga vetë Dini, duka pasur për meze edhe gështenja të pjekura, perime të freskëta e mjaltë bletësh, që vetë i rritë me kujdes. Ndonëse shkonin njëra me tjetrën dhe të jepnin kënaqësi të veçantë, raki dhe mjaltë gështenjash kisha shijuar edhe te kushëriri, Tahir Kukaj, në Valbonë, por jo edhe gjetiu. Dëshirën e tyre për të qëndruar më gjatë nuk mund t’ua plotësoj. Duhej vazhduar tutje.
Në mbrëmje, së bashku me Dorin arrijmë në Golem të Durrësit. Meqë ka vite që s’kisha qenë në Golem, do të befasohem nga ndërtimet e reja, veçmas nga ndërtimi i hoteleve super luksoze, me dritare të shumta me xhama e ndriçim elektrik që i bënin të dukeshin si të arta. Plazhi para tyre ishte i rrethuar me tela dhe i zënë me shtretër pushimi e rrezitjeje. “ Këto hotele nuk pranojnë mysafirë vendës, veç të huaj”, më njofton Dori. “Jo larg tyre janë edhe vilat e VIP-ve nga Kosova”, shton ai.
E, sot, në kohën, jo më të kompjuterizimit, por të digjitalizimit, kur edhe gjyshet e gjyshërit tanë komunikojnë përmes internetit, të pyesësh prej nga paratë për ndërtime të tilla, del të jesh i trashë nga mendja!
Të nesërmen, siç ishte paraparë, takohemi me vullnetarët e tjerë në Tiranë dhe, pa humbur kohë, nisemi për në Lurë. Dori dhe shokët ishin përkujdesur dhe furnizuar me artikuj të nevojshëm ushqimorë. Pasi kalojmë një pjesë të mirë të Rrugës së Kombit, vazhdojmë dhe arrijmë në qytetin e ri të Rrëshenit, ku ndalemi për një kafe, por “ikën dritat”, arsyetohet kamerieri. Për aq kohë sa qëndruam aty, vëmendjen do të ma tërheqë një zonjë në moshë, me çadër të bukur në dorë për t’u mbrojtur nga dielli dhe veshje solemne mirditore ngjyre të zezë, të denjë edhe për zonjat e metropoleve të njohura.
Disa kilometra nga Rrësheni futemi rrugës së paasfaltuar dhe përplot pluhur, e cila përshkonte kodra të pafund, poshtë të cilave shtriheshin luginat e pakëta me sipërfaqe të vogla e të ngushta dhe shtëpi të shpërndara. Ishim me fat, veçmas unë dhe Arbeni nga Prishtina, se në makinë me ne ishte edhe mbikëqyrësi i projektit të mbjelljes së pishave, lurjani Nazmi Ajazi (1959), doktor i shkencave të pylltarisë dhe autor i disa librave profesionalë. Para se të shpërngulej me familje në Tiranë kishte punuar në Drejtorinë e Pyjeve në Lurë, kurse tani ishte drejtor i Projektit Bioklimatik në Malin e Dajtit. Përveç profesionit, Nazmiu ishte njohës i mirë i historisë. Për këtë arsye do të shoqërohem me të pothuaj gjatë gjithë kohës sa do të qëndrojmë në Lurë. Ndonëse mohues i skajshëm i të arriturave në sistemin komunist, nga ai kishim ç’të mësonim, veçmas për viset nga kalonim. Shpjegimet e tij bënin që të mos e ndienim fare lodhjen.
“Jemi në territorin e Selitës. Qyteti që shihni ka qenë qytet i minatorëve. Ka pasur shkollë të mesme, spital… Me mijëra e mijëra tonë kromi janë nxjerrë e transportuar nga këtu. Tani është shpopulluar gati krejt”, tregon Nazmiu për qytetin e Kurbimit.
Edhe nga makina shiheshin godina tri-katër katërkatëshe me tulla të hirta, pa dyer e dritare. Një shi, që nuk do të zgjasë, e ulë sadopak pluhurin duke ia shtuar edhe më bukurinë pyllit të ulët në të dy anët e rrugës, ngjyra e gjelbër e të cilit t’i çlodhte sytë.
“Ja, kjo është në Kre-Lura, që do të thotë Krye –Lura”, tregon Nazmiu.
Dhe, s‘kishte si të mos ndalemi e ta shijojmë për pak çaste atë mrekulli gjelbëroshe. Para nesh shtrihej lugina e butë, disa kilometra e gjatë, por jo shumë e gjerë. Duke vazhduar tutje, diku kah fundi i saj, më bie në sy kisha e re, e vogël, dhe dy shtëpi të vetme. Në njërin shihej se ka banorë, kurse tjetra ishte kulmrënë.
Pas afro pesë orë udhëtimi, arrijmë në një kodër sipër fshatit Lurë e Vjetër, te “Hoteli i Enverit”, siç e quanin disa, për atë se ishte ndërtuar në kohën e komunizmit. Ndezja e zjarrit dhe përgatitja e darkës së përbashkët, ku secili ndihmonte a shërbente me diçka, krijonte një atmosferë të këndshme më se shoqërore. Kështu do të veprohet edhe me përgatitjet e shujtave gjatë ditëve në vijim. Dhe, si ndodh zakonisht, kur ka më shumë pjesëmarrës në aktivitet, qëllon që ndonjëri të ketë shkas edhe për të qerasë. Kështu ndodhi edhe me grupin tonë. Mirditori, Sokol Prenga i MasterChef Albania, e kishte ditëlindjen, ndaj ishte kujdesur dhe kishte sjellë pako me ëmbëlsira dhe specialitete të përgatitura nga firma e tij private. Përveç si ekspert i ushqimit, ai do të më befasojë për disa vërejtjet e përdorimit të gabueshëm të disa cilësorëve të shqipes, që s’mund të mohoheshin. (vazhdon)
