Nxitje e vëmendjes për lidhjet emocionale, historike dhe shoqërore tëkomunitetit me Plazhin e Madh

Ekspozita e organizuar bashkoi në një hapësirë të vetme artin, historinë dhe angazhimin qytetar – përmes fotografive të vjetra nga albumet familjare, pikturave të nxënësve të shkollave fillore dhe punimeve letrare të nxënësve të shkollave të mesme, duke ofruar një pasqyrë të ndjeshme dhe shumëdimensionale mbi rëndësinë e kësaj hapësire për identitetin dhe të ardhmen e Ulqinit

Në kuadër të projektit “Plazhi i Madh – përgjegjësi e madhe”, i cili zbatohet nga Organizata Joqeveritare “Kualiteti Lokal”, në bashkëpunim me OJQ-të “MogUL”, “MSJA”, si dhe me Portalin Ul Info, të shtunën, më 19 korrik 2025, në hapësirat e Pazarit të Suvenireve në Ulqin u organizua aktiviteti përmbyllës i këtij projekti – ekspozita artistike dhe dokumentuese “Plazhi i Madh përmes objektivit dhe penelit”.
Ky projekt, që është pjesë e iniciativës më të gjerë “Fuqizimi i zërave të komunitetit: përpjekjet për drejtësi dhe sundimin e së drejtës”, financuar nga Bashkimi Evropian, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore dhe të përbashkëta, si dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive të komunitetit në proceset vendimmarrëse që prekin mjedisin dhe të ardhmen e qytetit.
Projekti është mbështetur gjithashtu nga OJQ “Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar” (MANS) dhe OJQ “Aksioni Ynë”, të cilat me përvojën e tyre shumëvjeçare kanë ndihmuar në thellimin e debatit publik mbi menaxhimin e qëndrueshëm të zonave me interes të lartë ekologjik dhe ekonomik, siç është Plazhi i Madh i Ulqinit.
Ekspozita e organizuar bashkoi në një hapësirë të vetme artin, historinë dhe angazhimin qytetar – përmes fotografive të vjetra nga albumet familjare, pikturave të nxënësve të shkollave fillore dhe punimeve letrare të nxënësve të shkollave të mesme, duke ofruar një pasqyrë të ndjeshme dhe shumëdimensionale mbi rëndësinë e kësaj hapësire për identitetin dhe të ardhmen e Ulqinit.
“Kjo ekspozitë vjen si një përmbyllje e aktiviteteve të mëparshme, të zhvilluara në kuadër të projektit ‘Plazhi i Madh – përgjegjësi e madhe’, i cili është inicuar si reagim ndaj kërcënimit të para disa muajve për dhënien me koncesion për 99 vjet të kësaj pasurie natyrore një investitori të huaj. Ky zhvillim ka ngjallur një interesim të madh, jo vetëm në Ulqin, por edhe përtej kufijve të tij. Qëllimi i këtij projekti është sensibilizimi i opinionit publik dhe i vendimmarrësve në lidhje me rëndësinë e mbrojtjes së Plazhit të Madh – një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore, kulturore dhe ekonomike, që kërkon kujdes të veçantë, përgjegjësi të madhe dhe planifikim të qëndrueshëm. Ajo që është paralajmëruar si investim, përmban në vetvete potencial për devijime të mëdha dhe çrregullime në strukturën e kësaj hapësire unike, për shkak të ambicieve të shprehura në mënyrë të befasishme nga investitori i huaj”, thotë Xhemal Peroviq nga OJQ “MogUl”.
Ai thekson se pikërisht për këto arsye, përmes kësaj ekspozite kanë dashur të ndërthurin disa aktivitete të cilat synojnë të përfshijnë të gjitha gjeneratat dhe të sjellin në vëmendje lidhjen emocionale, historike dhe shoqërore që komuniteti ka me këtë vend.
“Një nga aktivitetet kryesore është ekspozita e fotografive të vjetra, të mbledhura nga albumet familjare, të cilat dokumentojnë bukurinë dhe jetën rreth Plazhit të Madh ndër vite. Krahas tyre, janë paraqitur punime artistike – piktura nga nxënësit e shkollave fillore, si dhe punime letrare të nxënësve të shkollës së mesme, që reflektojnë ndjeshmërinë dhe përkushtimin e të rinjve ndaj mbrojtjes së mjedisit”, shprehet Peroviq.
Ai tregon se kësaj ekspozite i kanë paraprirë katër aktivitete të tjera: takime me afaristë, përfaqësues të institucioneve, si dhe me përfaqësues të mediave, ku të pranishmit kanë pasur mundësinë të ndjekin diskutimet e panelistëve të shquar nga Mali i Zi, të angazhuar në mbrojtjen e pasurisë publike dhe planifikimin e qëndrueshëm të hapësirave bregdetare.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në fjalën e tij përshëndetëse ka thënë se Ulqini nuk është vetëm një vend i detit – ai është gjithashtu një vend i kulturës, i artit dhe i penës.
“Sot po ndërthuren dy aktivitete me rëndësi të madhe: përpjekja jonë e përbashkët për mbrojtjen e Plazhit të Madh dhe angazhimi qytetar përmes shoqatave joqeveritare, të cilat, së bashku me banorët e komunës sonë, kanë treguar unitet të jashtëzakonshëm. Edhe një herë, dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë kontribuar me përkushtim në mbrojtjen e kësaj pasurie të përbashkët – Plazhit të Madh, simbolit tonë natyror e kulturor. Tani jemi në një moment më solemn, ku kemi detyrën të përcjellim te të rinjtë dashurinë dhe përkujdesjen për Plazhin e Madh”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka falënderuar veçanërisht Shoqatën e Grave dhe znj. Aldijana Gjoni – Maxharri, për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Një falënderim i veçantë shkon edhe për donatorët, si dhe për organizatën MANS dhe të gjitha shoqatat e tjera që na kanë ndihmuar ta shprehim në mënyrën më të bukur dashurinë dhe përkushtimin tonë ndaj Plazhit të Madh. Shpresoj që ky aktivitet të jetë një gur tjetër i rëndësishëm në themelin e mbrojtjes së kësaj hapësire të çmuar – një gozhdë e fortë në mbrojtje të Plazhit të Madh”, ka thënë Nimanbegu
Fituesit e konkursit të organizuar në kuadër të ekspozitës “Plazhi i Madh përmes objektivit dhe penelit” u shpallën në dy kategori: pikturë dhe letërsi, me tema të frymëzuara nga rëndësia e ruajtjes së Plazhit të Madh. Në kategorinë e pikturës, vendi i parë i takoi Anastasja Vukçeviqit, vendi i dytë Ajlla Salloviqit, ndërsa vendin e tretë e zuri Hesa Gorana.
Ndërsa në kategorinë letrare, çmimin e parë për esenë më të mirë letrare e fitoi Nurije Maxharri, çmimin e dytë Sara Doçi, kurse çmimin e tretë Sara Iljazi. Këto çmime janë një dëshmi e angazhimit dhe kreativitetit të të rinjve në shprehjen e lidhjes së tyre emocionale dhe artistike me Plazhin e Madh. Çaste të bukura për të pranishmit ka sjellë grupi muzikor vendas “Espressivo.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat