Tuz – Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza” në Tuz ka shënuar javën e kaluar njëvjetorin mëvetësimit të tij.
Drejtori i këtij institucioni publik, David Junçaj, duke folur për një sërë aktivitetesh të cilat ky kopsht i ka realizuar përgjatë një viti, si dhe për kushtet në të cilat zhvillohet procesi edukativo-arsimor, thotë se ky është vetëm fillimi, duke u zotuar se nga viti në vit do të angazhohen në përmirësimin dhe avancimin e kushteve për më të vegjlit.
“Që nga dita e parë që kur jemi të pavarur në institucionin parashkollor publik “Nënë Tereza”, procesi edukativo-arsimor është zhvilluar sipas plan-programit të caktuar. Na kënaq fakti se numri i fëmijëve që nga fillimi e deri tani ka qenë në rritje të vazhdueshme, ndaj dhe falënderoj prindërit për besimin që kanë treguar dhe për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur deri tani. Për të justifikuar besimin e tyre, institucioni ynë është përpjekur që të përmirësojë kushtet e punës si për fëmijë ashtu edhe për punonjësit e këtij institucioni”, u shpreh Junçaj.
Ai më tej tregoi se që nga emërimi i tij në krye të këtij institucioni ka bërë kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm si statutin, sistematizimin e vendeve të punës, rregulloren e kodit etik, etj., të cilat i ka miratuar Këshilli Drejtues i këtij institucioni.
“Me rritjen e numrit të fëmijëve që ndjekin mësimin në kopshtin tonë, institucioni ynë ka pasur nevojë për më shumë edukatorë, motra mjekësore, asistente në mësim dhe shumë shpejt do të fillojnë me punë sipas sistematizimit, psikologu dhe logopedi dhe kështu jemi të kënaqur që ia dolëm që të bëhemi një familje e madhe. Për t’ua lehtësuar prindërve dhe punonjësve rregulluam edhe hapësirat e reja të parkimit , vendosëm sinjalistikën dhe tani nuk ka qarkullim dhe rrezik para kopshtit sikurse më parë”, tha Junçaj.
Ndërkohë, duke u ndalur te përmirësimi i kushteve te hapësirat e brendshme të këtij institucioni, drejtori i saj thotë se aty janë vendosur në çdo klasë dhe korridor, kondicionerët bashkëkohorë, në mënyrë që, çdo klasë të përshtatet me standardet evropiane të digjitalizimit të sistemit arsimor.
“Që institucioni dhe të gjithë brenda tij të jenë të sigurt dhe nën vëzhgim, riparuam kamerat dhe i vendosëm të reja, në mënyrë që objekti të jetë vazhdimisht i survejuar 24 orë. Për të mirëmbajtur oborrin e kopshtit, kemi punuar sistemin e ujitjes, duke u kujdesur kështu edhe për zbukurimin e tij dhe pajisjen. Po të njëjtin e kemi pajisur me lodra të ndryshme që fëmijët t’i shfrytëzojnë ditët e bukura jashtë, duke lozur dhe duke u shoqëruar me bashkëmoshatarët e tjerë. Po ashtu kemi siguruar uniformat për gjithë punonjësit e kopshtit”, tha Junçaj.
Ndërkaq, duke folur për suksesin e këtij kopshti për këtë periudhë njëvjeçare që kur ai u bë i pavarur, drejtori i tij thotë se pavarësisht se një institucion relativisht i ri, suksesi nuk ka munguar.
Ai thotë se me përkushtim të madh, fëmijët e kopshtit kanë marrë pjesë në shumë manifestime, organizime dhe vizita të ndryshme sipas planit të paraparë.
“Puna bëhet edhe më e mirë kur kemi bashkëpunime me ministrin e Arsimit, Entin për Shkollim, Komunën e Tuzit, që i falënderojmë për mbështetjen e dhënë që nga dita e parë e funksionimit. Po ashtu kemi bashkëpunime të mira me Shkollën Fillore ,,29 Nëntori” në Dinoshë, ku në këtë institucion kemi njësinë edukative dhe deri më tani procesi mësimor vijon sipas planit”, u shpreh Junçaj.
Në të njëjtën kohë, duke folur për sfidat që ky institucion ka hasur në veprimtarinë e tij njëvjeçare, ai tha se me për t’i përballuar ato më së miri, kanë vënë në punë gjithë kapacitetin e tyre intelektual dhe profesional, me synim arritjen e një standardi i cili mund të krahasohet me vendet e zhvilluara.
“Duhet thënë dhe potencuar se ende ka hapësirë për përmirësime dhe risi, por këtë do ta dëshmojë koha para nesh. Buzëqeshja e fëmijëve, besimi, përkrahja e prindërve dhe e miqve tanë, do të jenë gjithmonë vullneti i punës sonë”, përfundoi Junçaj.
Kujtojmë që Institucioni Publik Parashkollor në Tuz, nga viti 2019 kur edhe u hap, e deri vitin e kaluar kur u mëvetësua dhe u emërua, Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza”, funksionoi si Njësi Edukative “Gëzimi Fëmijëror” në kuadër të IPP “Gjina Vrbica” nga Podgorica.
t. u.
