
(vijon nga numri i kaluar)
Në vitin 2020, Amin Maluf u nderua me Urdhrin Kombëtar të Meritës nga qeveria franceze si simbol i urës së komunikimit mes Lindjes dhe Perëndimit.
Amin Maluf u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze, më 23 qershor të vitit 2011, për të plotësuar vendin e 29-të, të mbetur bosh nga vdekja e antropologut Claude Lévi-Strauss (Klod Levi Shtros).
Në shkrimin e tij Karrigia në Senë të vitit 2017, Malufi jep historinë e themelimit të Akademisë Franceze dhe kush ishin figurat që uleshin gjatë historisë në karrigen e 29-të.
Në vitin 2010, ai mori çmimin prestigjoz spanjoll për letërsi Princi i Asturias, një vit pas Kadaresë. Juria u shpreh se autori, përmes fiksionit historik dhe reflektimit teorik, ka arritur të trajtojë qartë kompleksitetin e gjendjes njerëzore. Duke përdorur një gjuhë intensive, sugjestive, Malufi na vendosë në mozaikun e madh mesdhetar të gjuhëve, kulturave dhe besimeve për të ndërtuar një hapësirë simbolike për takime dhe mirëkuptim. Ndryshe nga dëshpërimi, dorëheqja apo viktimizimi, vepra e tij gjurmon një rrugë të veten drejt tolerancës dhe pajtimit, një urë që shtrihet thellë në rrënjët e përbashkëta të popujve dhe kulturave.
Në fjalimin e vet të vitit 2010, Malufi u shpreh:
“Ky diversitet i botës, diversiteti i jashtëzakonshëm kulturor që karakterizon çdo shoqëri njerëzore, është përgjithësisht objekt lavdërimi, por ndonjëherë edhe shkak i vuajtjes; sepse, megjithëse është burim pasurie për vendet tona, është edhe burim tensionesh. Ato kombe të bazuara në diversitetin etnik dhe imigracionin, figurojnë ndër më dinamiket në planet – mjafton të shikohet në anën tjetër të Atlantikut për të konfirmuar se është kështu. Megjithatë, ky dinamizëm shpesh shkon paralelisht me pakënaqësinë, diskriminimin, urrejtjen dhe dhunën.
Në vetvete, diversiteti nuk është as bekim dhe as mallkim. Është thjesht një realitet, një fakt i jetës. Bota është një mozaik nuancash të panumërta dhe vendet tona, provincat dhe qytetet tona marrin gradualisht imazhin dhe pamjen e kësaj bote. Çështja nuk është a mund të jetojmë së bashku pavarësisht dallimeve tona në ngjyrë, gjuhë apo besim; çështja është të dimë si të jetojmë së bashku, si ta shndërrojmë diversitetin tonë në një përfitim dhe jo në një fatkeqësi.
Të jetuarit së bashku nuk është e lindur për njerëzit, reagimi spontan i të cilëve zakonisht është i refuzimit të tjetrit. Kapërcimi i refuzimit kërkon përpjekjen e gjatë të edukimit të qytetarëve, duke përsëritur pandërprerë – për të gjithë – se identiteti i një vendi nuk është as një fletë e zbrazët në të cilën mund të shkruhet ndonjë gjë dhe as një faqe e shkruar dhe e shtypur tashmë, por një faqe që është në proces të të shkruarit. Ekziston një trashëgimi e përbashkët – institucionet, vlerat, traditat, një mënyrë jetese – pjesë e së cilës cilido prej nesh duhet tʼi përkasë, por secili prej nesh duhet gjithashtu të ndjehet i lirë të japë kontributin e vet në varësi të talenteve dhe ndjeshmërisë sonë. Siç e shoh unë, që ky mesazh të zërë rrënjë në mënyrën se si njerëzit mendojnë është një prioritet për njerëzit e arsimuar sot.
Kultura nuk është një luks që ne mund ta përballojmë vetëm në kohë të bollëkut. Detyra e saj konsiston në parashtrimin e pyetjeve thelbësore: Kush jemi ne? Ku po shkojmë? Çfarë shpresojmë të ndërtojmë? Çfarë lloj shoqërie? Çfarë lloj qytetërimi? Në bazë të çfarë vlerash? Si t’i përdorim burimet e mëdha që na ofron shkenca? Si t’i shndërrojmë këto në instrumente lirie dhe jo skllavërie?
Roli i kulturës është edhe më vendimtar në kohë konfuzioni. Po kështu, epoka jonë është një epokë konfuzioni. Shekulli që sapo ka nisur do të jetë një shekull i prapavajtjes morale nëse do rrimë duarkryq – dhe këtë e them me trishtim dhe meditim për fjalët e mia. Një shekull përparimesh shkencore dhe teknologjike pa dyshim; por edhe një shekull i prapavajtjes morale, afirmimeve të identiteteve, të përkeqësuara, herë të dhunshme, herë reaksionare; zvogëlimi i solidaritetit midis kombeve dhe brenda zemrës së vetë kombeve; zbehja e ëndrrës evropiane; erozioni i vlerave demokratike; përdorimi i tepruar i ekspeditave ushtarake dhe i ligjeve të jashtëzakonshme… Simptomat janë të panumërta.
Përballë kësaj prapavajtje fillestare, ne nuk mund të jemi symbyllur apo t’i hapim rrugë dëshpërimit. Sot, nderi i letërsisë – nderi ynë – qëndron në përpjekjen për të kuptuar kompleksitetin e epokës sonë dhe në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë që bota jonë të vazhdojë të jetë e banueshme. Ne nuk kemi planet rezervë, kemi vetëm Tokën tonë të lashtë dhe detyra jonë është ta ruajmë dhe ta bëjmë vend sa më human për jetesë”.
Dy zemra
“Do të doja të kem dy zemra – të parën të pandjeshme, të dytën vazhdimisht të dashuruar: këtë t’ua besoja vetëm atyre për të cilët rreh dhe me tjetrën i lumtur do të jetoja”. (Amin Maluf)
Citimi “Unë nuk vij nga ndonjë shtet, qytet, fis. Unë jam biri i rrugës…”pjesa e parë e shkrimit është nxjerrë nga novela “Leoni Afrikan” (Léon l’Africain), botuar në vitin 1986. Novela, e shkruar në formë të memoareve të personit të vërtetë historik, Hasan al Vatanit, prek, mes tjerash, historikun e rënies së Grenadës në vitin 1492. Shkrimtari këtu pasqyron perspektivën e re të spastrimit etnik të hebrenjve dhe myslimanëve të Andaluzisë në fund të shekullit XV (më 1492 Ferdinandi dhe Izabela sollën Ediktin e përjashtimit për hebrenjtë dhe myslimanët e Spanjës). Rënia e Grenadës mavare tregohet nga sytë e arabëve – temë me të cilën, po ashtu, merret autori Tarik Ali, në veprën e tij “Hijet e shegës” (Shadows of the Pomegranate Tree, 1992). Tarik Ali, sikur edhe Malufi, e lëshon vendlindjen e vet për të jetuar në Londër – ku spikatet si një ndër majtistët më të njohur të botës, me shumë shkrime historike-politike dhe pesë novela të njohura: “Kuinteti Islamik” (në origjinal The Islam Quintet: Shadows of the Pomegranate Tree, The Book of Saladin, The Stone Woman, A Sultan in Palermo, Night of the Golden Butterfly).
Kënga “Street Fighting Man” e grupit legjendar “The Rolling Stones” i është kushtuar Tarik Ali-ut.
Në këtë frymë, novelat e Malufit që ndërlidhen me periudhën pas Kryqëzatave e deri në ditët e sotme gërshetohen me novelat e ”Kuintetit Islamik” të Tarik Ali-ut, që fillon në Spanjën mavare në shekullin XV dhe përfundon në Lahorë, Londër, Paris dhe Kinë në shekullin XXI. Tarik Ali shprehet: “Evropa ishte më e mirë, ndërsa kulturat islame, hebrenjtë dhe të krishterët bashkëpunonin mes vete gjithnjë e më mirë”.
“Leoni Afrikan”, po ashtu prek periudhën e okupimit të përgjakshëm të Kajros nga ana e osmanëve në vitin 1517 dhe të Romës gjatë momenteve më të bukura të Rilindjes, por edhe gjatë shkatërrimit dhe plaçkitjes së qytetit nga ana e Karlit V, më 1527.
Tema e bashkëjetesës mes kulturave dhe traditave të ndryshme është thelbësore në këtë novelë si edhe në mbarë letërsinë e tij.
“Unë jam biri i rrugës, vendi im është një karvan dhe jeta ime është udhëtimi më i papritur. Unë i përkas tokës dhe zotit dhe tek ata një ditë së shpejti do të kthehem(Leoni Afrikan).
Bijtë e rrugëve, frazë që i referohet mërgimtarëve, diçka e njohur në mjedisin tonë shumë mirë, duke pasur valë mërgimesh madje çdo 15-20 vite për shkaqe ekonomike-politike ose anasjelltas. Mërgimi është tema që e përkufizon mjedisin tonë, kështu që novelat e Malufit, në një mënyrë, janë përshkrim i përjetimeve tona individuale apo kolektive. Nëse jeni nga trevat shqiptare në Mal të Zi, shumë lehtë e keni të identifikoheni me fatet e personazheve të novelave të Malufit, ose me frymën e kohës së shtjelluar në esetë e tij socio-historike.
(vijon)
