Njohje nga afër e krijimtarisë letrare të shkrimtarëve
të ftuar

Në këtë mbrëmje letrare të ftuar ishin shkrimtarë/e të spikatur/a nga Kraja, Shkodra, Malësia dhe Kosova, si: Fran Camaj, Anton Gjuravçaj, Zija Vukaj, Mimoza Rexhvelaj, Majlinda Bregasi, Fiqeret Mujeziqi dhe Rrok Berishaj

Traboin – Në fshatin Traboin të Bashkësisë Lokale të Hotit, në një ambient të hapur e të freskët u organizua mbrëmje letrare në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi”, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i admiruesve të fjalës së shkruar dhe i personaliteteve të fushave të ndryshme jetësore, e bashkëatdhetarë nga diaspora.
Në këtë mbrëmje letrare të ftuar ishin shkrimtarë/e të spikatur/a nga Kraja, Shkodra, Malësia dhe Kosova, si: Fran Camaj, Anton Gjuravçaj, Zija Vukaj, Mimoza Rexhvelaj, Majlinda Bregasi, Fiqeret Mujeziqi dhe Rrok Berishaj.
Moderatori i mbrëmjes, Nikollë Berishaj në hapje të këtij evenimenti kulturor theksoi se shoqata “Ilyricum” para dy dekadash e kishte filluar një veprimtari letrare pikërisht mu te Kroni i Traboinit, me dëshirën që një takim i tillë të bëhet tradicional.
“Atë kohë nuk kishim komunë, ishin kohë të vështira për ne, por kohë që duheshin shfrytëzuar pikërisht në fushën e kulturës. Me javën e kulturës 2000 dhe 2001 menduam se i vendosëm themelet e një tradite. Vitin e kaluar, Komuna e Tuzit duke parë vlerën e asaj që punuam dikur si shoqatë, vendosi që ky takim të bëhet tradicional, dhe ja është viti i dytë që organizohet manifestimi “Takohemi te Kroni i Traboinit”, u shpreh moderatori i mbrëmjes, Nikollë Berishaj.
Ai më tej ka bërë prezantimin e shkrimtarëve të pranishëm, jetëshkrimin e tyre dhe veprat letrare të secilit, veç e veç.
Nga ana tjetër, shkrimtarët duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatorit, i sollën publikut një njohje më në detaje të krijimtarisë së tyre të pasur letrare. Ata gjithashtu lexuan pjesë të ndryshme si poezi dhe prozë nga veprat e tyre letrare.
Ndërkaq, gjatë kësaj mbrëmjeje u shpalos ekspozita e pikturave, “Kolonia Artistike – Gjelosh Gjokaj”, ndërsa në fund është shtruar një koktej modest.
Ky është viti i dytë me radhë që Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit organizon mbrëmje letrare në të njëjtin vend, te Kroni i Traboinit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat