Një vepër madhore që zbardh të vërtetën e historisë sonë

“Ky është një libër që është vështirë të lexohet dhe të jesh i qetë. Pra, nuk është nga ata libra që ofrojnë kënaqësi leximi. Jo! Nuk është nga ata libra që mund të lexohen dhe të të mos trazohet natyrshmëria njerëzia. Në një gjendje të tillë trazimi madje ka kaluar edhe vetë autori teksa i ka renditur rreshtat që tregojnë faktet se si serbët dhe malazezët bënë gjenocid mbi popullin tonë, mbi njerëzit paqësorë, mbi njerëzit e pafajshëm”, ka thënë gazetari Imer Pantina

Botimi “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” i autorit Rrustem R. Berisha është përuruar më 28 prill 2023, në Librarinë “Ulqini”. Ky botim përbëhet prej tre vëllimeve dhe është rezultat i punës 15-vjeçare të autorit.
Berisha ka kritikuar institucionet që, sipas tij, nuk po e bëjnë punën në dokumentimin e gjenocidit serbo-malazeze ndaj shqiptarëve përgjatë historisë.
“Ka shumë autorë të huaj që kanë shkruar për gjenocidin, por fatkeqësisht institucionet tona nuk janë duke e bërë punën, duhet ta themi hapur”, është shprehur ai.
Autori ka falënderuar diasporën nga Malësia në SHBA, që e ka ndihmuar në botimin e librave.
Ai ka thënë se “krejt puna rreth dokumentimit të kësaj teme është duke u bërë në baza vullnetare të studiuesve, atdhetarëve që kanë përkushtim të madh ndaj çështjes kombëtare”.
Berisha ka theksuar se nëse e shohim historinë reale të shqiptarëve, është fat i madh që kemi mbijetuar për shkak se shtetet fqinje gjatë të gjitha periudhave kanë hartuar politika dhe projekte shfarosëse ndaj shqiptarëve.
“Nuk është një periudhë, as nuk është një dekadë, as nuk është një qeverisje, por është gjithmonë ajo politika konstante e tyre me projekte shfarosëse. Gjithë potenciali i tyre, potencial që unë mendoj se është antinjerëzor, është fokusuar në politikat e tyre për shfarosjen e kombit shqiptar”, është shprehur ai.
Duke folur për librin, gazetari Imer Pantina ka thënë se bëhet fjalë për një libër historik që “zgjon” nga arkivat e fjetura të vërtetën e gjenocidit serbo-malazez mbi një popull paqësor.
Ai ka thënë se botimi “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” përbën një vepër madhore që zbardh të vërtetën e historisë sonë.
Sipas tij, “atë që nuk po e bëjnë institucionet, po e bëjnë individët sikurse Rrustem Berisha, me vetiniciativë dhe me përkrahjen vetëm të miqve dhe të dashamirëve të librit dhe historisë sonë kombëtare”.
Më tej Pantina ka theksuar se ky është një libër që duke e pasqyruar të vërtetën për krimet serbo-malazeze të bëra në trojet shqiptare, i vë në sipërfaqe gënjeshtrat e fabrikuara nga Akademia Serbe, me përkrahjen e shtetit gjenocidal serb.
Ai ka thënë se ky është një libër që është vështirë të lexohet dhe të jesh i qetë.
“Pra, nuk është nga ata libra që ofrojnë kënaqësi leximi. Jo! Nuk është nga ata libra që mund të lexohen dhe të të mos trazohet natyrshmëria njerëzia. Në një gjendje të tillë trazimi madje ka kaluar edhe vetë autori teksa i ka renditur rreshtat që tregojnë faktet se si serbët dhe malazezët bënë gjenocid mbi popullin tonë, mbi njerëzit paqësorë, mbi njerëzit e pafajshëm…”, është shprehur Pantina.
Për studiuesin Nail Draga, kemi të bëjmë me një libër shumë të veçantë që trajton një periudhë kohore prej 200 vitesh.
Sipas tij, qëllimi final i këtij libri është demaskimi i politikës serbe dhe strategjisë së tyre kolonizuese dhe të spastrimit etnik.
Ai ka veçuar vëllimin e tretë të këtij botimi, që i kushtohet luftës së fundit në Kosovë, në të cilin janë pasqyruar emrat, mbiemrat, masakrat, krimet e kryera në Kosovë bashkë me fotografitë e viktimave.
“Masakrat që janë bërë ndaj shqiptarëve ia kanë tejkaluar edhe nazizmit. Madje e kanë tejkaluar çdo aspekt që mbesin njolla më e madhe e turpit të tyre ndaj shqiptarëve”, ka thënë Draga.
Autori Berisha ka treguar se libri është duke u përkthyer në gjuhën angleze me qëllim që edhe diplomacia dhe opinioni botëror të njihet me përmasat e gjenocidit serbo-malazez ndaj shqiptarëve.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat