Një udhëtim nëpër botën e ndjenjave dhe mendimeve

Që në vargjet e para të këtij libri, lexuesi kupton se nuk ka përpara thjesht një grumbullim poezish të moshës rinore, por një dëshmi të fuqishme të një shpirti që kërkon të flasë dhe të shprehet me gjuhën e artit

Luljeta Avdiu – Cura

Loti i Hënës” është një përmbledhje poetike që vjen nga një autore shumë e re në moshë, nxënëse e klasës së nëntë, por me një shpirt të madh dhe një ndjeshmëri të veçantë letrare. Që në vargjet e para të këtij libri, lexuesi kupton se nuk ka përpara thjesht një grumbullim poezish të moshës rinore, por një dëshmi të fuqishme të një shpirti që kërkon të flasë dhe të shprehet me gjuhën e artit.
Në thelb, ky libër është një udhëtim nëpër botën e ndjenjave dhe mendimeve të autores. Në poezinë “Dora jote, hapi im” kushtuar nënës, lexojmë vargjet:
“Ti je babai, ti je nëna, ti je bota ime,
Në sytë e tu gjej forcën, në çdo moment, çdo çast”.
Një shprehje e sinqertë dhe e pastër që i jep poezisë një ngrohtësi të veçantë, duke e ngritur kështu nënën në piedestalin më të lartë. Po kështu, në poezitë “Babi im i dashur”, “Gjyshes” dhe “Gjyshi im i dashur”, familja paraqitet si strehë shpirtërore dhe burim i pandërprerë dashurie. Në këto poezi ndjehet një ngrohtësi e veçantë familjare, që e bën lexuesin të kthehet te rrënjët e veta. Figura e babait është e paraqitur si mbrojtës dhe mik i ngushtë, dikush që jep këshilla, kurajë dhe forcë morale. Kjo dashuri e sinqertë fëmijërore për babanë është e rrallë, dhe tek autorja shfaqet pa kufi.
Po aq prekëse është edhe lidhja me gjyshërit. Në poezinë “Gjyshes”, autorja kujton me mall ninullat, përkëdheljet dhe kujdesin e saj: gjyshja shfaqet si ruajtëse e dashurisë dhe e urtësisë, si një strehë ku fëmija ndjehet i sigurt. Ndërsa në “Gjyshi im i dashur”, figura e gjyshit vjen me tiparet e mençurisë, të këshillës së urtë dhe të ngrohtësisë që buron nga përvoja e jetës.
Këto poezi nuk janë vetëm shprehje e dashurisë për njerëzit më të afërt, por edhe pasqyrim i traditës sonë familjare shqiptare, ku gjyshërit kanë pasur gjithmonë një rol të veçantë në edukimin dhe rritjen e fëmijëve. Ato nuk japin vetëm dashuri, por transmetojnë edhe përvoja, vlera dhe këshilla, duke u bërë ura që i lidhin brezat.
Një tjetër motiv që përsëritet është kujtimi i fëmijërisë. Në poezinë “Fëmijëria”, ajo shkruan:
“O fëmijëri, ti ikën shpejt,
Por kujtimet mbeten gjithmonë.
Si një diell që ndriçon lehtë,
Në zemrat tona përgjithmonë”.
Kjo poezi dëshmon aftësinë e autores për të ruajtur brenda vargut thjeshtësinë e përjetimit dhe forcën e kujtimit.
Libri shkon përtej temave personale. Poezitë “Jeta si një lumë”, “Rruga e njeriut” apo “Udhëtimi i shpirtit” na sjellin reflektime filozofike mbi kuptimin e jetës, mbi kohën dhe sfidat. Në këto vargje, pjekuria poetike e autores bëhet e dukshme: ajo arrin ta shohë jetën jo vetëm si një varg çastesh gëzimi e dhimbjeje, por si një udhëtim ku çdo pengesë shërben si mësim. Në “Jeta si një lumë”, autorja e sheh jetën si një rrjedhë të pandalshme, që nis nga fëmijëria plot gëzim e shkon drejt detit të pafund. Ujërat e qeta dhe shkumëzimet e vrullshme simbolizojnë momentet e qeta e sfidat që na forcojnë. Mesazhi është i qartë: çdo pengesë është mësim dhe e forcon shpirtin.
Poezia “Rruga e njeriut” e çon më tej këtë reflektim, duke treguar se çdo hap i jetës është histori më vete. Njeriu nuk është vetëm qenie që jeton ditët e tij, por një rrëfim që shkruhet përditë me ëndrra, frikë dhe zgjedhje. Çdo hap, sado i vogël, mbetet i çmuar.
Ndërsa në “Udhëtimi i shpirtit”, fokusi kalon nga jeta e jashtme tek ajo e brendshme. Autorja na kujton se udhëtimi më i rëndësishëm është ai i shpirtit – rrugëtimi drejt vetëdijes dhe kuptimit të brendshëm. Ajo nënvizon se jeta nuk është thjesht të jetosh, por të kuptosh domethënien e çdo hapi.
Këto tri poezi krijojnë një bosht të përbashkët, ku jeta shihet si rrugëtim i jashtëm dhe i brendshëm njëkohësisht. Ato dëshmojnë se, edhe pse shumë e re në moshë, autorja arrin të prekë pyetje të mëdha universale mbi kuptimin e jetës dhe udhëtimin e njeriut në kohë.
Natyra ka një vend të rëndësishëm në këtë libër. Në “Agimi mbi mal”, natyra përshkruhet me personifikim të gjallë: nata si një mbret i vjetër që largohet dhe dielli si një princ i guximshëm që nis sundimin e tij. Në “Deti natën me hënën”, deti dhe hëna shfaqen si dy dashnorë të fshehtë, duke na treguar aftësinë e autores për t’i përzier ndjenjat njerëzore me imazhe të natyrës.
Në poezitë e autores edhe dhimbja dhe zhgënjimi janë të pranishme, por gjithmonë të shoqëruara me shpresë. Në “Thikë pas shpinës”, pasi përshkruan plagët e shkaktuara nga fjalët e rënda, autorja e mbyll me një mesazh fuqizues:
“Ti je më i fortë se fjalët e tyre,
dhe dashuria jote për veten është një armë,
që asnjëri nuk mund të ta marrë”.
Në tërësi, “Loti i hënës” është një libër që pasqyron botën e pasur të ndjenjave të një vajze të re, e cila di të shohë me sy të pastër, të ndiejë me zemër të ndjeshme dhe të shprehë me fjalë të sinqerta. Poezitë e tij janë një ndërthurje e dashurisë, kujtimeve, reflektimeve dhe shpresës, duke dhuruar te lexuesi një përvojë të ngrohtë e të paharrueshme.
Ky libër është një dëshmi se krijimtaria e mirëfilltë nuk njeh moshë, por shpirt. “Loti i hënës” është zëri i freskët i një autoreje që sapo ka nisur rrugën e saj letrare dhe që, pa dyshim, do të ketë shumë për të thënë në të ardhmen.

Të fundit

më të lexuarat