Një udhëtim filmiknë kujtesën dhebashkëjetesën

Filmi dokumentar, i prodhuar me përkushtim dhe ndjeshmëri, sjell në vëmendje historitë e njerëzve të zakonshëm, kujtimet e brezave dhe përvojat e përbashkëta që e kanë formësuar identitetin kulturor. Dokumentari përçon një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e multikulturalizmit si një vlerë e patjetërsueshme në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse

Plavë – Pas një promovimi të suksesshëm në Ulqin (Anë të Malit), dokumentari me tematikë ndërkulturore “Burimet e së kaluarës – fuqia e multikulturalizmit” u prezantua edhe në qytetin e Plavës, të premten, më 23 maj 2025, në sallën e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”. Kjo ngjarje kulturore shënoi një moment domethënës në afirmimin e trashëgimisë së përbashkët mes dy qyteteve me histori të ndërlidhur – Ulqinit dhe Plavës.
Filmi dokumentar, i prodhuar me përkushtim dhe ndjeshmëri, sjell në vëmendje historitë e njerëzve të zakonshëm, kujtimet e brezave dhe përvojat e përbashkëta që e kanë formësuar identitetin kulturor. Dokumentari përçon një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e multikulturalizmit si një vlerë e patjetërsueshme në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Promovimi u organizua nga SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë “Husein Bashiq” – Plavë dhe pjesëmarrjen e Organizatës Turistike të Ulqinit. Ky partneritet ndërinstitucional u cilësua si një shembull pozitiv i fuqisë së bashkëpunimit përmes kulturës dhe artit.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e SOS Telefonit në Ulqin, Hatixhe Nelaj, shprehu kënaqësinë që ky projekt, i cili ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve, po gjen jehonë edhe në Plavë.
“Ky dokumentar sjell një rrëfim të ndjeshëm dhe të fuqishëm. Përmes dëshmive autentike, ai nënvizon vlerën e respektit të ndërsjellë dhe fuqinë e multikulturalizmit si themel i kohezionit shoqëror. Është një ftesë për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi, sidomos në kohën kur dialogu ndërkulturor është më i nevojshëm se kurrë”, theksoi ajo.
Në emër të Organizatës Turistike të Ulqinit përshëndeti Zana Sarvan, e cila vuri në pah rëndësinë e lidhjeve historike dhe kulturore midis Ulqinit dhe Plavës.
“Ky dokumentar do të shërbejë si një material i vlefshëm promovues në çdo panair dhe platformë ndërkombëtare ku prezantohet Ulqini si destinacion turistik me trashëgimi të pasur kulturore”, ka thënë ajo.
Në këtë promovim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave të shoqërisë civile, si dhe qytetarë të shumtë nga Plava dhe rrethina, të cilët ndoqën me interes të veçantë dokumentarin dhe reflektuan mbi mesazhet e tij.
Pas shfaqjes së filmit, u zhvillua një diskutim i hapur mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe fuqizimin e bashkëjetesës në kontekstin e sfidave moderne. U nënvizua rëndësia që projekte të tilla të gjejnë përkrahje institucionale dhe të shndërrohen në platforma të qëndrueshme për dialog ndërkulturor.
Në përmbyllje të aktivitetit, organizatorët ndanë mirënjohje për mikpritësit institucionalë të Plavës, si një shenjë falënderimi dhe respekti për përkrahjen e tyre. Më pas, të pranishmit u ftuan në një koktej rasti me ëmbëlsira tradicionale të Ulqinit, duke i dhënë kështu një shije autentike kësaj ngjarjeje që ndërthurte historinë, kulturën dhe bashkëjetesën.
Ulqini dhe Plava, ndonëse të ndara nga distanca gjeografike, mbeten të bashkuara në frymë, në histori dhe në trashëgimi.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat