
Sa herë që dikush nga jashtë, kur ka ardhur në Ulqin, më ka pyetur për ndonjë vend (restorant) ku mund të hahet ushqim tradicional, më ka zënë disi ngusht, sepse nuk kam ditur t’i jap përgjigje!
Duke mos pretenduar në asnjë mënyrë se i njoh mirë restorantet e Ulqinit, më parë i kisha sugjeruar të shkojë në ndonjë shtëpi ulqinake sesa në ndonjë restorant, ku krahas ushqimeve tjera mund të gjesh aty-këtu edhe ndonjë ushqim karakteristik të Ulqinit.
Në restorantet tona mund të gjeni ushqime të shumë kuzhinave të tjera, gjë që nuk ka asgjë të keqe, por do të gjeni fare pak ose aspak nga kuzhina e Ulqinit! A nuk është ky një absurd, ashtu sikurse absurdi tjetër që sot në restorante, me ndonjë përjashtim, shërbehen ullinj nga vende të tjera kur ne kemi ullishtat (ullinjtë) tona dhe njihemi si vendi i ullirit?!
Nuk kam asgjë kundër së huajës, sepse tekefundit, shijet janë të ndryshme, por duke respektuar veten, në këtë rast kuzhinën tradicionale të Ulqinit, respektojmë edhe edhe të tjerët.
Çuditemi kur në ndonjë panair të ushqimit apo në ndonjë koktej të përgatitur (nga femrat ulqinake) me ushqime tradicionale, saqë e pyesim veten: a vetëm nëpër aktivitete të tilla duhet të prezantohen ushqimet tona tradicionale?!
Kuzhina është pjesë e traditës dhe e trashëgimisë sonë, siç vërejnë me të drejtë autoret në fjalën hyrëse të librit. Kjo traditë, e përcjellur brez pas brezi nga femrat (ulqinaket) duararta – stërgjyshet, gjyshet, nënat, motrat tona ka nevojë që të ruhet dhe të kultivohet. Prandaj edhe ky libër është pjesë e kësaj përpjekjeje, një thirrje që të mos e humbim diçka që e kemi.
Libri është edhe një thirrje për t’iu rikthyer traditës, e cila ashtu si krijohet edhe humbet.
Ne sot themi se e kemi traditë detarinë. Unë them se e kemi pasur, por që dalëngadalë fatkeqësisht po e humbasim. Prandaj nuk jam i sigurt se si do të ishte më mirë ta titulloj këtë vështrim timin të shkurtër për librin: “Rikthimi ndaj traditës” apo “Tradita që po e humbim”?!
Është edhe një thirrje ndaj të gjithë atyre që merren me gastronomi apo kulinari (pronarëve të restoranteve), që medoemos ta bëjnë kuzhinën e Ulqinit pjesë të menysë së restoranteve të tyre.
Libri është dëshmi e pasurisë së madhe dhe e llojllojshmërisë së ushqimeve të kuzhinës ulqinake.
Unë për vete, duke lexuar dhe korrigjuar dorëshkrimin kam mësuar për gjellë të reja, artin e kuzhinës së Ulqinit, mjeshtërinë e gatimit të femrave etj.
Si njëri prej redaktorëve gjuhësorë të librit, ndonjëherë jam gjetur përpara dilemës nëse duhet të përdorim gjuhën letrare apo vendore për emërtimin e disa ushqimeve. Pse? Sepse libri i drejtohet një lexuesi më të gjerë, jo vetëm atij të Ulqinit. Dhe mendoj se është gjetur një zgjidhje e mirë, duke përdorur në disa vende të dy variantet gjuhësore.
Ashtu si ushqimi që përpos përgatitjes ka nevojë pak edhe për dekorim, edhe ky libër përpos përmbajtjes është përgatitur shumë bukur edhe teknikisht.
Ky libër, krahas disa librave të tjerë që tashmë janë botuar në fushën e kulinarisë së Ulqinit dhe atyre që do të botohen në të ardhmen, e bën të pavdekshme traditën e kuzhinës ulqinake.
Në fund, përgëzoj autoret për librin. Mendoj se pritja ia ka vlejtur (e them këtë duke pasur parasysh faktin se libri ka disa vite që ka filluar të punohet), sepse në fund ka dalë një produkt i mirë dhe cilësor. Në mënyrë figurative, si ajo gjella që duhet të presësh gjatë për ta përgatitur, por pasi që përfundon gatimi kënaqesh me shijen e saj.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Bibliotekën e Qytetit – Ulqin, më 22 nëntor 2021)
