Ulqin – Romani “Legjenda e vetmisë” i shkrimtarit Ridvan Dibra, i përkthyer në gjuhën malazeze nga Danillo Brajoviq dhe i botuar në dy gjuhë (shqipe dhe malazeze) nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë është përuruar të enjten mbrëma (14 dhjetor 2023) në Librarinë “Ulqini”.
Redaktori i librit Dimitrov Popoviq, njëkohësisht redaktor i botimeve në gjuhën shqipe pranë Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë, ka thënë se për këtë institucion ka qenë kënaqësi e madhe botimi i këtij romani, në kuadër të bibliotekës “Mostovi” (Urat), ku deri tani janë botuar shkrimtarët më eminentë të vendeve dhe rajoneve përreth.
“Është i katërti autor që botohet në dy gjuhë njëherësh, pas Esad Mekulit, Radovan Zogoviqit dhe Zuvdija Hoxhiqit. Autori është i përfshirë në Programin mësimor të Gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në klasën e tetë të shkollës fillore me pjesë nga romani ‘Stina e ujkut’. Kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore që është futur në planin e botimeve të autorëve për literaturën jashtëshkollore. Këtë traditë të mirë po e vazhdojmë rregullisht tash dhjetë vite”, ka theksuar ai.
Popoviq ka theksuar se kemi të bëjmë me një roman psikologjik me ngjyrime ndonjëherë edipale mbi përjashtimin, vetminë dhe hakmarrjen.
“Me një stil të rafinuar, ai e fut lexuesin në mendimet që torturojnë Balën e ri, i cili, që nga vdekja e pashpjegueshme dhe brutale e të atit, duket se është izoluar përfundimisht nga një mjedis jo më pak armiqësor. I bindur se bëhet fjalë për një vrasje dhe se e njeh shumë mirë identitetin e vrasësit të babait të tij, Bala i vogël i kushton kohën e tij fantazimit për hakmarrjen e tij”, ka thënë ai.
Sipas Popoviqit, “shpesh të treguarit në roman merr formën e një poezie lirike, pa rimë, pa varg të përcaktuar në rrokje, që zgjatet ngadalë dhe të fut në ndjenja të paprovuara e të thella”.
Redaktorja tjetër Maja Malbashki ka treguar se romani “Legjenda e vetmisë” është botuar si pjesë e bibliotekës “Mostovi” (Urat), ku botojnë vepra të autorëve të njohur të letërsisë botërore të destinuara për fëmijë, të rinj dhe të rritur.
Ajo ka thënë se “me ndërmjetësimin e përkthyesve më të mirë nga Mali i Zi dhe rajoni, Urat tona lidhin vizione të ndryshme krijuese të botës dhe njeriut në të, forma letrare, stile, gjuhë”.
Malbashki ka pohuar se “duke respektuar nevojat dhe shijet e ndryshme të leximit, adhuruesit e letërsisë malazeze kanë mundësinë të takojnë libra të rrallë, përzgjedhje të jashtëzakonshme nga poezia dhe proza e emrave më të njohur të letërsisë botërore”.
Ajo ka thënë se në përputhje me misionin e Entit si shtëpi botuese shtetërore, dëshirojnë që me këtë bibliotekë të inkurajojnë përkthimin e veprave letrare në Mal të Zi dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një segmenti që mungon në kulturën tonë.
Shkrimtari Dibra ka treguar se ideja për shkrimin e romanit “Legjenda e vetmisë” ka lindur në Podgoricë, kur duke shfletuar një përmbledhje me këngë dhe legjenda të shqiptarëve në Malin e Zi, që ia kishte dhuruar një meshtar nga Tuzi, kishte lexuar vargjet “Nëna djalin ka qorrue,/ Me gjaks t’burrit m’u martue” nga një legjendë e moçme, që ishte mbledhur në një fshat të Krajës.
Ai ka treguar se këto dy vargje e kishin tronditur shumë, duke shtruar pyetjen se çfarë e kishte detyruar këtë grua të kryejë një akt të tillë ndaj gjakut të saj, ndaj mishit të saj?!
“Aty filloi romani. Kjo është natyra e punës sime. Unë e kam problem të filloj një punë dhe pastaj puna ecen”, ka thënë Dibra, duke shtuar se problem pastaj ishte këndvështrimi nëse do ta rrëfente ngjarjen nga këndvështrimi i gruas.
“Unë zgjodha ta shoh problemin nga këndvështrimi i djalit. Kuptohet legjenda thjesht ka shërbyer si fillesë, pastaj është luajtur, është fiksion (trillim) aty”, ka theksuar shkrimtari, duke treguar se disa prej kapitujve të librit janë shkruar në Ulqin.
Duke iu përgjigjur pyetjes së udhëheqësit të përurimit, Dimitrov Popoviq, shkrimtari Dibra ka thënë se përkundër faktit që kritika ka theksuar se kemi të bëjmë me një vepër impersonale, që është jashtë tij, kjo nuk është krejt e vërtetë.
“Në një kuptim, Bala jam unë”, është shprehur ai.
Shkrimtari ka thënë se ka zgjedhur që të shkruajë në gjuhën letrare, me qëllim që gjuha të jetë sa më unifikuese për lexuesit e tij, por në shkrimin e tij ka jo pak konstrukte, leksik dhe sintaksë gege, në varësi të synimeve dhe të gjuhës së personazheve.
“Kjo është zgjedhja ime, një gjuhë sa më unifikuese, në kuptimin që një roman i imi të lexohet edhe në Ulqin, edhe në Mitrovicë, edhe në Shkup, edhe në Tetovë. Ta tërheq lexuesin, pra mos ta përjashtoj lexuesin siç mund të ndodhë me variantin toskë apo gegë”, ka thenë Dibra.
Fragmente nga romani në gjuhën shqipe dhe malazeze kanë lexuar Liriona Mehmeti dhe Sara Iljazi, nxënëse të shkollës së mesme në Ulqin, ndërsa vlerësime për romanin kanë dhënë edhe Dr. Nail Draga dhe Dr. Sabina Osmanoviq.
Ridvan Dibra ka lindur në Shkodër më 9 janar 1959. Është rritur e shkolluar në qytetin e lindjes, ku u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ka punuar arsimtar në Kukës (1982-1987) e gazetar në Shkodër (1988-1994). Aktualisht është pedagog i Letërsisë Post-moderne në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Është autor i mbi tridhjetë veprave në prozë, poezi, dramë, eseistikë e studime. Krijimtaria e tij është vlerësuar me disa çmime kombëtare e mbarëkombëtare. “Legjenda e vetmisë” është shpallur si romani më i mirë i gjuhës shqipe për vitin 2012 në konkursin e rëndësishëm “Rexhai Surroi”. Në vitin 2018, po me këtë vepër, ishte finalist për çmimin “BALLKANIKA”. Pjesë të krijimtarisë së këtij autori janë përfshirë në disa antologji brenda e jashtë Shqipërisë, si dhe janë përkthyer në gjuhët angleze, gjermane, franceze, italiane, rumune, maqedonase, boshnjake, malaziase etj. Për krijimtarinë e tij kanë shprehur konsiderata disa nga emrat më të njohur të kritikës e letrave shqipe, duke e vlerësuar sidomos për frymën novatore. Ridvan Dibra çmohet si njëri prej autorëve më të mëdhenj të gjallë të letërsisë shqiptare.
Përurimi i romanit “Legjenda e vetmisë” është organizuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore – Podgoricë në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
i. k.
