
Duke marrë shkas nga veprat e lexuara më parë të këtij shkrimtari e përfundova me një frymë edhe këtë të fundit me kureshtjen dhe dëshirën për të zbuluar fatin e personazheve dhe zhvillimin e ngjarjeve të veprave të mëparshme.
Veprat e shkruara nga Fran Camaj e them pa drojë mund të konsiderohen si letërsi dokumentare, pra shumica e romaneve të tij e marrin shtysën nga realiteti dhe ngjarje të përjetuara ndër vite në Malësi, pra në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar.
Në romanin “Biseda me gjyshin imagjinar” kemi të bëjmë me një zhanër narrativ të kombinuar me peronazhe reale, por edhe me karaktere imagjinare.Vepra nxjerrë në pah ngjarje të ndryshme të ndërtuara në harkun kohor të të dy shekujve, të kaluarin dhe të tashmin.
Autori përshkruan episode historike përmes personazheve, ku atyre ju lë në dorë të bëjnë edhe rolin e analistëve të shumë ngjarjeve. Referimin e ngjarjeve e kemi tek e kaluara e personazheve, ku rrëfyesi është një dëshmitar okular i shumë situatave në vepër.
Për mua ky roman përbën një rëndësi shumë të veçantë sepse më ka servirur informacion të bollshëm që të kuptoj mjaftueshëm dhe të mësoj më shumë rreth çështjeve të ndryshme, të jetës politike, shoqërore e kulturore këtu në vendin ku jetoj që prej shekullit të kaluar.
Ngjarjet në këtë vepër e kanë fokusin në Malësi, por lidhen nga pak me anë të personazheve edhe me Amerikën e largët ose siç e quan autori në romanin e tij të parë “toka e premtuar”, ajo tokë e cila ndër vite i ka tunduar bashkëvendasit tanë, të cilët e kanë braktisur vendlindjen fizikisht dhe janë vendosur atje për një jetë më të mire. Emigrimi kjo plagë shekullore që i prekë të gjithë shqipëtarët andej dhe këndej kufirit. Pikërisht këtë fat e pati edhe peronazhi kryesor i romanit, Pali.
Gjuha në vepër është e rrjedhshme e kuptueshme me një standard të pastër, aty këtu i përzier nga pak edhe me ndonjë shprehje në dialekt, kjo bën që të lexohet me kureshtje dhe nuk të lën mundësi të shkëputesh pa e përfunduar krejtësisht.
Veprën mund ta konsideroj si përmbledhje të rëndësishme të dhënash, faktesh dhe ngjarjesh nga romanet e mëparshme si: “Rruga e pamëshirshme”, “Mëshira e pamëshirshme” dhe “Njeriu me mjekër të thinjur” dhe përfudimin e fatit të lënë përgjysmë të personazheve në veprat e lartëpërmendura.
Shkrimtari përdor narracionin, përshkrimin dhe dialogun për nxjerrjen në pah të situatave të ndryshme.
Metoda e shkrimit është realiste, pra ngjarjet tregohen me një vërtetësi nga personazhet.
Bisedat e lirshme e shoqërojnë romanin nga fillimi deri në fund saqë të jep përshtypjen që ke në duar një ditar që të informon deri në detaje për çdo gjë që ndodhë dhe do të ndodhë. Autori duket se merr shkas dhe është frymëzuar nga ngjarje të ndryshme në vendlindje ndër vite. Ndeshemi me momente historike të skalitura mjaft bukur me element sa real aq edhe artistik, pra kemi gërshetimin e reales me atë artistiken.
Kemi ndërthurjen e kontrasteve që e shoqërojnë jetën e njeriut, të mirën dhe të keqën, jetën dhe vdekjen, ëndrrën dhe realitetin, pesimizmin dhe optimizmin.
Dy data që bëjnë histori të veçantë dhe shumë të rëndësishme për vendin tonë që autori i ka theksuar në këtë vepër janë: Besëlidhja e Malësisë e vitit 1970 ( të shekullit të kaluar) dhe fitimi i statusit – Tuzi Komunë e plotë në vitet e fundit. Një moment i shumëpritur nga të gjithë ata që e duan vendin e lindjes me zemër.
Camaj duket se është kujdesur që të mos harrojë asnjë pjesë nga e kaluara sepse momentet historike ndër vite në këtë vepër nxjerrin në pah trimërinë e malësorëve, të këtyre njerëzve që nuk u përkulën kurrë ndaj armikut, por qëndruan stoik edhe pse u përballën me sfida dhe tragjedi të ndryshme.
Përveç ngjarjeve historike në vepër autori nxjerrë në pah zakonet dhe traditat malësore në kohët e kaluara, duke treguar me kujdes rëndësinë e festave fisnore të besimit të krishterë ashtu edhe atij islam dhe bashkëjetesën fetare në një harmoni të plotë ndërmjetet njerëzve të të dy besimeve.
Pali, personazhi kryesor i romanit është skalitur aq bukur nga autori duke vënë në pah vlerat e tij si njeri intelektual dhe atdhedashës i cili nuk u dorëzua anjëherë edhe pse jeta e vuri shpeshherë me shpatulla mbas muri, por gjithmonë në plan të parë kishte vendin e lindjes dhe kjo u pa edhe në dy romanet e para të autorit “Rruga e pamëshirshme “ dhe “Mëshira e pamëshirshme”.
Në veprën “Biseda me gjyshin imagjinar”, duket se jeta e tij tashme ka marrë një kthesë komplet tjetër, kthehet nga Amerika në vendlidje me dëshirën të pushojë në vendin e tij dhe të gjejë atë qetësinë e munguar ndër vite sepse tashmë është edhe në një moshë të thyer. Kthimi në vendin e origjinës e bën Palin edhe më të ndjeshëm sepse e shikon se jeta ka ndryshuar në shumë aspekte dhe njerëzit nuk janë më siç kanë qenë më përpara, kjo e bën personazhin të vuajë edhe më shumë. Ai shprehet se vdekja nuk përbën më frikë për të, përkundrazi e mirëpret, por shqetësimi më i madh i shpirtit të tij është vetmia.
Përshkrimi i detajuar i situatës së COV -19 nëpërmjet bisedave me gjyshin imagjinar, ku autori e rrëfen gjendjen e shkaktuar nga pandemia në mënyrë të përpiktë dhe izolimin nga ky armik i padukshëm i cili e kaploi krejt globin, megjithatë Malësia e kaloi edhe këtë sfidë duke qenë e bashkuar dhe korrekte gjatë kohës së izolimit.
Interesante është mënyra e bashkëbisedimit të personazhit, Pali me gjyshin ( i cili ka vite që ka vdekur) dhe figura e tij është thjeshtë e skalitur në imagjinatën e Palit dhe shfaqja e tij jepet jo vetëm në këtë roman, por edhe në disa romane të tjera ku figura e gjyshit ka qenë në mbështetja dhe udhërrëfimi i jetës së Palit, kur i është dashur të përballet me shumë sfida në kohë të ndryshme, por i ka kaluar ato me shumë zgjuarsi dhe dinjitet.
Autori i ka dhënë gjyshit një rol shumë të rëndësishëm edhe pse një personazh imagjinar, por shpeshherë të jep përshtypjen se është qendra e krejt veprës si rrëfyes i shumë ngjarjeve nga e kaluara historike dhe si mësues në rrugëtimin e jetës së Palit (karakterit kryesor) dhe analizuesi i shumë situatave dhe çështjeve të ndryshme në roman. Tashmë paralajmërimi i tij që ka ardhur
për herë të fundit ta takojë nipin që duket se është në momente shumë të vështira para fundit të jetës së tij. Siç shprehet edhe Pali asnjëherë nuk e ka ndjerë veten më ngusht sesa tani. Vetmia po ia gërryen shpritin e tij dhe shkaku është virusi, ky kalvar i fundit që po kalon, e ka lodhur shumë personazhin. Shfaqja e gjyshit në këto momente duket se ja lehtëson sadopak vuajtjet personazhit.
Shikojmë një rrjedhshmëri dhe korrelacion të theksuar në mes dialogut të gjyshit (imagjinar) dhe Palit, ku shtjellimi i ngjarjeve jepet në mënyrë kronologjike nga autori, pra ato pasojnë njëra – tjetrën.
Shkrimtari e ka përdorë retrospektiven si teknikë kompozicionale letrare.
Gyshi na rrëfen për jetën dhe vuajtjet e tij, duke na kthyer pas në kohë me dekada, por gjithashtu edhe Pali kthehet herëpashere në kujtimet e të kaluarës.
Një pjesë të rëndësishme në roman zënë edhe fjalët e urta dhe shprehjet frazeologjike që janë autoktone të zonës së veriut.
Malësoret përveç trimërisë, burrërisë dhe besës kanë pasë shprehje interesante dhe shumë domethënese me një filozofi dhe kuptim të thellë, duke qenë se dialekti i gegnishtes është mjaft i pasur me fjalë dhe autori i ka sjellë gjalla siç i ka përdorë populli ndër vite, por edhe tani.
“Bukë e krypë e zemër” kjo përfaqëson në vetvete malësoret dhe mikpritjen e tyre të madhe me aq mundësi sa ata kanë patur, por ama me zemër.
Një thënie tjetër që më ka bërë përshtypje është: “Merre me mend jetën kur e dëshiron vdekjen”
Këtu duket qartë sa e madhe ka qenë vuajtja dhe para çfarë vështirësishë janë vendosur njerëzit saqë i luteshin Zotit tua merrte jetën sepse vdekja për ta ishte shpëtim.
“Burri mund të bëjë vepra të mira dhe të quhet i mirë gjatë gjithë jetës, por për një ditë edhe para fundit mund ti prishë të gjitha”
Kjo thënie tregon qartë rëndësinë e madhe që malësorët i kanë dhënë nderit dhe ruajtjes së tij deri në maksimum sepse një ditë mjafton ta shkatërrojë atë që njeriu e ndërton gjithë jetën.
“N’dasht se asht sokol (dai për femrat) e muj me bajtë” Pra mjafton që njeriu është i pashëm pavarësisht, mendjes së madhe dhe primitivizmit të tij.
“Syni i njeriut âsht si uji, që përpin çdo gjâ e nuk gihet kurrë”
Lakmia kjo sëmundje e rëndë e egos e aktuale në jetën e përditshme, fatkqësisht ekzistojnë njerëz të tillë që nuk mjaftohen kurrë me gjërat që kanë.
“Senja e tretun e shpirti i bjerrun” , “Kija inatin e folja hakun” dhe shumë e shumë shprehje të tjera të cilat kanë një rëndësi të madhe gjuhësore për ruajtjen e idiomit të Malësisë.
Si përfundim, romani përbën vlera shumë të mëdha letrare dhe historike. Është me rëndësi që të lexohet sidomos nga brezi e ri që të informohen dhe të mësojnë shumë gjëra të cilat mendoj se janë të rëndësishme të dihen. Në qoftë se nuk i njohim traditat dhe nuk e dimë historinë e vendit tonë atëherë mund të cilësohemi si popull i varfër.
Malësorët ndër shekuj kanë vuajtur, janë ndeshë me probleme të shumta politike dhe sociale dhe po të mos të kishin qenë të ata të cilët kanë luftuar, sakrifikuar dhe flijuar jetën dhe çdo gjë tjetër për të mirën e vendit, ndoshta sot nuk do të flitej shqip në këto treva.
Historinë nuk e fshehim dot. Ajo është e destinuar të dalë në dritë edhe pse na ka ardhë në një formë tjetër, nëpërmjet letërsisë. Kuptohet qartë qëllimi i autorit dhe dëshira e tij të ndajë me lexuesin shumë informacione të akumuluara ndër vite, të lidhura me vendlindjen dhe fatin e bashkëvendasve të tij, ku siç shprehet vetë ai në pasthënien e romanit, shumë ngjarje i ka përjetuar personalisht dhe për shumë të tjera ka qenë dëshmitar tyre.
E përgëzoj shkrimtarin për këtë vepër!
