Një punë voluminoze

Monografia “Institucionet islame dhe imamët e Krajës“ ka 420 faqe, është një libër mjaft voluminoz brenda kopertinave të të cilit autori ka shpalosur material të bollshëm, ku mes tjerash, pa asnjë dyshim zënë vend të konsiderueshëm jeta dhe veprimtaria e 78 imamëve nga Kraja dhe nga viset tjera që kanë shërbyer në xhamitë e Krajës ndër vite

Ali Gjeçbritaj

Kur më ra në dorë monografia “Institucionet islame dhe imamët e Krajës” e autorit Hamid Alaj, të them të drejtën, u gëzova shumë. Diçka për këto institucione kisha lexuar në periodikët e kohës e sa për imamët edhe kisha dëgjuar dhe disa sish edhe i kam njohur dhe i njoh. Kur e hapa librin, qysh në pamje të parë pashë se autori ka bërë një punë të madhe. Me sa jam në dijeni, deri më sot askush nuk ka shkruar një monografi të këtij lloji në Krajë. Pra, lirisht mund të them se brenda kopertinave të monografisë, mbase e vetmja e këtij lloji për institucionet islame dhe imamët që kanë shërbyer në Krajë, lexuesi mund të lexojë dhe të mësojë shumë gjëra që nuk i kemi ditur e që autori na i jep në libër.
Në fillim të librit autori flet për përhapjen e islamit në Krajë, ku në katër faqe ai na jep njohuritë fillestare mbi përhapjen e “fesë së re“, siç shprehet ai, në këto troje.
Vazhdon me ngritjen e institucioneve islame në trevën e Krajës. Kur përdorim fjalën “institucion”, ajo siç dihet ka kuptimin e organizimit shoqëror që e zhvillon veprimtarinë e vet në një fushë të caktuar. Në rastin konkret bëhet fjalë për organizimin e edukimit islam në trevën e Krajës. Në disa dhjetëra faqe, autori lexuesin e njofton me përhapjen e institucioneve në fjalë në Krajë.
Xhamitë (faltoret), sipas autorit, janë institucione islame. Fjala “xhami” ka kuptimin e faltores për ndjekësit e fesë islame. Alaj i ofron lexuesit të dhëna historike lidhur me ndërtimin e tyre, arkitekturën, kohën kur janë ndërtuar, materialin ndërtimor, rindërtimet dhe meremetimet etj. Na jep të dhëna të mjaftueshme edhe për kohën kur janë ngritur këto faltore e kështu me radhë. Vazhdon ai edhe për ngritjen e mejtepeve (fjala “mejtep” është fjalë arabe që ka kuptim të dyfishtë. Kuptimi i parë ka të bëjë me emërtimin e shkollës, kurse kuptimi i dytë në rastet më të shpeshta ka pasur domethënien e shkollës fillore myslimane).
Në kapitullin e pestë autori përshkruan, përkatësisht jepen të dhëna për imamët, personalitetet autoritative në komunitet dhe vazhdon me biografitë e tyre. Për secilin imam jepen të dhëna nga jeta, puna dhe veprimtaria fetare dhe shoqërore etj. e imamëve me origjinë nga Kraja, të cilët kontributin e vet e kanë dhënë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, kuptohet në rend të parë në predikimin dhe edukimin fetar islam. Këtu janë shënuar biografitë e 25 imamëve.
Pastaj autori na jep edhe emrat dhe biografitë e 26 imamëve që nuk kanë qenë (nuk janë) nga Kraja, por që kanë shërbyer ose shërbejnë në xhamitë e Krajës ndër vite.
Një vend të veçantë në vistrën e këtyre hoxhallarëve zënë edhe 27 imamë që kanë qenë ose janë nga Kraja e shërbesat e veta fetare i kanë bërë në vendlindje. Mos qofsha gabim, me aq sa unë kam njohuri dhe i kam njohur dhe sot i njoh, më rezulton se mungojnë emrat dhe biografitë e dy imamëve.
Një kapitull të veçantë të librit autori Hamid Alaj ia ka kushtuar edhe vakëfëve të xhamive të Krajës. Për ta pasur më të qartë kuptimin e fjalës “vakëf” (në Krajë thuhet “vakuf”), sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe fjala “vakëf” ka kuptimin e pasurisë së patundshme, që është pasuri e një xhamie, e një kishe, e një teqeje a e një manastiri. Pra, vend i shenjtë sipas përfytyrimeve mistike fetare. Për secilën xhami në Krajë autori Alaj na jep të dhëna për pasuritë që kanë pasur në të kaluarën.
Monografia “Institucionet islame dhe imamët e Krajës“ ka 420 faqe, është një libër mjaft voluminoz brenda kopertinave të të cilit autori ka shpalosur material të bollshëm, ku mes tjerash, pa asnjë dyshim zënë vend të konsiderueshëm jeta dhe veprimtaria e 78 imamëve nga Kraja dhe nga viset tjera që kanë shërbyer në xhamitë e Krajës ndër vite.
Për hartimin e monografisë, autori Hamid Alaj ka shfytëzuar burime të ndryshme, si bie fjala burime njerëzore (biseda, intervista, konsultime me njerëz), literaturë të ndryshme, dokumente arkivore etj. Këtë e hetojmë në fusnotat e librit, gjithsej 224 sosh.
Nga këndvështrimi im, me aq njohuri sa kam për materialin brenda librit, gjatë leximit dhe studimit të materialit kam vërejtur disa mangësi gjuhësore (të natyrës fonetike), të cilat redaktori gjuhësor është dashur t’i ketë parasysh. Nuk më takon mua që të flas lidhur me këto, por besoj se as autori e as redaktorët nuk do të ma marrin për të keq nëse them se në një vepër si kjo dhe të tjera, gjuha e përdorur e shkruar duhet të jetë gjuhë standarde, gjuhë letrare, qoftë ajo gjuhë e së folmes së dialektit të veriut apo të jugut.
Unë po i jap këtu vetëm pak shembuj që i kam hasur gjatë leximit të librit, si bie fjala: Hoxhej, fisi i Hoxhejve, lagjet Ramushej, Vukej, Kanaqej, Berjashej, Kacej, Curej Poshtë, Bolej, Markashej, Lubanej, Kovaçej etj.
Sipas meje, duke konsultuar edhe literaturën gjuhësore dhe letrare, gjithmonë duke marrë parasysh edhe toponominë dhe mikrotoponominë, më duhet të bëj dy vërejtje të vogla, gjithmonë me qëllim të mirë, pa ia ulur aspak vlerën librit.
Është dashur që në vend të Fisi i Hoxhejve të shkruhet fisi i Hoxhajve, Vukaj e jo Vukej, Kanaq – jo Kanaqej, Berjashaj e jo Berjashej, Curaj e jo Curej, Kacaj e jo Kacej, Markashaj e jo Markashej, Kovaçaj e jo Kavaçej (në rastin konkret do duhej të shkruhej Gjurnikaj e jo Kovaçej ngase toponimi Gjurnikaj është vendor e ai Kovaçaj (Kovaçeviq) i imponuar nga pushteti), pastaj Ndrecaj e jo Ndrecej, Balaj e jo Balej, Lubanaj e jo Lubanej etj.
Lidhur me sa u tha më lart, unë pa patur ndonjë pretendim shkencor, kisha dhënë këtë sqarim: se te toponimet dhe mbiemrat që janë cekur më lart dhe në raste të tjera si këto që i hasim në libër, duhet përdorur “aj” e jo “ej” në fund – është diftong dhe prapashtesë. Në të gjitha këto raste “aj” duhet të shprehet si diftong (“aj” – një tingull i përbërë nga a+j, ku është një gjysmë zanore bashkëtingëllore që shqiptohet si një “i” e shkurtër ose e rrëshqitshme: Ndrecaj – Ndrec-aj, Hoxhaj – Ho-xhaj, Curaj – Cu-raj, Balaj – Ba-laj, Lubanaj – Lu-ba-naj etj.) Pra, në të gjitha rastet “aj” është një rrokje dhe përbën një diftong të vërtetë.
Këto janë edhe mbiemra familjarë, të formuar nga emra të përveçëm: Ndrecë, Hoxhë, Cura, Bala, Luban, Kovaç, Markash, Mark, Vuk, Kacë, Ramush etj.
Në raste të këtilla, “aj” është një prapashtesë onomastike që përdoret për të krijuar emra vetjakë. Këto kanë përdorim të gjerë në zonën veriore të truallit shqiptar – Shkodër, Pukë, Dukagjin, Kosovë, Krajë etj. Andaj këto toponime që i ceka në fillim nuk janë të përdorura në gjuhën, as në dielektin verior standard, por në një të folme lokale shumë minore. Përdorimi i diftongut “ej” nuk është formë e njohur e as e dokumentuar në gjuhën standarde shqipe, bile do thoja as në dielektin verior e as në atë jugor.
Më poshtë po jap edhe emërtimet e disa mëhallëve (lagjeve) në Krajë: Lekperaj, Gjurnikaj (Kovaçaj), Dodaj, Priftaj, Gjeçbritaj, Gjençiq, Maxhuraj,Vuçkaj, Perashaj, Berjashaj, Gjenashaj, Curaj, Balaj, Hutaj, Peraj, Lubanaj, Hardaj, Kanaq, Veliq, Qyrjan, Sjerç, Ramushaj, Kacaj, Runj, Likaj, Hajdaraj, Durakaj, Lihar, Aruçaj, Tafaj, Subashaj, Blacë, Kalec, Suliq, Bardhaj, Milaj, Demiraj, Çobaj, Dragoviq, Matguesh, Maraj, Bibaj, Perezaj, Brisk, Ljare, Zogaj, Dedaj, Pepgjon, Mujaj, Gjinaj, Cenaj, Gjelaj, Bogdan etj.
Me vëmendje dhe përqendrim të shtuar e kam lexuar monografinë. Për secilin klerik kam admirim të posaçëm dhe në bazë të asaj që kam lexuar kam konsideratë për punën e tyre, predikimet e tyre në edukimin islam – që kanë dhënë ndër vite në Krajë dhe më gjerë. Posaçërisht edhe për shumë klerikë nga kjo trevë, të cilët kanë shërbyer jashtë Krajës e që prejardhjen e kanë nga ky vend. Në këndvështrimin tim, mbresa më ka lënë Hafiz Ali Kraja. Lidhur me këtë personalitet dua ta ndërlidhi një thënie të Homerit shqiptar, Atë Gjergj Fishta, i cili në një rast pat thënë: “Në rast se ata (Evropa) nuk na duan në nji shtet më vete, pasi thonë se shqyptarët qenkan muslimanë, atëherë na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë me mbrojtë vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!”. Pra, përveç krijimtarisë letrare shihet qartë mbështetja që Fishta jepte për t’i harmonizuar raportet mes feve të shqiptarëve.
Kur ndërroi jetë Patër Gjergj Fishta, Hafiz Ali Kraja ishte një ndër personalitetet e larta që mori pjesë në ceremoninë mortore dhe aty mbajti një fjalim brilant për mikun e tij të çmuar – Atë Gjergj Fishtën.
“Me ty patër Gjergj kombi naltsohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandej sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humjen tande me lot nder faqe, të përcjell me mallnjim e dhimje në jetën e pasosme”.
Kujtojmë se Fishta u varros me nderime të mëdha, më 31 dhjetor 1940. Hafiz Ali Kraja ka qenë një ndër intelektualët e famshëm nga Shkodra, gjë që e dëshmon edhe fjalimi i tij, më i bukuri i mbajtur në raste të tilla.
Për mua, ajo që e bën më të veçantë është fakti se si një klerik islam i thurën një tekst të tillë të lartë një prifti! Kjo na mëson se ata ishin intelektualë të shquar dhe ajo ishte me të vërtetë bashkëjetesë fetare shqiptare, pa asnjë dyshim pasuria më e madhe e kombit tonë.
Unë, Hafiz Ali Krajën e mora si shembull të spikatur, por edhe shumë klerikë të tjerë që janë përfshirë në këtë monografi kanë bërë dhe kanë dhënë po të njëjtën punë dhe kontribut.
Nga ana tjetër, e veçova këtë rast nga vetë fakti se sot për fatin tonë të mirë po rritet një bimë e re edhe këtu te ne, e cila rrënjët i ka te shkenca islame; po dalin klerikë të shkolluar në universitete prestigjoze anekënd botës. Është fat për ne që me daljen e tyre nga këto universitete, po zbulohen shumë të vërteta nga historiku i arsimit dhe edukimit, jo vetëm i atij islam por edhe atij laik kombëtar.
Brezin tim, gjatë jetës, gjatë shkollimit etj. e kanë ushqyer me idenë se kleri, e sidomos ai islam është reaksionar. Na kanë mësuar gabim historinë tonë kombëtare dhe fetare. Autori e cek një rast në libër, ku e para vajzë që e ndjek gjimnazin në Krajë është pikërisht e bija e një kleriku (hoxhe), gjë që e përgënjeshtron ideologjinë moniste, e cila na e pati shpërlarë trurin me dogma të tilla të pabaza. Falë prindërve tanë besimtarë, brezi im u mbijetoi këtyre trillimeve.
Në fund të këtij vështrimi, konsideroj se autori Hamid Alaj ka bërë një punë voluminoze në grumbullimin e materialit, për ç’gjë duhet admiruar nga të gjithë. Deri më sot një gjë të tillë nuk e ka bërë askush në këtë trevë.
Uroj që autori të ketë shendet, sukses në veprimtarinë e tij krijuese dhe të na dhurojë edhe libra të tjerë. Nga zemra të përgëzoj Hamid i dashur për punën e bërë! Shpresoj se vërejtjet e mia të vogla, që i bëra sot këtu, nuk do të m’i marrësh për të keq. Ato janë vetëm qëllimmira dhe kolegiale. Të përgëzoj edhe një herë! Urime!

(Vështrimi është lexuar me rastin e përurimit të monografisë “Institucionet islame dhe imamët e Krajës” në Ostros, më 30 korrik 2025)

Të fundit

më të lexuarat