Ulqin – Në mjediset e Pallatit “Venezia” në Kalanë e Ulqinit, të premten është bërë përurimi i vëllimit të tretë të librit të autorit Ismet Karamanaga, në kuadër të ciklit “Ulqini florini – Portrete, In memoriame”.
Vetë autori ka thënë se është krenar për punën që ka bërë duke qenë se është diçka që nuk e ka bërë askush.
Ai ka treguar se librin e parë nga ky cikël ka filluar ta shkruaj në vitin 2015.
“Jam i kënaqur me atë që kam shkruar. Kur i kam numëruar portretet në të tre librat, më kanë dalë 110 portrete. Është një punë e madhe t’i shkruash”, ka thënë Karamanaga.
Autori ka thënë se nuk ka bërë dallime gjatë përzgjedhjes së figurave që janë pjesë e librit, por ata janë personalitete që kanë lënë gjurmë në qytetin e Ulqinit.
Folësit në përurimin e librit kanë vlerësuar autorin për punën dhe stilin e veçantë.
Për redaktorin e librit, Dr. Nail Draga, “është meritë e veçantë e autorit i cili na ka ofruar një gamë të gjerë personalitetesh që i ka prezantuar sipas stilit të tij, duke qenë një stil autentik i cili me të vërtetë i nderon personalitetet, familjet nga të cilat ata kanë rrjedhur, por njëkohësisht edhe vetë qytetin e Ulqinit”.
Ai ka thënë se Ismet Karamanaga shkruan “për t’i nderuar këta persona të cilët kanë kontribuar në qytetin e Ulqinit në të kaluarën”.
Recensenti i librit, publicisti Mustafa Canka, një mik i autorit, ka thënë se e din se me sa sacrificë dhe mund, por edhe me lezet dhe dashuri autori Karamanaga e bën gjithë këtë punë.
“Të gjithë ne që e njohim, e dimë se sa vështirë është të shkruash. Por Ismeti e bën këtë punë me kënaqësi”, ka thënë ai, duke theksuar se Ismet Karamanaga është i vetmi në Ulqin por edhe në tërë Malin e Zi që boton libra të këtij zhanri.
Në vështrimin e tij për librin, gazetari Ismet Kallaba, redaktor gjuhësor i librit, ka thënë se për autorin Kalaja është dashuri e përjetshme por edhe burim frymëzimi.
“Të shkruaj portrete dhe in memoriame për figura të veçanta, njerëz të cilët ai i ka njohur apo me të cilët ka punuar, ka ndarë të mirën dhe të keqen, ai e ndien si një obligim moral dhe borxh. Në këtë mision që i ka përcaktuar vetes, Ismet Karamanaga më duket sikur ai mohikani i fundit”, ka thënë ai.
Gjatë përurimit është lexuar një fragment nga vështrimi për librin i konsulentit Ali Llunji.
Libri “Ulqini florini – Portrete, In Memoriame” III është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Ky është libri i pestë i Ismet Karamanagës. Përpos tre librave nga cikli “Ulqini florini – Portrete, In Memoriame” ai ka botuar më herët librat “Kalaja – legjendë dhe art” dhe “Ulqini – monumente, portrete, ngjarje”.
i. k.
