
Më 24 shkurt të këtij viti, Rusia pushtoi Ukrainën nga toka, deti dhe ajri. Ky ishte fillimi i luftës që tashmë hyn në anale si Lufta ruso-ukrainase.
Pushtimi gradual rus i territorit ukrainas filloi në shkurt 2014, kur trupat ruse pushtuan Krimenë si pjesë të Ukrainës së pavarur dhe e aneksuan atë. Më vonë në prill 2014, filluan demonstratat pro-ruse në Donbas (pjesë e Ukrainës) që u përshkallëzuan në një konflikt të armatosur në të cilin Rusia mbështeti republikat e vetëshpallura popullore – Doneck dhe Luhansk, ku situata e tensionuar vazhdon edhe sot e kësaj dite. Që nga viti 2021, Rusia grumbulloi në mënyrë drastike forca ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën, gjë që tregonte qartë mundësinë e shpërthimit të një lufte në shkallë të gjerë, që përfundoi me një blitzkrieg ndaj Ukrainës në shkurt të këtij viti.
Muaj më parë, përkundër tensioneve mes dy vendeve, presidenti rus kishte siguruar me këmbëngulje opinionin ndërkombëtar se nuk do ta sulmonte shtetin fqinj. Dukej se në shekullin e 21-të, kërcënimi me luftë është vetëm pjesë e një loje psikologjike me synimin frikësimi të Ukrainës dhe BE-në. Vetëm naivët besuan në këtë.
Imazhet e Apokalipsit po arrijnë këto ditë nga Ukraina. Kolonat e grave, fëmijëve dhe të moshuarve mërgojnë në vendet fqinje evropiane. Deri në fillim të kësaj jave, në vendet e Evropës Qendrore u arratisën 1.5 milionë.
Evropë, para së gjithash, konsiderohet Perëndimi, thotë historiania Catherine Horel. Ky aspekt i mentalitetit perëndimor erdhi duke u forcuar, veçanërisht pas konstituimit të Bashkimit Evropian në vitin 1989. Më vonë kur vendet e Evropës Qendrore u pranuan në BE, Perëndimit iu desh të punonte më tej për “evropeizimin” e tyre në kuadrin e BE, thotë ajo. Pra, pason që njerëzit që e konsiderojnë veten evropianë nuk i konsiderojnë evropianë (edhe) evropianët e tjerë. Ka diç të vërtet në këtë deklaratë shokante të Horelit. Kjo shihet qartë edhe ditëve të fundit
Putini ka urdhëruar që forcat bërthamore të jenë në gatishmëri. Rusia deri më tani ka pushtuar dy nga tre termocentralet bërthamore të Ukrainës. Ashtu siç skeptikët nuk e besonin fare se do të fillonte kjo luftë e çmendur, as për këtë çështje nuk duhet të jemi optimist të tepruar. Mediat ruse thonë se Rusia po çliron Ukrainën. “Çlirimi” ka qenë një floskulë e preferuar propagande e çdo agresori që nga antika e deri më sot. Ta rikujtojmë, p.sh. “Çlirimin” e Sudetit (1938) që e bëri Gjermania pa kundërshtimin e Perëndimit, e pastaj, aneksimin, po ashtu të “qetë” të Austrisë së pavarur. E dimë se çfarë pasoi më pas.
Ukraina e sotme u riformua si shtet në vitin 1991 pas shkatërrimit të perandorisë socialiste sovjetike, së cilës i ishte aneksuar pas një rezistence të gjatë,1917-1922.
Në fakt, Ukraina është shumë më e vjetër, me një histori të vështirë, të ndërthurur në shumë periudha me historinë ruse. Një shtet me strukturë specifike etnike dhe fetare. Shkatërrimi tronditës apokaliptik i qyteteve ukrainase të kujton fjalët e Frojdit gjenial, i cili, duke folur për marrëdhëniet midis kombeve, përfundoi se, ndërsa dallimet e mëdha mes popujve shkaktojnë animozitet të pakapërcyeshëm, ashtu edhe popujt më të afërt nuk e tolerojnë njëri-tjetrin.
Ukraina e sotme ndodhet në pozitën tragjike të një vendi që është peng i pozicionit të tij gjeopolitik dhe të fqinjit shumë më të fuqishëm. Në fillim të luftës, zyrtarët ukrainas e konsideronin veçanërisht të vështirë që Ukraina nuk është anëtare e NATO-s apo BE-së. Megjithatë, kjo luftë sjell një ndërgjegjësim. Me apelin e dëshpëruar të presidentit ukrainas Zelensky për të mbyllur hapësirën ajrore të Ukrainës për aviacionin rus, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e ka bërë të qartë se NATO nuk do të mbyllë hapësirën ajrore të Ukrainës sepse kjo mund të çojë në rrëzimin e avionëve luftarakë rusë, e ata (NATO) nuk duan luftë me Rusinë. Poashtu, Shtetet e Bashkuara nuk duan të angazhohen ushtarakisht, sepse zyrtarët amerikanë konsiderojnë se çdo angazhim ushtarak i Perëndimit do të çonte në një luftë globale. Kombet e Bashkuara lënë përshtypjen e një organizate që ka një rol simbolik, për të nxjerrë njoftime dhe për të votuar rezoluta që nuk kanë një rol detyrues. Diçka e ngjashme me Lidhjen e Kombeve, themeluar në vitin 1919, pas Luftës së Parë Botërore mbi krahët e optimizmit të parandalohen luftërat e reja. E dimë se si përfundoi. Ndërsa, BE-ja është si dikush që gjendet jashtë rrjedhës së ngjarjeve.
Opinioni evropian ishte befasuar që presidenti Zelensky dërgoi një apel në BE dhe, disa ditë më vonë, nënshkroi kërkesën zyrtare që Ukraina të anëtarësohej në BE sipas procedurës urgjente. Megjithatë, duhet kujtuar se në vitin 2013, kryeministri dhe presidenti prorus i Ukrainës, Yanukovych, hodhi poshtë Marrëveshjen Ukrainase-Evropiane të Asociimit, ndërsa, po në vitin 2014, ai u hoq nga detyra në Revolucionin Ukrainas të Dinjitetit.
Me Luftën Ruso-Ukrainase disa gjëra u bënë të qarta:
Pasojat politike dhe ekonomike të luftës ruso-ukrainase do të jenë tragjike për Evropën në rrafshin ekonomik dhe politik. Për të mos folur për Ballkanin Perëndimor. E gjithë tragjedia e zvarritjes së procesit të anëtarësimit në BE të vendeve të këtij rajoni do të lënë pasoja të rënda ekonomike dhe, veçanërisht, politike.
Mali i Zi, shtet i vogël me një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik dhe me një situatë të brendshme plotë specifika, ka qenë lider në procesin e negociatave të Ballkanit Perëndimor, me gjithë mangësitë e tija. Megjithatë, shumica absolute e popullatës ka qenë dhe është ende ithtarë e anëtarësimit në BE. Në vend që me kohë të përshpejtohet, procesi i anëtarësimit në BE, ky është zvarritur dhe tani, duket i paarritshëm. Të mos flasim për refuzimin e BE-së për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku Maqedonia paraprakisht pranoi ndryshimin e emrit të vendit si kusht për fillimin e negociatave. Me politikën e saj të pranimit të ngadalshëm të anëtarëve të rinj, administrata evropiane ka treguar mosnjohjen e situatës reale në Evropën Juglindore.
Aspekti tjetër është se u bë e qartë se askush nuk e bie vetën në rrezik për ta përkrahur tjetrin. Parimet e NATO-s mbi mburojën mbrojtëse (defensive shield) tani duken si floskulë e zbraztë. Mirëpo, e gjithë kjo e ka një aspekt të pozitiv. Le ta kujtojmë Frojdin dhe doktrinën e tij se njeriu nuk mund të mbetet fëmijë përgjithmonë, ai në fund duhet të dalë në “jetën armike”. Këtë ai e quan “edukim për realitetin”. Ai thotë: “Të dish se duhet të mbështetesh në forcat tua, do të thotë diçka”.
Vërtet, të presësh që dikush që ka interesin e tij, do të ngrihet për ty për të të mbrojtur dhe për të rrezikuar veten, na kthen te ky mësim i Frojdit. Rasti i Ukrainës është shembulli më se i qartë.
