Një përvojë që ushqen mendjen, trupin dhe shpirtin

Për dy ditë me radhë, qindra hapa u hodhën mbi tokën e butë, dhjetëra zëra ndanë mendime dhe qindra përjetime u mbartën në shpirtin e secilit pjesëmarrës. Nga ligjëratat edukative deri tek aktivitetet dinamike në natyrë, çdo moment ishte një kujtesë e fuqishme se mirëqenia jonë është e lidhur ngushtë me lidhjen tonë me mjedisin

Në bregun e qetë dhe të mbuluar nga gjelbërimet e buta të liqenit të Shkodrës, aty ku ajri është më i pastër dhe mendimet marrin frymë më lirshëm, më 23 dhe 24 gusht 2025 u zhvillua edicionin i dytë i Kampit eko-shëndetësor, një nga ngjarjet më frymëzuese të verës. Ky kamp u organizua nga OJQ “Camp” – Ostros, me mbështetjen e Organizatës Turistike të Komunës së Tivarit.
Nën hijen mikpritëse të pemëve dhe përballë pasqyrimit të kaltër të ujit, Konoba “Skjeja” u kthye në një qendër të vogël, por të fuqishme të energjisë rinore, edukimit dhe harmonisë me natyrën.
Për dy ditë me radhë, qindra hapa u hodhën mbi tokën e butë, dhjetëra zëra ndanë mendime dhe qindra përjetime u mbartën në shpirtin e secilit pjesëmarrës. Nga ligjëratat edukative deri tek aktivitetet dinamike në natyrë, çdo moment ishte një kujtesë e fuqishme se mirëqenia jonë është e lidhur ngushtë me lidhjen tonë me mjedisin.

Dita e parë – kujdes për mendjen në një hapësirë që të qetëson
Kampi nisi zyrtarisht në orën 14:00, me një seancë të dedikuar shëndetit mendor – një temë shpesh e lënë në hije, por thelbësore për mirëqenien tonë të përgjithshme. Në një mjedis të qetë, ku zhurmat artificiale ishin zëvendësuar nga cicërimat dhe fëshfërimat e gjetheve, pjesëmarrësit u ulën në qarqe rreth një zjarri simbolik të ndërgjegjësimit.
Ligjëruesi, Dr. Mehmet Gjenashi, e nisi fjalën e tij me një pyetje të thjeshtë, por domethënëse: “Kur ishte hera e fundit që i dhatë pushim mendjes suaj?”
Ai shpjegoi se higjiena mendore nuk është një luks, por një nevojë jetike.
“Ne kujdesemi për trupin – ushtrohemi, ushqehemi mirë – por mendjen shpesh e lëmë pas dore. Mendja ka nevojë për pastrim të rregullt: nga stresi, nga negativiteti, nga ngarkesat që shpesh nuk i kuptojmë”, theksoi Gjenashi
Diskutimi u kthye në një rrëfim të hapur, ku pjesëmarrësit ndanë përjetimet e tyre me ankthin, presionin dhe nevojën për mbështetje. Ndërgjegjësimi për faktin se nuk janë vetëm në këto ndjesi krijoi një atmosferë mirëkuptimi dhe empatie. Tabutë nisën të thyheshin dhe në vend të tyre lindi ndjenja e përbashkësisë.

Aktivitetet fizike
Pas seancës reflektuese, kampi u gjallërua me aktivitete fizike të ndryshme. Bregu i liqenit u mbush me ngjyra, të qeshura dhe energji pozitive. Supat dhe kajakët u vendosën mbi ujin e qetë, ndërsa një pjesë e grupit nisi një ecje eksploruese me biçikleta elektrike përgjatë vijës ujore.
Për disa pjesëmarrës ishte hera e parë që lundronin në një kajak. Ata përjetuan një ndjenjë lirie të pakrahasueshme, ndërsa valët e lehta i shtynin ngadalë drejt mesit së liqenit.
“Është një qetësi që nuk e përshkruan dot. Duket sikur çdo shqetësim i jetës të tretet në ujë”, u shpreh një pjesëmarrës.
Pjesëmarresit u angazhuan në një punëtori të veçantë arti, ku pikturuan ne telajo, mbi gjethe, gurë dhe materiale natyrore, duke e quajtur aktivitetin e tyre “Art në natyrë”. Me duart plot ngjyra dhe sytë që shkëlqenin nga kurioziteti, ata krijuan vepra që reflektonin dashurinë për mjedisin.

Mbrëmja – muzikë, yje dhe bashkëjetesë
Kur dielli perëndoi dhe qielli nisi të mbushej me yje, kampi mori një tjetër frymë. Tendat u ngritën në mënyrë kolektive – një proces që solli bashkëpunim, ndihmë të ndërsjellë dhe shumë të qeshura. Ishte një akt i vogël, por me simbolikë të madhe: jetesa e thjeshtë dhe bashkëpunuese është shpesh më e pasur se çdo luks.
Mbrëmja kulmoi me një koncert nën yje, ku DJ Kadrok dhe DJ Kingja sollën ritmet më të dashura për të rinjtë. Dritat shumëngjyrëshe që ndriçonin pemët, kombinimi i muzikës elektronike me tinguj natyrorë dhe vallëzimi spontan krijuan një atmosferë magjike.
Kur je në natyrë, muzika ka tjetër ndjesi. Nuk je më vetëm në një festë – je pjesë e një përjetimi.

Dita e dytë – mësim për natyrën, për veten dhe për të ardhmen
E diel, 24 gusht 2026 – Dita nisi herët, me një mëngjes të përbashkët nën hijen e pemëve, i ndjekur nga ligjërata mbi biodiversitetin e liqenit të Shkodrës, një nga perlat natyrore të Ballkanit. Ekspertë të mjedisit prezantuan pasurinë e florës dhe faunës, duke vënë theksin tek shpendët shtegtarë që gjejnë strehë në këtë zonë.
“Liqeni nuk është vetëm një peizazh i bukur – është një sistem i gjallë, që mban në vete qindra specie, jetëra dhe histori”, theksuan organizatorët.
Pjesëmarrësit kishin mundësinë të përdornin dylbi për të vëzhguar shpendët, duke i njohur për herë të parë nga afër. Kjo përvojë i ndihmoi të kuptonin rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit dhe ndikimin që ka veprimi i njeriut mbi mjedisin.

Mesazh për të ardhmen – kujdes për trupin, mendjen dhe natyrën
Në përfundim të kampit, ndjesia e përbashkët ishte një përzierje e mirënjohjes, energjisë dhe dëshirës për t’u rikthyer. Ishte më shumë sesa një fundjavë ndryshe – ishte një udhëtim i brendshëm dhe i jashtëm, një kujtesë se mirëqenia nuk është vetëm mungesa e sëmundjes, por një ekuilibër i harmonishëm mes trupit, mendjes dhe natyrës.
Organizatori Afrim Berjashi, së bashku me ekipin e tij, shprehën falënderim për të gjithë pjesëmarrësit dhe vullnetarët që ndihmuan në realizimin e kësaj përvoje unike.
“Kjo nuk është thjesht një ngjarje. Është një thirrje që të zgjohemi, të kujdesemi për shëndetin tonë mendor e fizik, dhe të kthehemi te natyra si burim frymëzimi e qetësie”, u shprehën organizatorët në përmbyllje.
Të dyja ditët u mbyllën mes përqafimesh, premtimeve për rikthim dhe një galerie emocionesh të pastra. Kampi eko-shëndetësor 2025 la pas jo vetëm kujtime të bukura, por edhe një mesazh të qartë: kujdesi për veten dhe natyrën ecin dorë për dore.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat