Një pasuri folklorike dhe kulturore e popullit shqiptar

Juria e përbërë nga drejtori dhe themeluesi i këtij Festivali, Skender Thaçi, si dhe koreografët Besnik Grajçevci, valltar i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” – Prishtinë, dhe Musa Hoxha nga Ulqini, kanë vlerësuar me Çmimin e Parë Ansamblin “Arian Plaku” – Durrës. Çmimin e Dytë e kanë ndarë Ansambli “Mati” – Mat dhe Ansambli “Gurra” – Gjilan, kurse Çmimin e Tretë Ansambli “Ilirida” – Shkup dhe SHKA “Bresana” – Opojë

Ulqin – Për të parën herë në Ulqin, të premten mbrëma, në Qendrën e Kulturës është mbajtur Festivali Mbarëkombëtar i Valleve Dyshe “Dyshja na bashkon”, i organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona”.
Ulqini është qyteti i tretë ku organizohet ky festival pas Prishtinës dhe Kurbinit. Në të kanë marrë pjesë grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.
Juria e përbërë nga drejtori dhe themeluesi i këtij Festivali, Skender Thaçi, si dhe koreografët Besnik Grajçevci, valltar i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” – Prishtinë, dhe Musa Hoxha nga Ulqini, kanë vlerësuar me Çmimin e Parë Ansamblin “Arian Plaku” – Durrës. Çmimin e Dytë e kanë ndarë Ansambli “Mati” – Mat dhe Ansambli “Gurra” – Gjilan, kurse Çmimin e Tretë Ansambli “Ilirida” – Shkup dhe SHKA “Bresana” – Opojë. Çmimin e Publikut e ka fituar SHKA “Zëri i Luginës” – Bujanoc, Çmimin për veshjen e burrit SHKA “Malësori” – Gjonaj (Has), Çmimin për veshjen e gruas SHKA “Koha” – Dinoshë (Tuz), Çmimin për Valltaren më të mirë Adelisa Axhemoviq nga SHKA “Olcinium” – Ulqin dhe Çmimin e Karrierës valltari Ramadan Totaj nga SHKA “Malësori” – Gjonaj (Has).
Drejtori i Festivalit, Skender Thaçi, ka treguar se ideja e këtij festivali është bashkimi i valltarëve dhe grupeve folklorike nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, duke dëshmuar në këtë mënyrë kulturën dhe traditën tonë kulturore shekullore.
Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të pushtetit lokal dhe qendror që të mbështesin festivalet e tilla kulturore.
Thaçi ka thënë se pas Ulqinit, Festivali do të udhëtojë në Bujanoc dhe Maqedoninë e Veriut, me ç’gjë do të përmbyllet cikli i parë i tij.
Qëllimi kryesor i Festivalit Mbarëkombëtar të Valleve Dyshe “Dyshja na bashkon” është të promovojë krijimtarinë më të mirë lirike dhe epike, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe më gjerë. Vallja dyshe qëndron në themel të valleve masive dhe prej kësaj ka lindur edhe ideja e organizimit të këtij festivali. Trevat e ndryshme shqiptare karakterizohen me laramani të valleve dyshe, që përbëjnë një pasuri folklorike dhe kulturore të popullit shqiptar si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat