Podgoricë – Në Bibliotekën Popullore “Radosav Lumoviq” në Podgoricë të enjten mbrëma (23 shkurt 2023) është bërë përurimi i antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi “Të gjithë tanët”.
Kjo antologji dygjuhëshe (shqipe dhe malazeze) është botuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, që ka organizuar edhe përurimin.
Në antologji janë përfshirë njëmbëdhjetë autorë: Rexhep Qosja, Hajro Ulqinaku
Zuvdija Hoxhiqi – Berisha, Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Mehmet Kraja, Muzafer Çaushi, Jaho Kollari, Anton Gojçaj dhe Mark Pashku Lucgjonaj. Përzgjedhja e shkrimtarëve të përfaqësuar në antologji si dhe e tregimeve – fragmenteve nga romanet është bërë nga redaktorët Akademik Zuvdija Hoxhiqi – Berisha dhe Ismet Kallaba.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Salko Luboder, ka thënë se karakteristika kryesore dhe vlera më e dallueshme e antologjisë është se ajo shfaqet në një botim dygjuhësh.
“Me sa dihet, për herë të parë në Mal të Zi dhe në rajon, një përzgjedhje antologjike e prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë të Malit të Zi shfaqet dygjuhëshe. Pra, lexuesve që nuk e përdorin gjuhën shqipe u jepet mundësia të lexojnë veprat e autorëve, të përfaqësuar në Antologji në gjuhën malazeze”, ka theksuar ai.
Luboder ka thënë se qëllimi i librit është të paraqesë pasurinë shpirtërore të Malit të Zi, duke qenë se kultura dhe arti që krijojnë pjesëtarët e popujve pakicë në Malin e Zi janë pjesë e të mirës së përbashkët kulturore dhe artistike të Malit të Zi, duke mos i ndarë kurrsesi nga letërsia dhe kultura e tyre kombëtare.
Redaktori i antologjisë Akademiku Zuvdija Hoxhiq ka thënë se është krenar dhe i kënaqur që ka punuar në këtë antologji.
Sipas tij, ky libër bën fjalë për Malin e Zi, multietnicitetin dhe bashkëjetesën e tij.
Ai ka thënë se kemi shkrimtarë të shkëlqyer shqiptarë në Malin e Zi, ndërsa ata që nuk jetojnë më këtu asnjëherë nuk e kanë harruar Malin e Zi.
Njëri prej recensentëve të librit, Dr. Haxhi Shabani ka thënë se në aspektin kulturor shqiptarët që jetojnë në trevat e tyre në Malin e Zi të sotëm kanë një barrë të dyfishtë mbi kurrizin e tyre për të bartur: për të ruajtur identitetin e tyre dhe për t’u integruar brenda kulturës kombëtare dhe të shtetit ku jetojnë.
Ai ka thënë se në këtë rrugë shqiptarët në Malin e Zi janë të detyruar të ecin rrugës e cila është e përbërë nga dy korsi.
“E para – duhet të ruajnë përkatësinë e tyre identitare, sepse integrimi i tyre pa identitet historik, gjuhësor, kulturor do të ishte për ta me pasoja katrastrofale për të ardhmen e tyre si shqiptarë. Dhe e dyta – ruajtja dhe zhvillimi i këtij identiteti bëhet i ndërlikuar, por jo i pamundur, duke pasur parasysh sfidat e këtij shekulli, ku sidomos lëvizjet demografike janë të pafavorshme për ta”, është shprehur Shabani.
Sipas tij, ky libër dhe autorët që e përbëjnë atë, “ndonëse është para së gjithash letrar, do të thotë fiksional, është i lidhur me origjinën, identitetin bazë, prandaj rrëfimet e këtyre shkrimtarëve janë “historitë (letrare) të ëndrrave të hershme”.
Për recensentin tjetër të antologjisë, Prof. Dr. Drashko Doshlak, antologjia paraqet një tablo të mirë të krijimtarisë së autorëve që shkruajnë në gjuhën shqipe.
Ai ka thënë se autorët e përfaqësuar në antologji u përkasin brezave, shkollave letrare dhe poetikave të ndryshme.
“Ne i lidhim veprat e tyre me hapësira dhe mjedise të ndryshme kohore – nga kohët e kaluara dhe shoqëritë që janë zhdukur deri te fatet e njerëzve të kohës sonë. Kjo antologji hap edhe sfida të reja për përkthimin e veprave të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën malazeze, e me këtë edhe mundësinë e një pasqyre më gjithëpërfshirëse të veprave letrare të këtyre autorëve”, ka thënë Doshlak.
Pjesë nga antologjia kanë lexuar në gjuhën shqipe Haxhi Shabani dhe në gjuhën malazeze udhëheqësja e përurimit Vesna Shoshkiq.
Nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave kanë paralajmëruar se përurimi i antologjisë do të bëhet në të ardhmen edhe në disa qytete të Malit të Zi, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
I. Kallaba
