Prof. dr. Agron Xhagolli
Baladat e praktikuara nga shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Malin e Zi janë një nga krijimet folklorike më interesante në folklorin shqiptar. Për të arritur në një përfundim të tillë nisemi nga veçoritë e tyre strukturore. Krijimet me burim nga trevat e mësipërme janë përgjithësisht më të shkurtra, me një stil tepër konciz e narracion të kursyer dhe ndërtohen kryesisht në varg tetërrokësh e varg të bardhë. Këto këngë janë gjithashtu më të pasura në figura stilistike, nota lirike është tepër e fuqishme e në përgjithësi dallohen për elegancën e finesën e tyre. Për më tepër, veçoritë e mësipërme strukturore, siç kemi vënë re, i afrojnë këto këngë aq shumë me baladat e hershme arbëreshe, saqë na duket sikur njëra nga urat që bashkon folklorin tonë me atë arbëresh kalon pikërisht mbi këto treva.
Për fat të keq, shumë vonë është krijuar mundësia për një njohje më të përgjithshme të baladave të shqiptarëve në Malin e Zi. Kjo dhe për shkak të mosregjistrimit dhe publikimit të tyre. Njohjet tona me baladat lidhen fillimisht me botimin e një numri syresh në revistën “Albania”, botuar nga F. Konica, dhe pastaj një numër baladash në organe të ndryshme shtypi, si “Hylli i Dritës” (1938), ku dallohet emri i L. Shajakajt, në vëllime të caktuara, me një numër të kufizuar baladash, si dhe me dosje të ndryshme në arkiva folklorike, si p. sh., dosja me emrin e L. Harapit në arkivin e folklorit të IAKSA-së, i cili në vjeshtën e vitit 1944 kishte regjistruar një numër baladash nga Kraja.
Gjithsesi, kjo punë kërkimore nuk kishte krijuar mundësinë e botimit të një vëllimi të veçantë me baladat përfaqësuese të shqiptarëve në Malin e Zi. Që këtej nuk mund të krijohej një pasqyrë më e plotë rreth këtyre baladave, pasi edhe lënda e botuar, duke qenë e shpërndarë, nuk krijonte lehtësira për gjetjen e tyre. Por rasti e donte që të regjistrohej në Shkollën Doktorale të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, edhe Ismail Doda. Me kërkesën e tij, m’u miratua nga organizmat përkatëse që ta udhëhiqja. E pranova me kënaqësi, nisur nga fakti që ishte një emër që më thoshte shumëçka. Kështu filloi bashkëpunimi ndërmjet nesh, për realizimin e temës së doktoratës “Baladat popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”.
Ismail Doda ishte një emër që kishte krijuar profilin e një pasionanti të përkushtuar, ndër të tjera, edhe për regjistrimin e baladave ndër shqiptarët e Malit të Zi. Nisur nga puna e tij e përkushtuar ndër vite, kishte krijuar arkivin e tij personal, duke pasur ndër duar një lëndë folklorike që i krijonte mundësinë të ndërmerrte edhe një punë studimore, në një nivel përgjithësues, duke shfrytëzuar edhe regjistrimet e njohura nga mbledhës të tjerë. Puna e tij studimore u përfundua dhe u mbrojt me sukses përpara jurisë profesionale, me vlerësime të shumta.
Midis parashtrimeve të tjera rreth kësaj teme, i sugjerova Ismailit që të përfshinte në një vëllim tjetër, jo së bashku me temën e doktoratës, baladat që ai i kishte regjistruar ndër vite dhe që unë i kisha parë me kureshtje të veçantë. Dhe, për fat të mirë, tashmë do të jetë në duart e studiuesve, por dhe të lexuesit më të gjerë, një vëllim shumë përfaqësues i baladave të shqiptarëve në Malin e Zi. Është një kënaqësi e posaçme për mua që të miratoj për botim këtë vëllim, me vlerësimin maksimal, jo vetëm të baladave të përfshira, por edhe të punës së mbledhësit dhe të hartuesit të këtij vëllimi dinjitoz, dr. Ismail Doda.
Lënda folklorike e përfshirë në këtë vëllim i plotëson të gjitha kriteret për botimet folklorike. Dr. I. Doda, njohës i mirë i të folmeve në hapësirat e shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi, ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë, si një mbledhës serioz, lëndën folklorike, mbi të gjitha, duke respektuar parimin fonetik. Ai ka ndjekur me vëmendje dhe ndryshimet në të folmet e ndryshme nga koha në kohë, rrjedhojë e ndryshimeve normale që përcjell vetë jeta shoqërore. Ndaj gjejmë në vëllim, për ta sjellë thjesht si një shembull, raste që në tekste të këngëve të ndryshme të gjejmë diftongjet ua, ue, uo, në vartësi të subjekteve folklorike me të cilët ka punuar ndër vite të ndryshme.
Por vlerat e këtij botimi nuk kanë të bëjnë vetëm me cilësinë dhe nivelin e baladave të përfshira, me sjelljen e tij në duar të lexuesve të interesuar. Krahas, duhet shënuar se autori i vëllimit ka përdorur kritere shkencore në mbarështrimin e lëndës përkatëse. Lënda e përfshirë është renditur në dy ndarje të mëdha, balada legjendare dhe balada realiste, me grupime të shumta brendapërbrenda tyre. Kjo është një ndarje e gjetur në përgjithësi, por do të mendoja se në ndonjë rast duhet një përbashkim i baladave. Kështu, mendoj se kur ke të bësh me një baladë të vetme, do të ishte e udhës që të mos ketë një grupim të veçantë. Shkurt, do të isha i mendimit se një përbashkim në disa raste, kryesisht te baladat realiste, do të reduktonte ndarjet shume specifike, që për lexuesin e thjeshtë krijojnë vetëm lexim të lodhshëm, por edhe që nuk sjellin ndonjë element të përveçëm. Një përafrim më i gjetur, për baladat e cilësuara, sa për shembull, Vdekja e papritur e dhëndrit, Lidhja e martesës me kushte paraprake, balada me përmasa këshillimi hyjnor etj., nën një emërtues të përbashkët, mendoj se do t’ia rriste më shumë vlerat librit.
Lidhur me vetë lëndën folklorike do të isha i mendimit se, krahas shumicës absolute të baladave të përfshira, që janë realisht balada të mirëfillta e cilësore, ka edhe ndonjë e cila mendoj se nuk do të duhej të ishte në këtë vëllim. Po kështu, do të shënoja se edhe krijimet që bëjnë fjalë për nizamin, nga studiues të ndryshëm janë parë si krijime të mirëfillta lirike, që përfaqësojnë dy fenomene të kaluara të shoqërisë shqiptare, nizamin dhe kurbetin. Krahas, ka dhe ndonjë studiues që krijime të veçanta nga ky lloj lirik i konsiderojnë si balada, siç është rasti për të quajturën baladë “Mbeçë, more shokë, mbeçë”. Ndaj, mendoj se është e drejta e hartuesit të vëllimit që ta rikonsiderojë dhe të vendosë përfundimisht në përfshirjen ose jo të këtyre krijimeve në vëllim.
Me interes është dhe paraqitja e aparatit shkencor në këtë vëllim. Ai, si zakonisht në botimet folklorike cilësore, përbëhet nga fjalori i fjalëve të rralla (krahinore dhe të huaja); burimet e lëndës; emrat e këngëtarëve me të cilët autori i vëllimit ka punuar për regjistrimin e teksteve; dhe indekset që lidhen me emrat e vendeve të cilësuara në balada, si dhe me emrat e personazheve. Së fundmi, janë sjellë edhe disa shënime jetësore bibliografike për autorin e vëllimit, për të cilat mendoj se do të ishte më e pranueshme të ishin në faqen e fundit të kopertinës së librit.
Në përfundim të këtij recensioni do të dëshiroja që të ritheksoja edhe një herë se në përgjithësi vëllimi “Baladat popullore ndër shqiptarët e Malit të Zi”, është një ndihmesë dokumentuese, jo vetëm për një aspekt të veçantë, siç janë konkretisht baladat e përfshira, por edhe për folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Bibliotekat tona, me botimin e këtij vëllimi do të pasurohen me një vlerë të cilësuar, shumë me interes dhe që do të përcillet më gjerë, jo vetëm nga studiuesit e fushës. Njëherazi, botimi i këtij vëllimi, besoj se do të nxisë, krahas kërkimeve në terren, edhe botime të tjera, variante të baladave ndër shqiptarët e Malit të Zi.
Pavarësisht ndonjë sugjerimi që e shtjellova më lart, theksoj se në tërësinë e vet vëllimi është i mirëseardhur, pasi do të krijojë mundësi për ta parë me një rrokje përgjithësuese baladën e regjistruar nga shqiptarët në Malin e Zi. Ndaj, me dakortësi të plotë mendoj që ky libër, me vlera të shumta, të gjejë rrugën e botimit dhe sa më parë të jetë në duart e lexuesve të gjerë. Me kënaqësi, e uroj dr. Ismail Dodën për punën e tij të palodhur, këmbënguljen dhe njohuritë e shprehura në shërbim të kulturës popullore shqiptare, në tërësinë e së cilës ai ka vendosur një gur domethënës dhe të mirëpritur. Në të ardhmen prej tij priten edhe botime të tjera, po kaq cilësore, ngaqë në arkivin e tij ka shumë e shumë krijime folklorike që presin dritën e publikimit. Suksese të mëtejshme!
Por, nuk mund të rri pa e vlerësuar edhe ndihmesën e dhënë nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi dhe Këshilli Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi për mbështetjen e botimit të këtij libri, nën okelion e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
