Tuz – Në prani të përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës dhe Shqipërisë në Mal të Zi, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, të SHF “Mahmut Lekiq”, të Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, të përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, të nxënësve, prindërve e të adhuruesve të fjalës së shkruar, të premtën pasdite në hapësirat e SHF “Mahmut Lekiq” u bë përurimi i librit “Sirena e Liqenit”, i autorit, Ibrahim Berjashi.
Në fillim të këtij aktiviteti kulturor-letrar, përshëndeti drejtori i SHF “Mahmut Lekiq”, Luigj Dedvukaj, i cili duke falënderuar të gjithë të pranishmit, në mes tjerash tha se ndjehet i kënaqur kur qëndron pas promovimit të veprave letrare të autorëve shqiptarë.
“Të gjithë së bashku duhet që nxënësve tonë t’u ofrojmë vepra letrare në tryeza dhe takime të ndryshme, në mënyrë që librin t’a konsiderojmë si shokun më të mirë të jetës në sigurimin e dijes. Të lexojmë, të shkruajmë dhe të krijojmë e kemi borxh gjithë jetën, sepse, vetëm në këtë mënyrë do të dëshmojmë se jemi”, theksoi Dedvukaj.
Në të njëjtën kohë ka përshëndetur, Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit e cila shprehu kënaqësi të veçantë që për herë të dytë vazhdojnë të realizojnë projektin e promovimit të librave, një marrëveshje që siç tha ajo, është bërë ndërmjet tyre dhe Entit për Tekste dhe Mjete Mësimore në Podgoricë.
“Shpresoj se këto iniciativa për bashkëpunim do të jenë edhe më të mira, më të mirëfillta dhe më të shpeshta, që ta avancojmë dhe ta ngrisim nivelin e kulturës në komunën tonë”, u shpreh ndër të tjera Ujkaj.
Ndërkohë, një vështrim të detajuar mbi librin “Sirena e Liqenit” ka shpalosur profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Rrok Dushaj, i cili njëherazi tha se takime të tilla të ngjashme janë të nevojshme dhe të dobishme.
“Sikurse shumë shkrimtarë nga Ulqini me rrethina, edhe Ibrahim Berjashin e shohim me një energji të plotë duke ushtruar kështu veprimtari të shumta për pasurimin e kulturës kombëtare. Pra, kemi një krijues të palodhur i cili për pesë dekada i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm krijimtarisë kulturore shqiptare në Mal të Zi, në pasurimin e vlerave të pastra kombëtare, ku një jetë të tërë ia kushtoi mësimit, bukurive natyrore, detit, liqenit, njerëzve, etj. Ashtu siç janë Naimi, Çajupi dhe Mjeda, themelues të letërisë shqipe për fëmijë, ashtu duhet të zërë vend edhe Ibrahim Berjashi në Malin e Zi”, theksoi Dushaj.
Ai më tej tha se me këto tregime të botuara në librin “Sirena e Liqenit”, fëmijët tonë kanë në dorë një vepër që mund të mësojnë, lexojnë dhe pasurojnë fjalorin e tyre. Dushaj ka folur më pas edhe mbi biografinë e autorit; shkrimtarit, gazetarit, publicistit e poetit, Ibrahim Berjashi.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, Dimitrov Popoviq, duke folur gjerësisht mbi krijimtarinë e pasur të Ibrahim Berjashit, tha se libri “Sirena e Liqenit” ishte një ndër librat më të mirë për fëmijë në Panairin e Librit në Tiranë në nëntor të vitit 2016.
“Janë dhënë shumë tregime me motive dhe përmbajtje të ndryshme. Ato të gjitha zhvillohen aty në fshatin e bukur – në Lagjen e Peshkatarëve që me kaq pak fjalë e jep shumë qartë, aty në breg të Liqenit, që është aq i bukur sa edhe ëndrra e fëmijëve. Aty është sofra ku do të shtrohet me radhë historia që nga antikiteti i mjegullt e deri në ditët tona”, u shpreh Popoviq.
Ai shtoi se merita e autorit qëndron në atë se “ai nuk merret me gjerësinë e gjatësinë gjeografike nga njëri breg në tjetrin, se dallgët i puthin njësoj të gjitha brigjet, por ai merret me thellësinë, nga sipërfaqja e qetë dhe e lëmuar e liqenit, që të vjen keq ta trazosh, deri në fund të liqenit, ku ndodhen të pastra ose të shtresëzuara bimë e barishte, por edhe margaritarë, amfora e anije shumëvjeçare”.
Popoviq tha se kurioziteti këtu fillon tek ajo që nuk duket, që është fshehur diku atje poshtë dhe që do mend e fantazi për ta zbuluar.
“Këtë material, ai e ka gjetur mënyrën e duhur për ta realizuar bukur; dy personazhe fort të goditura përjetojnë ose më mirë i jetojnë ato ngjarje të këndshme, por edhe të pakëndshme, që u ndodhin në atë qoshe të vendlindjes”, u shpreh ndër të tjera Popoviq në vështrimin e tij mbi librin “Sirena e Liqenit”.
Ky promovim libri u gërshetua me leximin e disa pjesëve të shkeputura nga libri “Sirena e Liqenit” nga nxënës të SHF “Mahmut Lekiq”, të shoqëruar me instrumentin e pianos.
Ky aktivitet letrar u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit dhe Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz.
t. u.
