Një natë që ndërthuri historinë, artin dhe shpirtin kombëtar

“’Skena Verore’ nuk është thjesht një festival – është një udhëtim përmes tingujve, fjalëve dhe ngjyrave, që nxjerr në pah bukurinë e kulturës dhe afron artistët, dashamirësit e këtij qyteti dhe të gjithë ata që kontribuojnë në organizimin e këtij aktiviteti. Ky festival mbahet si një dritare e hapur ndaj botës, për të treguar se Ulqini nuk është vetëm një qytet bregdetar – Ulqini është një skenë e gjallë e krijimtarisë, e bashkëjetesës dhe e identitetit”, u shpreh kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu

Në mbrëmjen e një vere që premton të jetë e paharrueshme, të enjten mbrëma (17 korrik 2025) ambienti historik i Muzeut Vendor në zemër të Kalasë së Ulqinit u mbush me dritë, muzikë dhe emocion, ndërsa u hap zyrtarisht edicioni i 37-të i Skenës Verore – një ndër ngjarjet më emblematike kulturore të rajonit. E njohur që prej vitit 1988 si një urë e fuqishme midis artit, traditës dhe bashkëkohëses, kjo skenë e ka shndërruar Ulqinin jo vetëm në një pikë të preferuar për turistët, por edhe në një epiqendër të kulturës shqiptare dhe ballkanike.
Në një atmosferë solemne e miqësore, të pranishmit – mes tyre personalitete të artit, institucioneve vendore dhe mysafirëve – u përshëndetën me fjalë mirëseardhjeje nga organizatorët, që theksuan rëndësinë e kësaj ngjarjeje për identitetin kulturor dhe jetën artistike të qytetit. Me organizimin e Qendrës për Kulturë – Ulqin, nën mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike të Ulqinit dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias, edicioni i sivjetmë vjen i pasur me përmbajtje, cilësi dhe një program që premton emocione të forta artistike përgjatë gjithë verës.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili njëheri e shpalli të hapur edicionin e 37-të të festivalit “Skena Verore 2025”, shprehu krenarinë për trashëgiminë që Skena Verore ka ndërtuar në dekada – një histori suksesi që ka bashkuar breza artistësh dhe dashamirës të kulturës në një hapësirë që respekton të kaluarën, por gjithmonë shikon drejt së ardhmes.
Ai e ka cilësuar këtë festival si një ndër ngjarjet më të dashura dhe më domethënëse në jetën kulturore të qytetit të Ulqinit.
“Është një kënaqësi dhe një privilegj që çdo verë, brenda mureve të Kalasë së Ulqinit, kultura jonë merr frymë thellë, flet shumë gjuhë dhe bashkon zemrat e njerëzve përmes artit.
Besoj se ndaj edhe mendimin tuaj se ‘Skena Verore’ nuk është thjesht një festival – është një udhëtim përmes tingujve, fjalëve dhe ngjyrave, që nxjerr në pah bukurinë e kulturës dhe afron artistët, dashamirësit e këtij qyteti dhe të gjithë ata që kontribuojnë në organizimin e këtij aktiviteti. Ky festival mbahet si një dritare e hapur ndaj botës, për të treguar se Ulqini nuk është vetëm një qytet bregdetar – Ulqini është një skenë e gjallë e krijimtarisë, e bashkëjetesës dhe e identitetit”, u shpreh Nimanbegu.
Pika kulmore e mbrëmjes ishte pa dyshim performanca madhështore “Folk on Tour”, një bashkëpunim unik artistik nën drejtimin e Sokol Marsit, që solli në skenë tingujt dhe ritmet më të bukura të trashëgimisë folklorike shqiptare. Ansambli i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansambli Popullor krijoi një spektakël ku e shkuara dhe e sotmja u ndërthurën në mënyrë artistikisht të përkryer, duke dhënë jo vetëm një shfaqje muzikore, por një përjetim të vërtetë emocional për publikun.
Kjo mbrëmje, përtej simbolikës së hapjes së një sezoni kulturor, u përjetua si një akt dashurie për traditën, për identitetin kombëtar dhe për bukurinë e artit që lidh njerëzit përtej kohës dhe hapësirës. Në çdo tingull, lëvizje dhe dritë, publiku ndjeu thellë lidhjen me rrënjët, historinë dhe shpirtin e pasur të trevave tona.
“Skena Verore 2025” është një dëshmi se kultura mbetet forca më e fuqishme për të ruajtur dhe për të forcuar bashkësitë tona, për të promovuar dialogun ndërkulturor dhe për të rikujtuar vlerat që na bashkojnë. Me një program të pasur që do të shtrihet në javët në vijim, qyteti i Ulqinit është gati të mikpresë artistë nga gjithë hapësira shqiptare dhe më gjerë, duke e kthyer verën në një udhëtim të paharrueshëm për të gjithë adhuruesit e artit.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat