Një mision i vazhdueshëm

Për konceptin dhe politikën redaktuese të kësaj reviste si dhe përmbajtjen e numrit 22 ka folur kryeredaktorja Dr. Sabina Osmanoviq. Ajo ka thënë se qëllimi i revistës “Lemba” është shpalosja dhe ruajtja e vlerave kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi. Sipas saj, pavarësisht se jetojmë në kohën e teknologjisë dhe digjitalizimit, ku mbajtja e një reviste letrare, kulturore, shkencore mund të ngjajë si luks, në fakt “Lemba” nuk është luks për shqiptarët në Malin e Zi, por “e domosdoshme për të ruajtur identitetin tonë kombëtar”

Ulqin – Numri 22 i revistës për shkencë, kulturë dhe art “Lemba”, e cila botohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, është përuruar më 28 dhjetor 2022 në Librarinë “Ulqini”.
Për konceptin dhe politikën redaktuese të kësaj reviste si dhe përmbajtjen e numrit 22 ka folur kryeredaktorja Dr. Sabina Osmanoviq.
Ajo ka thënë se qëllimi i revistës “Lemba” është shpalosja dhe ruajtja e vlerave kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi.
Sipas saj, pavarësisht se jetojmë në kohën e teknologjisë dhe digjitalizimit, ku mbajtja e një reviste letrare, kulturore, shkencore mund të ngjajë si luks, në fakt “Lemba” nuk është luks për shqiptarët në Malin e Zi, por “e domosdoshme për të ruajtur identitetin tonë kombëtar”.
Osmanoviq ka thënë se në gjithë këto vite “Lemba” “është përpjekur që të paraqesë disa nga sfidat, problematikat, arritjet, edhe dështimet e shqiptarëve në Mal të Zi” dhe se një qëllim i vazhdueshëm i saj është “kultivimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore e me këtë krijimi i një baze shkencore që do të përdoret më vonë për hulumtime të tjera më të thella”.
Ajo ka thënë se edhe në të ardhmen kjo revistë “do të shërbejë si platformë për formimin e debatit të mirëfilltë shkencor dhe të vetëdijësimit në krijimin e shijes së mirëfilltë letrare”.
Në vijim ajo ka paraqitur përmbajtjen e numrit 22 të revistës “Lemba”. Numri fillon me editorialin “’Lemba’ – një mision i vazhdueshëm” i kryeredaktores Sabina Osmanoviq. Në rubrikën “Studime” janë botuar artikujt e Prof. dr. Hajrullah Koliqit “Princi i Krajës dhe shenjti i Arbërisë (Shën Gjon Vladimiri)”, Hajrudin S. Mujës “Kërkime gjeografike për ‘misterin’ e hapësirës së Krajës”, Gjokë Dabajt “Tivarasit në Venedik (2)” dhe Korab Krajës “Trashëgimia ndërtimore e krahinës së Plavës dhe Gucisë”. Në rubrikën “Analizë” është botuar artikulli i Gjylie Rexhës “(Dez)integrimi mediatik i gjuhës standarde shqipe”, kurse në rubrikën “Vështrim” artikulli i Gjekë Gjonajt “Një vështrim mbi disa lokalitete arkeologjike të harruara dhe të pagërmuara në zonën e Malësisë”. Rubrika “Intervistë” sjell intervistën me Prof. Dr. Emil Lafen, gjuhëtar dhe ish-sekretar i Komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit “Gjuha letrare kombëtare e sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit, një realitet i pakthyeshëm”. Në rubrikën “Letërsi dhe kritikë letrare” në fokus është shkrimtari Mark Pashko (Lucgjonaj) me një fragment nga romani “Humbja”, fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për romanin e vitit 2021. Po ashtu është botuar recensioni i Bernard Çobajt “Joyce – kozmopoliti i mërguar irlandez”. Në rubrikën “Poezi” janë paraqitur poetët Ali Gjeçbritaj dhe Gladiola (Busulla) Jorbus. Në rubrikën “Përkthime” është botuar poezia “Mona Rosa” e poetit turk Sezai Karakoç, përkthyer dhe përshtatur nga Sabina Osmanoviq dhe Ridvan Dibra. Në rubrikën “In Memoriam” janë botuar artikujt e Gazmend Çitakut “Bahri Brisku (1933-2021) – Bacë, pusho i qetë!” dhe Ismet Kallabës me rastin e vdekjes së Sazana Çapriqit (1964-2021). Po ashtu “Në vend të përkujtimit” është botuar artikulli i Sazana Çapriqit “Kanoni letrar dhe shkrimi femëror – pushtimi i kanonit”, pjesë nga libri i saj “Shkrimi femëror”. Numri përfundon me paraqitjen e botimeve të reja të “Art Club”-it.
Numri 22 i revistës për shkencë, kulturë dhe art “Lemba” është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa për të gjithë të pranishimit në përurim “Art Club”-i ka ndarë nga një kopje të revistës.
Përurimi i numrit 22 të revistës “Lemba” është bërë në kuadër të shënimit të 32-vjetorit të “Art Club”-it. Në fjalën përshëndetëse, kryetari i kësaj shoqate, Ismet Kallaba, ka folur mbi rolin dhe kontributin e “Art Club”-it për artin, kulturën dhe shkencën shqiptare si dhe ka paraqitur një përmbledhje të veprimtarive kryesore të “Art Club”-it gjatë vitit 2022.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat