Një marketing shumë i mirë për qytetin e Ulqinit

Drejtoresha e Institutit të Librit dhe të Promocionit, Irena Toçi, ka thënë se një prej qëllimeve të kolonisë së piktorëve është që “bukuritë natyrore të vendeve tona të rajonit të Ballkanit të jenë gjithmonë në fokusin e artistit, i cili ka një filtër të vetin të jashtëzakonshëm për t’i bërë ato edhe më të bukura nga ç’janë në të vërtetë dhe për t’i parë pastaj e gjithë bota këto bukuri nëpërmjet artit të tyre figurativ”

Ulqin – Rreth 66 piktorë nga vendet e rajonit (Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Serbia) kanë qenë pjesë e edicionit të shtatë të Kolonisë së piktorëve “Ulqini në telajo”, që është mbajtur më 14 -17 shtator 2023 në Ulqin.
Kolonia e piktorëve është organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë, Shoqata e Artistëve Figurativë “Perla Blu” – Ulqin, Organizata Turistike Ulqin, Komuna e Ulqinit dhe Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi.
Për drejtoreshën e Institutit të Librit dhe të Promocionit, Irena Toçi, qëllimi kryesor është që t’i bashkojnë artistët e të gjitha trevave “në mënyrë që ata të mund të japin maksimumin duke qëndruar bashkë, në radhë të parë për marrëdhënien njerëzore dhe për forcimin e kësaj marrëdhënieje në rajon”.
Sipas saj, një arsye tjetër e kolonisë së piktorëve është që “bukuritë natyrore të vendeve tona të rajonit të Ballkanit të jenë gjithmonë në fokusin e artistit, i cili ka një filtër të vetin të jashtëzakonshëm për t’i bërë ato edhe më të bukura nga ç’janë në të vërtetë dhe për t’i parë pastaj e gjithë bota këto bukuri nëpërmjet artit të tyre figurativ”.
Toçi ka thënë se piktorët pjesëmarrës në koloni shpërfaqin artin tonë të Ballkanit, por edhe bukuritë natyrore të vendeve tona, në këtë rast të Ulqinit.
“Secili prej tyre do të marrë me vete Ulqinin e vet të pasqyruar në art”, është shprehur ajo.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, e ka cilësuar koloninë e piktorëve si një marketing shumë i mirë për qytetin e Ulqinit.
Ai ka falënderuar piktorët pjesëmarrës të cilët i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kolonisë.
“Ju falënderoj që ishit pjesë e kësaj kolonie, që vizituat, që pikturuat qytetin tonë, dhe këto piktura normalisht se disa mbesin në qytetin tonë, por shumë prej tyre do të përhapen në të gjithë Evropën dhe në të gjithë botën”, ka thënë ai.
Për piktorin nga Mali i Zi, Irvin Masliçiq, i cili mori pjesë për të dytin vit me radhë në koloninë e piktorëve, ajo është një shembull i multikulturalizmit dhe i atyre vlerave të vërteta për çfarë arti edhe ekziston.
Ndërkaq për piktorin nga Kosova, Tafil Peci, përpos aspektit turistik Ulqini është një qytet që ofron shumë edhe në aspektin historik, të trashëgimisë kulturore dhe të bukurive natyrore. Për këtë arsye, sipas tij, ai është një qytet i dashur për artistë dhe piktorët pjesëmarrës në koloni mund të thuhet se tashmë janë mishëruar me këtë qytet, i cili ka hyrë në shpirtin e tyre artistik.
Kolonia është mbyllur të dielën me ekspozitën e punimeve të realizuara gjatë kolonisë nga piktorët pjesëmarrës dhe me ndarjen e certifikatave nga Institituti i Librit dhe i Promocionit për piktorët pjesëmarrës si dhe të certifikatave të mirënjohjes për institucionet që kanë mbështetur organizimin e kolonisë së piktorëve.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat