“Në mënyrë të veçantë, ai merret me analizën e veprimit politik të partive politike shqiptare, duke argumentuar konstatimin se zhvillimi i tyre ende gjendet në fazën embrionale dhe nuk ka një ecuri të qëndrueshme. Autori me të drejtë pohon se partitë politike shqiptare në Mal të Zi nuk kanë arritur të krijojnë një demokraci të brendshme, por më tepër bazohen në personalitetin e liderit të partisë dhe egon e tij politike”, ka thënë recensenti i librit, Ali Salaj
Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, para një numri të konsiderueshëm të adhuruesve të librit, miqve dhe kolegëve të autorit, njerëzve të kulturës, politikanëve etj., të shtunën mbrëma është bërë përurimi i librit “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” të autorit Qani Osmani.
Vlerësime për librin kanë dhënë redaktori dr. Nail Draga, recensenti Ali Salaj dhe moderatori Gazmend Çitaku.
Studiuesi Nail Draga ka thënë se autori ka arritur të zbërthejë në mënyrë shkencore dukurinë e partive politike që nga paraqitja dhe zhvillimi i tyre deri tek klasifikimi, struktura organizative, llojet dhe funksionimi i brendshëm i tyre.
Sipas tij, çështje të veçantë të trajtimit në këtë studim autori i ka kushtuar demokracisë brendapartiake, duke e analizuar atë te subjektet politike shqiptare në Mal të Zi.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “751” të revistës Koha Javore