
Në edicionin e shtëpisë botuese “Office 1 Kosova” – Botimet Altera, Prizren, në muajin dhjetor të vitit 2023 doli nga shtypi libri në dy vëllime me titull “Kosova nyjë e (pa)zgjidhur” e autorit kosovar, Fahri Musliu, i kolegut, shokut dhe mikut tim të çmuar, me të cilin në fundvitet e 60-ta të shekullit të kaluar ishim të punësuar si mësimdhënës në shkollën fillore (asokohe) “29 Nandori” në Brodosanë, e tani “28 Nëntori” në Bresanë të Opojës së komunës së Dragashit të Kosovës. Këtu i kemi filluar hapat e parë gazetareskë si korrespondentë dhe bashkëpunëtorë në të përditshmen “Rilindja”, Radio Prishtinë dhe gazeta, revista e fletushka të tjera në gjuhën shqipe që dilnin në Kosovë e Maqedoni.
Kopjet e dy vëllimeve të librit në fjalë, bashkë me kopjet edhe të katër veprave të tij më të reja, të cilat në shenjë nderimi, respekti e përkujtimi m’i kishte dërguar për mikun e vet, prof. Hasan Hoti nga Hasi i Prizrenit, i mora më 1 gusht të këtij viti në Guci.
Redaktore e vëllimeve I dhe II të librit është e bija e autorit, gazetarja Valbona Musliu, recensent Melazim Koci, redaktor gjuhësor Vesel Hysa, ndërsa faqosjen dhe dizajnin e ka bërë Muharrem Krasniqi.
Autori Fahri Musliu, librin ia ka kushtuar familjes së vet: nënës Qamile, bashkëshortes Vahide e veçmas vajzave: Linditës, Valbonës, Alberies dhe Artës, në shenjë falënderimi për dashurinë, durimin dhe mirëkuptimin për punën e vet shumëvjeçare larg familjes.
Parathënien e librit, me titull “Mjegullnajat kosovare”, autori Musliu e fillon me pyetjen: Pse libri me intervista dhe pse titulli “Kosova nyjë e (pa)zgjidhur?”
Ai thekson se këtë pyetje me siguri do ta shtrojë çdo lexues dhe në vazhdim jep shpjegimin: Janë dy arsye kryesore: – Së pari, në këtë libër, të ndarë në dy vëllime, i ka përfshirë gjithsej 77 intervista. Në vëllimin e parë që mban titullin “Unë me të tjerët”, i ka botuar 49 nga gjithsej 72 intervista pa asnjë ndryshim, ashtu siç janë botuar nëpër mediat e caktuara, të zhvilluara me personalitete politike, shkencore e intelektuale serbe e shqiptare, me ndikim të madh politik që nga viti 1985 e deri më 2006. Në këtë vëllim janë botuar edhe nga dy, tri a katër intervista të disa politikanëve e të shkencëtarëve serbë e shqiptarë, ku ka edhe përsëritje dhe ndryshime qëndrimesh, për t’i parë evoluimet e tyre lidhur me çështjen e Kosovës dhe raportet shqiptaro-serbe. Këto intervista i përmbyllë me bisedën me politikanin e njohur opozitar serb Vuk Drashkoviq, të zhvilluar në nëntor të vitit 2023, që është intervista e katërt ekskluzive me të për këtë libër, për të parë evoluimin e tij nga një ekstremist nacionalist serb, në politikan realist për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pushteti serb.
Në vëllimin II janë përfshirë 28 intervistat e autorit Musliu me titull “Të tjerët me mua”, dhënë për mediat shqipe, serbe, boshnjake, malazeze e sllovene, ku paraqet qëndrimet e veta mbi Kosovën dhe raportet shqiptaro-serbe. Të dy pjesët objekt qendror e kanë Kosovën dhe raportet shqiptaro-serbe, ku shihen mendimet, pikëpamjet dhe qëndrimet e bashkëbiseduesve të tij dhe të tijat për ta. Këto intervista, të zhvilluara para e pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë edhe një tufë dokumentesh të rëndësishme për kohën dhe për ngjarjet në fjalë, të cilat shpesh mungojnë, por edhe dëshmi për të kuptuar edhe realitetin e sotëm kosovar dhe raportet serbo-shqiptare.
Arsyeja e dytë është kriza nëpër të cilën po kalon Kosova që nga lufta e që nga shpallja e pavarësisë, veçmas gjatë dekadës së fundit, si dhe mos rrumbullakimi i shtetësisë së saj që është pengesë kryesore për ndërtimin e shtetit funksional ligjor e demokratik, me subjektivitet ndërkombëtar, me zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale të qytetarëve, thekson autori Musliu dhe më pas shton se për të gjitha këto në shoqërinë kosovare po zhvillohet një debat i ashpër dhe bukur shterpë, që e ka polarizuar dhe përçarë skajshmërisht skenën politike e shoqërore të Kosovës, duke krijuar urrejtje e përplasje deri në armiqësi.
S’ka dyshim se për këtë gjendje, shprehet autori Musliu, fajtore dhe përgjegjëse është klasa politike, pushtetet e Kosovës, që nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe të përgjegjësisë. Dhe e gjithë kjo, sepse janë angazhuar për ndërtimin e shtetit partiak, madje edhe privatizimin e tij, por kur kanë dorë edhe vetë qytetarët, që me heshtjen, oportunizmin dhe indiferencën e tyre u kanë krijuar hapësirë pushtetarëve për sjellje të tilla duke mos u kërkuar llogaridhënie.
Por gjithsesi, sipas mendimit të autorit Musliu (për këtë ka argumente), e që shihet më qartë në intervistat e tij (autorit), fajtor kryesor pse Kosova edhe pas 24 vjetësh nga kapitullimi i Serbisë dhe 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, nuk po e rrumbullakon shtetësinë e vet, barrën më të madhe të fajësisë e bartin SHBA-ja me vendet e tjera aleate perëndimore, pra BE. Ata që ia sollën çlirimin Kosovës, për arsyet e veta, nuk ia dolën që statusin e Kosovës ta zgjidhin qysh në qershor të vitit 1999, duke e detyruar presidentin e atëhershëm të federatës së cunguar jugosllave, Sllobodan Millosheviq, ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ose, siç ndodh zakonisht pas përfundimit të luftërave, të kishin organizuar konferencën e paqes dhe zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve.
Autori Fahri Musliu në vazhdim të tekstit të parathënies së librit të vet konfirmon se pas vendosjes së UNMIK-ut dhe KFOR-it, vendet perëndimore me ndikim filluan të ”eksperimentojnë” me Kosovën në forma të ndryshme, duke i përdorur si mashë qeveritarët e vendit dhe ndikuan në krijimin e dukurive të shumta të dëmshme për popullin dhe vendin.
Ai shton se nëse bëhet ndonjë analizë objektive del se rezultatet e punës së tyre janë katastrofike, ma pasoja të mëdha dhe afatgjata në çdo fushë – privatizim, ekonomi, arsim, shëndet… e deri në shkatërrimin e institucionit të familjes. Ky “eksperiment” vazhdoi edhe pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, kur kompetencat kaluan në institucionet e Kosovës.
Autori i librit në fjalë, Fahri Musliu, në mendimin e vet është i vendosur në konstatimin se veçmas kur me vendimin e OKB-së për të filluar dialogun, të quajtur teknik, për “normalizimin e raporteve midis Kosovës e Serbisë”, me lehtësimin e BE-së në Bruksel, një formulë kjo abstrakte, sepse ato që nga fillimi ishin negociata të kulluara politike dhe me qëllim të ndikimit në organizimin e brendshëm administrativ të Kosovës. “Dialogu” edhe pas 13 vjetësh nuk dha ndonjë rezultat konkret, por përkundrazi i keqësoi raportet me Serbinë deri në përplasje të armatosura dhe e polarizoi dhe përçau tej mase skenën politike të Kosovës. Sidomos debatet për formimin e “Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që u bënë temë kryesore 24 orëshe ku dikush i bie thumbit e tjetri patkoit, pa njohuri e argumente e me interpretime sipas qejfit për qëllime të caktuara politike hakmarrëse, duke fajësuar njëri-tjetrin. Duket se as politikanët, as “analistët”, as ekspertët e fushave juridike e politike nuk po e kuptojnë se SHBA-ja dhe BE-ja qëllim e kanë “shpërblimin” e Serbisë për pendimin shkaku i bombardimeve, thekson autori Musliu dhe shton se ky favor duhet të arrihet me “Asociacionin…” si formë më e padhembshme për Kosovën, formimi i të cilit pa nevojë është vonuar dhjetë vjet të humbura dhe versioni i fundit duket se do të jetë më i dëmshëm se i pari.
Autori Musliu thekson se koha e humbur po ndodh shkaku se politikanët serbë e shqiptarë dhe në përgjithësi në Ballkan nuk e çmojnë kohën, dhe atë që duhet ta bëjnë me shumë vonesë, dhe në fund shton se zyrtarët e Beogradit këtë “anim” të Uashingtonit e të Brukselit e përdorën për instrumentalizimin e serbëve të Kosovës për nevojat e veta djallëzore politike e me qëllim të bllokimit të ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit të Kosovës, veçmas të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Për këtë sjellje Serbia, jo që nuk po ndëshkohet, por po shpërblehet me investime të mëdha, veçmas nga Gjermania e SHBA-ja, por edhe nga disa vende kryesore evropiane.
Recensenti i librit, Melazim Koci, në recensionin e vet vlerësues nënvizon se “Libri dokumentar me 73 intervista, me titull ‘Kosova, nyje e (pa)zgjidhur’ përmban 48 intervista të zhvilluara me personalitete eminente politike, shkencore dhe intelektuale shqiptare e serbe (në Serbi, Kosovë e Shqipëri), të botuara në periudhën prej vitit 1985-2005, dhe 25 intervista që autori i ka dhënë për mediat e ndryshme prej vitit 2001 deri në vitin 2020.
Fokusi i librit është Kosova, botëkuptimet dhe qëndrimet e të intervistuarve dhe të autorit mbi situatën në Kosovë para dhe pas luftës. Libri pamohueshëm ridëshmon se Fahri Musliu është një nga gazetarët (korrespondent jashtë Kosovës në Beograd) dhe publicistët më të mirë që ka pasur dhe ka Kosova”.
Përmes këtij libri, autori Musliu na e rikujton faktin se gazetaria në formë intervistash e analizash politike, gjithsesi është në shërbim të lexuesit, të dëgjuesit e të shikuesit, e jo në anë të partive të ndryshme, ose të grupeve të interesit, qofshin ato politike a ekonomike. Ai është në shërbim të profesionit, në shërbim të emancipimit të vlerave njerëzore dhe të atdheut, duke e plasuar para publikut të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Pavarësisht pohimit se veten e ka krijuar dhe ndërtuar në Beograd, në aspektin njerëzor, profesional dhe intelektual, Fahri Musliu shton se kurrë nuk është ndier inferior, qoftë në raport me gazetarë të tjerë, qoftë me intelektualë apo akademikë me të cilët është futur gjithmonë në polemika, duke u treguar se është më i aftë se ata, meqë e njeh gjuhën, kulturën, traditën, historinë dhe politikën serbe. Kurse ata i njohin këto shumë më pak apo fare dhe atë vetëm në anën e errët të tyre.
Recensenti Koci pohon se ky libër ka një paradoks interesant: autori në intervistat e tij, në rrafshin e analizave politike dhe shoqërore, dëshmon se ka më shumë njohuri për to, sesa bashkëbiseduesit e tij të intervistuar, qoftë në Prishtinë, në Beograd, a në Tiranë.
Libri i Fahri Musliut si model i gazetarisë profesioniste, serioze dhe të përgjegjshme, vjen në kohën e portalizimit të shoqërisë, që ka filluar ta rrënojë këtë profesion.
Aktualisht ligjërimin politik në Kosovë e karakterizon primitivizmi dhe oratoria e urrejtjes, shprehet në fund të recensionit të vet recensuesi Koci, duke theksuar se esenca e gazetarisë së përgjithshme është ndikim shoqëror, kulturor dhe qytetërues e jo numri i klikimeve dhe i pëlqimeve, sepse demokracia vdes në errësirën e padijes dhe injorancës. Dëshmi e krizës që e ka sjellë gazetarinë aktualisht para ‘vdekjes klinike’, është pikërisht libri dokumentar i Fahri Musliut.
Fahri Musliu gëzon pa dyshim gjithë respektin për punën e tij gati pesëdhjetëvjeçare në shërbim të profesionit dhe të së vërtetës, e cila kryesisht është e hidhur dhe si e tillë e papranueshme nga shumica. Ai është personifikim i një brezi që në rrethana shumë të vështira dhe nga një mjedis me kontaminim armiqësor ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës, bëri gati të pamundshmen për avancimin civilizues të shoqërisë sonë”.
