Tuz – Në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, të premtën mbrëma më 13 maj 2022, u bë përurimi i librit “Pakica shqiptare në Mal të Zi, midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”, i autorit Allmir Çausheviq.
Për librin, në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, të zyrtarëve nga Komuna e Tuzit dhe nga disa dikastere qeveritare, folën: Nikollë Camaj, Ismet Kallaba, Zllatko Vujoviq dhe Arben Çejku.
Në vështrimin e tij z. Zllatko Vujoviq, duke folur për librin, tha se autori me këtë vepër letrare ka mbuluar një fushë e cila deri më tani nuk është mbuluar në Mal të Zi.
Z. Vujoviq ndër të tjera u shpreh se ky libër analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse veprimtarinë e partive politike shqiptare në Mal të Zi dhe problemet me të cilat ato përballen.
“Libri ka përfshirë veprimtarinë politike të partive shqiptare, përkatësisht bashkëpunimin e tyre me Partinë Demokratike të Socialistëve e cila me punën e saj ka shënuar tridhjetë vjetë parlamentarizëm në Mal të Zi. Dilemat që janë paraqitur në atë bashkëpunim ndërmjet partive shqiptare, dhe në fund, libri jep rekomandime të caktuara se në çfarë drejtimi duhet të zhvillohen marrëdhëniet e mëtejshme dhe zhvillimi i partive politike shqiptare”, theksoi Vujoviq.
Në të njëjtën kohë, një vështrim mbi librin dhe mbi veprimtarinë politike e parlamentare në tërësi, e shpalosi diplomati dhe ish-ambasadori, Arben Çejku i cili tha se libri i autorit Çausheviq ka sjellur një risi në studimin e politikës, jo vetëm në Mal të Zi por edhe në Shqipëri e Kosovë, e sidomos në Maqedoninë e Veriut, ku siç tha, parlamentarizimi atje është i formuar jo thjeshtë nga pluralizmi politik, por edhe nga pluralizimi etnik.
“Mund të ketë jashtë parlamentit dyqind parti politike. Pyetja është, sa janë në parlament, sa përfaqësim ka në parlament, dhe si përfaqësohen në parlament? Sa mund të përfaqësohen në parlament, dhe aty hapet një kapitull tjetër se përfaqësimi tashmë duhet të jetë edhe kualitativ. Që do të thotë, ato amandamentet ligjore që kanë bërë partitë politike shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi duhet të jenë shumë më tepër dhe shumë më kualitative”, tha Çejku.
Ai tha se në raport me partitë e tjera joshqiptare në Mal të Zi, partitë politike shqiptare nuk duhet të kenë as inferioritet, as superioritet, por partneritet.
“Dhe duke qenë partnerë, duke qenë të përgatitur, duke lexuar politikë e duke marrë modelet më të mira, shqiptarët e Malit të Zi do të jenë një xhevahir, një gurë i çmuar në politikëbërjen e Malit të Zi, në qeverisje e bashkëqeverisje, e në përballimin e sfidave”, u shpreh Çejku.
Ndërkaq, në vështrimin e tij mbi librin “Pakica shqiptare në Mal të Zi, midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”, Nikollë Camaj theksoi se autori në brendësi të këtij libri ka sjellur shumë fakte, edhe cilësore, edhe sasiore.
“Ajo që duhet të mësojmë nga ky libër dhe nga studime të ngjashme, është se ne nëse bëjmë veprime të njëjta, nuk mund të presim rezultate të tjera. Veprimet e njëjta, japin rezultate të njëjta. Ky libër besoj se mund të na mësojë, sidomos ata që vijnë në politikë, që nga kjo mangësi e nga ky pohim, nuk mundemi që me veprime të njëjta të fitojmë rezultate të ndryshme, e ne në politikën shqiptare që nga viti 1997 e këndej, pothuajse gjithnjë kemi provuar me të njëjtat metoda, kurse numri i përkrahësve ka rënë, për arsye që mund t’i shohim edhe në librin që ka sjellë z. Çausheviq”, shprehet në mes tjerash Camaj.
Ndërkohë, një vështrim mbi librin e shpalosi gazetari dhe publicisti Ismet Kallaba, i cili tha se libri është një studim gjithëpërshirës dhe një pasqyrë mbi veprimtarinë e partive politike shqiptare në Malin e Zi dhe të përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Malit të Zi, në harkun kohor midis viteve 1998-2016.
“Studimi është realizuar mbi bazën e metodologjisë së konsoliduar shkencore dhe i plotëson të gjitha kërkesat e një punimi shkencor serioz. Ai ofron një qasje teorike solide mbi bazën e literaturës ekzistuese në fushën e të drejtave të pakicave, të përfaqësimit politik, me theks të veçantë e të posaçëm në përfaqësimin e pakicave, proceseve politike në vendet e ish-Jugosllavisë, sidomos në Mal të Zi, etj“, u shpreh në mes tjerash Kallaba.
Ai ka thënë se libri paraqet një kontribut në studimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Malin e Zi, që do t’u shërbejë edhe studiuesve dhe hulumtuesve të tjerë që do të trajtojnë këtë problematikë.
“Ky libër nuk duhet kuptuar as trajtuar si një kritikë ndaj partive politike shqiptare dhe ndaj përfaqësuesve të tyre (deputetëve) në Kuvendin e Malit të Zi, përkundrazi, studimi ju shërben vetë partive politike shqiptare për të përmirësuar punën e tyre në të ardhmen. Rezultate e studimit dhe përfundimet e tij janë një kambanë alarmi për partitë politike shqiptare, për nevojën e rishikimit të politikës së tyre dhe ndryshimin e strategjisë së veprimtarisë së tyre politike. Libri është edhe një ftesë për debat politik”, u shpreh gazetari dhe publicisti, Ismet Kallaba.
Autori i librit, Allmir Çausheviq duke falënderuar pjesëmarrësit në këtë promovim, tha se libri tenton të japë një vështrim të veprimtarisë së partive politike shqiptare në Mal të Zi, kundrejt aspektit të bashkëpunimit të tyre me PDS-në.
“Libri nuk ka për qëllim që të përulë apo të zhvlerësojë punën e cilitdo deputet, apo të cilësdo parti politike shqiptare, por ai thjesht tenton të paraqesë disa teza të cilat ndoshta mund të diskutohen edhe jashtë organeve partiake. Libri nuk kritikon punën e partive politike shqiptare, por kritikon qasjen e tyre ndaj pushtetit apo ndaj shumicës parlamentare”, u shpreh Çausheviq.
Libri “Pakica shqiptare në Mal të Zi, midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”, i autorit Allmir Çausheviq, u botua nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa u mbështet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
t. u.
