Një jetë me këngën shkodrane-ulqinake

Në koncertin recital Gjekaj ka kënduar disa prej këngëve të tij më të njohura, që si të thuash janë letërnjoftimi i tij, këngë të pavdekshme që këndohen brez pas brezi dhe i kanë rezistuar kohës, duke e bërë atë të dashur për publikun

Ulqin – Në sallën e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën mbrëma (9 nëntor 2024) është mbajtur koncerti recital i këngëtarit Shaban Gjekaj, i titulluar “Një jetë me këngën shkodrane-ulqinake”. Ky është koncerti i parë recital i Shaban Gjekajt që është organizuar në qytetin e tij të lindjes, të cilin, dukshëm i emocionuar, ai ka thënë se e ka pritur gjatë.
Për rreth një orë e dyzet minuta, sa ka zgjatur koncerti recital, këngëtari dhe kolegët e tij me të cilët ai ka bashkëpunuar ndër vite, kanë kënaqur publikun e pranishëm jo vetëm nga Ulqini, por edhe nga Shkodra dhe qytete të tjera shqiptare.
Gjekaj ka kënduar disa prej këngëve të tij më të njohura, si “Tuj u njit Bunës përpjetë”, “Po ti çka i ke thanë dikuj”, “Mirë se vini në Ulqin”, “Nën hije t’limonit”, “Dola herët në Shtegvashë”, “Po vjen kafja me sheqer”, “A ke qenë dajherë e re?”, “Si nuk ke aspak gjynah”, “Çohem natje pa dalë dita”, “Kur filloi drita me dalë”, “Moj e vogël, del n’oborr”, “Nji lule qi m’ka çil tash”, “Kënga e Çun Mulës”, “Ti në kumull” etj., që si të thuash janë letërnjoftimi i tij, këngë të pavdekshme që këndohen brez pas brezi dhe i kanë rezistuar kohës, duke e bërë atë të dashur për publikun. Në bisedë me udhëheqësen e programit, Dafina Teliqi, këngëtari Shaban Gjekaj ka folur edhe për historikun dhe origjinën e disa prej këngëve autoriale apo popullore që ai këndon.
Vlerësime për këngëtarin Shaban Gjekaj kanë dhënë disa prej miqve të tij më të ngushtë, si këngëtarët shkodranë Bashkim Alibali (Mjeshtër i Madh) dhe Mukadeze Çanga (Mjeshtër i Madh), këngëtarët nga Prizreni Sedat Kuçi dhe Festim Bytyqi, këngëtarët vendas Nexhat Kaleziqi dhe Ramazan Islami, të cilët janë prezantuar me një këngë në koncertin e tij recital. Koncerti ka arritur kulmin kur këngëtari Shaban Gjekaj ka kënduar në duet me vajzën e tij Ermelinda Gjekaj – Ali këngën “Oh, ma ke gishtin, vash-o për unaz-e”, për t’u përmbyllur me këngën “Hajde moj, peja moj”, të cilën e kanë kënduar së bashku të gjithë këngëtarët. Përpos këngëtarëve mysafirë, pjesë e koncertit recital kanë qenë edhe grupet folklorike SHKA “Olcinium” dhe AKV “Trojet Tona”, të cilët kanë përcjellë me vallëzim disa potpuri të kënduara nga Shaban Gjekaj. Ndërsa me përcjelljen dhe interpretimin mjeshtëror muzikor, koncertit të Mjeshtrit të Madh Shaban Gjekaj ia ka rritur vlerën orkestrës së përbërë nga instrumentistët ulqinakë dhe shkodranë: Shuajp Bisha (violinë), Agron Rexha (klarinetë), Gëzim Mesi (bateri), Ares Fani (kitarë), Nazmi Islami (fisharmonikë), Ardit Seferi (synth) dhe Fatmir Hasa (bas kitarë).
Koncerti është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me rastin 76-vjetorit të lindjes së këngëtarit, në nderim dhe si vlerësim i karrierës së tij të bujshme 56-vjeçare, kontributit në ruajtjen dhe afirmimin e këngës tradicionale popullore, sidomos në trevat shqiptare në Malin e Zi, Kosovë – ku ai e ka filluar veprimtarinë muzikore dhe ka bërë emër si këngëtar – dhe diasporë – SHBA, Australi etj., si dhe kohët e vështira që ka kënduar me përkushtim maksimal, sidomos prej viteve ’70, ’80, ’90 e tutje, këngë që sot i këndojnë brezat e rinj në të gjitha trevat shqiptare.
Këngëtari Shaban Gjekaj vlerësohet si njëri prej këngëtarëve më të shquar shqiptarë në Malin e Zi dhe në botën shqiptare, i njohur për zërin e tij unik dhe si përfaqësuesi më tipik dhe besnik i këngës ulqinake-shkodrane. Ai është fitues i shumë çmimeve në Kosovë, ish-Jugosllavi, Shqipëri etj. dhe pjesëmarrës në festivale të ndryshme muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ashtu është laureat i shumë mirënjohjeve e dekoratave, ndër të cilat edhe i titullit “Mjeshtër i Madh”, i cili i është ndarë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2022.
Organizimi i koncertit është mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe disa sponsorë të tjerë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat