Një histori dashurie që sfidon mentalitetin e kohës dhe shoqërisë

“Romani ‘Hana’ përcjell mesazhin se dashuria fiton gjithmonë. Është një mesazh i bukur. Por që të fitojë dashuria ka në jetë edhe problemet e veta... Ndryshimet e jetës janë aty, të cilat Asllani i përshkruan bukur”, ka thënë rencensenti i librit, Gani Karamanaga

Në një rreth të ngushtë mes shokësh, miqsh dhe familjarësh, të mërkurën, më 20 janar, në Atelienë “Gazi” në Ulqin është bërë përurimi i librit “Hana”, romanit më të ri të shkrimtarit Asllan Bisha.
Në fjalën e tij, udhëheqësi i përurimit Gazmend Çitaku ka folur për shkrimtarin Asllan Bisha dhe krijimtarinë e tij.
Ai ka thënë se shkrimtari Asllan Bisha zë një vend të shquar në kulturën kombëtare.
“Veçanërisht, ai së bashku me shkrimtarin për fëmijë Hajro Ulqinaku janë dy shtyllat kryesore të letërsisë shqipe për fëmijë që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Çitaku ka thënë se jo rastësisht librat e Bishës janë edhe lektyra shkollore.
“Kjo ndodh sepse brezi i ri përmes shkrimeve të Asllan Bishës krijon afërsinë me vendlindjen e vet, njeh botën bimore e shtazore që e rrethon e që Asllani me shumë mjeshtëri ia shpalos lexuesit”, ka pohuar ai.
Sipas Çitakut, tregimet e Asllan Bishës janë me përmbajtje moderne dhe edukative.
“Fëmijët protagonistë janë të mirë, të edukuar, nxënës të shkëlqyeshëm në shkollë dhe aktivitete jashtë shkolle, por gjithmonë ngushtësisht të lidhur me natyrën, detin, lumin, liqenin. Protagonistët e tregimeve të Asllan Bishës i njohin lexuesit me llojet e peshqve, shpendëve, kafshëve etj. Asllani me mjeshtëri, përveçse jep porosi edukative, jep edhe leksione nga biologjia e gjeografia. Lexuesi mëson emrat e fshatrave, lagjet, lumenjtë dhe liqenet e vendlindjes, si: Buna, liqeni i Shasit apo i Shkodrës, Deti Adriatik, fshati Lisën, ose nga bota e peshqve – levreku, krapi, qefulli etj.”, ka thënë ai, duke shtuar se Asllan Bisha nuk njihet vetëm me tregimet për fëmijë, por ai shkruan edhe për të rritur.

KKSH do t’i nxisë dhe mbështesë autorët

I pranishëm në përurimin e librit ka qenë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, i cili në fjalën e tij ka thënë se duhet që t’i nxisim personat e tillë si Asllan Bisha, të cilët i kemi në qytetin tonë dhe në vendin tonë, dhe të cilët kanë guximin të shkruajnë.
“Ne si KKSH, brenda mundësive që kemi, shpeshherë kërkesat që na janë drejtuar për botimin e veprave të ndryshme jemi munduar t’i mbështesim aq sa kemi pasur mundësi, sepse konsiderojmë që në një qytet të vogël, aq sa është Ulqini me rrethinë dhe shqiptarët në përgjithësi në Mal të Zi, nuk kemi shumë njerëz që shkruajnë e ata që shkruajnë duhet t’i inkurajojmë. Këto vepra do të jenë edhe për pasardhësit tanë, do të mbesin si dëshmi e një kulture, e një zhvillimi, e një qytetërimi të vendit tonë dhe në përgjithësi të shqiptarëve në Mal të Zi”, ka thënë ai.

Recensenti i librit, prim. Dr. Gani Karamanaga, njëherazi kryetar i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, ka thënë se Asllan Bisha është shkrimtar i tre ujërave – lumit Buna, liqenit të Shasit dhe Detit Adriatik.
“Ai shkruan dhe është njohës i mirë i rrethinës së Ulqinit, por në romanin që po e përurojmë sot, ai e tregon veten të gjithanshëm. E tregon veten si njohës i mirë i detarisë, i peshkimit, i jetës në Ranën e Ulqinit, si simbolin e Ulqinit, shkruan për jetën e atëhershme në periudhën mes dekadës së pestë dhe fundit të shekullit të kaluar”, ka thënë ai.
Karamanaga ka theksuar në vijim se Bisha në romanin “Hana” e tregon veten “si njeri shumë i gjerë, njeri i vërtetë i Ulqinit, i cili nuk ka kurrfarë mendimesh të këqija, por e kundërta, e tregon veten si një njeri që gjithmonë ka qenë për një bashkëjetesë të mirë në këtë vend, gjë që e ka dëshmuar duke punuar rreth 40 vite në shkollën fillore”.
Ai ka thënë se “romani na përcjell mesazhin se dashuria fiton gjithmonë. Është një mesazh i bukur. Por që të fitojë dashuria ka në jetë edhe problemet e veta… Ndryshimet e jetës janë aty, të cilat Asllani i përshkruan bukur”.
Recensenti tjetër i librit dhe kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se shkrimtari Asllan Bisha është mjeshtër në përzgjedhjen dhe trajtimin e temave jetësore në veprat e tij, gjë që e tregon edhe në romanin “Hana”.
“Ai nuk ka nevojë që ta ‘vrasë’ mendjen duke sajuar histori për veprat e tij, pasi që janë drama reale dhe histori jetësore të përjetuara. Jeta na përballë me drama njerëzore që as krijuesi më imagjinativ nuk mund t’i shpikë. Dhe pothuajse në të gjitha veprat e tij, Bisha i gjen temat në realitetin jetësor dhe mjedisin ku jeton, pastaj i përpunon dhe i letrarizon në imagjinatën e tij”, ka thënë ai.
Kallaba ka treguar se në romanin “Hana”, Bisha trajton dashurinë dhe fatin njerëzor të dy të rinjve.
“Kjo është një temë sa lokale, po aq edhe universale. Përmes dy personazheve kryesore – Dafit nga Ulqini dhe Hanës nga Spalatoja (Spliti), na rrëfehet e gjithë historia. Është një histori njerëzore e dhimbshme… Dashuria e tyre sfidon mentalitetin e kohës dhe shoqërisë, ku ‘prishja’ e disa normave që janë vendosur me shekuj konsiderohet mëkat. Nuk guxon të dashurosh dikë të kombësisë apo të fesë tjetër, ose guxon të dashurosh, por jo të martohesh me të, sepse martesa duhet të jetë ‘e pastër’. Thyerja e këtyre normave dhe kodeve të pashkruara të ballafaqon me shumë vështirësi. Dafi dhe Hana janë të vetëdijshëm për këtë, por ata e pranojnë këtë sfidë jo të lehtë”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, autori i romanit “Hana”, Asllan Bisha, ka falënderuar të gjithë të pranishmit në përurimin e librit.
Ai ka thënë se ndjehet i privilegjuar dhe i gëzuar pasi që ndodhet midis shokëve, miqve dhe të afërmve të tij.
Romani “Hana” është botuar në korrik të vitit të kaluar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Ndërkaq, përurimi i tij u organizua nga Atelie “Gazi” dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat