
Këngët majekrahut (përmajekrahu, përkryekrahi), ose siç quhen ndryshe këngë malësorçe, janë ndër këngët më të hershme që vijnë nga thellësia e shekujve, të cilat konsiderohen ndër elementet më të vjetra të trashëgimisë jomateriale, që malësorët i kanë kënduar në dasma, festa, gëzime, logje, bjeshkë e raste të tjera të veçanta, madje edhe në festivale të ndryshme folklorike brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare. Këto këngë të moçme të traditës gojore radhiten ndër visaret e pakta të kombit tonë që janë trashëguar dhe kanë kaluar nëpër faza të reja të zhvillimit historik. Ato, sipas muzikologëve, i këndojnë vetëm shqiptarët e dialektit gegë ose të Veriut, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare. Shtrirja e këtyre këngëve ndër shqiptarë është mjaft e madhe: Malësi e Madhe, zona e Mbishkodrës, Malësi e Gjakovës, Tropojë, Dukagjin, Rugovë dhe në disa vise të Malit të Zi.
Kjo formë e këndimit të shqiptarëve në trevat shqiptare në Mal të Zi është përdorur (interpretuar) në disa vise që janë më shumë kodrinore-malore: në Hot, Grudë, Triesh, Plavë e Guci, por edhe në zonat që janë më pak rrafshinore, siç janë: Kraja, Ana e Malit, Rrethi i Tivarit dhe Shtoji i Ulqinit.
Emërtimet e këtyre këngëve na paraqiten të ndryshme, por të përafërta. Në Hot dhe Grudë përdoret emërtimi “Këngë përmajekrahu”, në Triesh “Këngë përkryekrahi”, në Krajë “Këngë të g’jata”, në Anë të Malit “Me kënue zonisht“, por më të parapëlqyera (preferuara) janë dy emërtimet e para.
Studiuesit e fushës së muzikës vlerësojnë se të gjitha këto këngë kanë elemente të përbashkëta edhe në fushën e kulturës materiale dhe shpirtërore, e njëkohësisht kanë edhe dallime midis tyre në rite, doke, zakone dhe përgjithësisht në jetën muzikore. Sipas muzikologëve, kjo mënyrë e të kënduarit është traditë e stërgjyshërve të përbashkët, përkundër paraqitjeve diku më të hershme e diku më vonë.
Këngëtarët e vjetër malësorë (shqiptarë) pohojnë se këngët përkryekrahi janë kënduar në rast thirrjesh, kushtrimit dhe përgjigjesh nga zona në zonë qysh në kohën e luftërave, për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, pa u kuptuar nga armiku. Përveç kësaj ato, siç theksuam më lart, përcjellin lajme të ndryshme, të gëzimit, hidhërimit… Këngët e tilla kanë shërbyer si mjet komunikimi e sinjalizimi në largësi për të dhënë lajmin e rrezikut.
Këto këngë të moçme të traditës gojore radhiten ndër visaret e pakta të kombit tonë që janë trashëguar dhe kanë kaluar nëpër faza të reja të zhvillimit historik. Ato, sipas muzikologëve, i këndojnë vetëm shqiptarët e dialektit gegë ose të Veriut, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare
Këngët përkryekrahi, si formë unike e komunikimit ndër shqiptarë, janë këngë që këndohen solo, pa shoqërim instrumental nga një këngëtar ose edhe dy sish. Këngëtari këndon dy ose disa vargje në këmbë ose i ulur në dy gjunjë, çon dorën mbi krah, e vë gishtin në vesh ose e mbulon veshin me shuplakë, si një ritual për ta përhapur më fort jehonën e një kumti apo informate. Informata kishte të bënte me një njoftim a kushtrim për luftë, për ndonjë rrezik nga armiqtë, me të cilët banorët e këtyre zonave ishin ballë për ballë me shekuj.
Edhe pse bëjnë pjesë në grupin e këngëve njëzëshe, në interpretimin e këtyre këngëve mund të marrin pjesë edhe dy e më shumë këngëtarë. Si të tilla muzikologët mendojnë se janë këngët më të vjetra të fondit folklorik shqiptar që na kanë mbetur, të cilat me shekuj janë bërë himni i vetëm i malësorëve.
Dallohen nga këngët e tjera shqiptare për cilësinë e zërit (tingullit) muzikor. Këngëtari që i këndon këto këngë duhet t’i plotësojë të gjitha kërkesat estetike të zërit me cilësitë më të larta, domethënë të ketë zërin brilant si pushka, të lartë dhe të ëmbël, që e nis thirrjen dhe menjëherë përcillet nga këngëtari tjetër, duke unifikuar (bashkuar) zërat në një të vetëm për të fuqizuar informatën, por edhe të pëlqehet nga të gjithë që e dëgjojnë. Përmbajtja e këtyre këngëve, pohojnë specialistët, është një përmbledhje e shkurtër në tre ose katër rreshta nga tetë rrokje e një historie apo trimërie të përmendur.
Dr. Rexhep Munishi, në librin e tij “Këngë malësorçe shqiptare” ndër të tjera shkruan:
“Krahas tematikës së transformuar dhe të ndryshuar në traditën e të kënduarit të këtyre këngëve mbeti edhe një numër këngësh të cilat gjatë interpretimit nuk kanë kuptim të qartë të tekstit, prandaj edhe është e vështirë të thuhet (kuptohet) me siguri se çfarë ishte tematika e këtyre këngëve në të kaluarën e largët. Kjo vlen për të gjitha këngët malësorçe”.
Nga literatura e shfrytëzuar dhe gjurmimet në terren kam arritur të shënoj disa këngëtarë shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët janë dalluar me interpretimin e këtyre këngëve në periudha të ndryshme kohore, kryesisht në shekullin e kaluar.
Ja disa shembuj këngësh malësorçe shqiptare:
Nga Vuthajt e Gucisë po përmendim këngëtarin e shquar të këngës përkryekrahu Samil Ulaj, i cili e ka kënduar këtë këngë të transkriptuar nga R. Munishi:
”A-li Pa-sha fja-le ka çu u eh
Ou e e e po thu-je Gja-ko o (v) e e so uh
uh ra a ke e je ga-bu o uh
O eh po thu-je Gja ah-ko ovs
ve-so ka-je ga-bu u u e u.
Ali Pasha fjalë, ka çue:
Thuj Gjakovës ‘Ke gabue’
Thuj Gjakovës ‘Ke gabue’.
Interpretuesit më të njohur trieshianë të shekullit njëzet të këngës përkryekrahi janë: Nosh Grishi Nikprelaj, Nikollë Noshi Nikprëlaj (babë e djalë), Nosh Prëla Nikprëlaj, Dodë Prëka Micakaj, Rrok Zefi Prënkoçaj etj. Nosh Grishi Nikprelaj nga fshati Bëkaj i Trieshit e ka kënduar fuqishëm këtë këngë, të cilën po ashtu e ka transkriptuar R. Munishi:
“(0) O, po fja a – le ka çu u -ve
(e) ve se thu-je Gja-ko-ve es o o po u
(e) se ke je e ga-buo u
(u) ve se, tha , thu-je Gja-ko o u
(u) ve se o po ke je e ga-bu u e ja u.
….Fjal’ ka çue:
Thuj Gjakovës: ‘Ke gabue’,
Thuj Gjakovës: ‘Ke gabue’” (Burimi: ”Në një cep të Ilirisë”, f. 252)
Në krahinën e Hotit veçmas janë shquar këta këngëtarë: Zef Nikë Prëloci Camaj, Gjergj Kolë Pali Nicaj, Gjergj Zef Meti Nicaj, Lucë Nikë Prëloci Camaj (shënimi im), Gjelosh Nikë Junçaj (shënimi im), Gjon Pjetër Leka Nicaj (shënimi im) etj. (Informator: Msc. Luigj Dedvukaj, profesor i Kulturës muzikore dhe etnolog-folklorist).
Në Grudë po përmendim këngëtarët: Gjokë Kolë Berishaj, Zef Gjokë Berishaj, Rrok Zef Dasha Lulgjuraj, Kolë Zef Dasha Lulgjuraj, Martin Fran Lulgjuraj, Lekë Zef Lulgjuraj, Nikë Prëloc Lulgjuraj, Kolë Marash Prëçi Lulgjuraj, Kolë Mark Gjeka Lulgjuraj, vëllezërit Kolë Dokë Lulgjuraj dhe Gjon Dokë Lulgjuraj, Palokë Pjetër Lulgjuraj etj. (Informatorë: Zef Gjokë Berishaj – Priftën dhe Kolë Lulgjuraj – Selisht). Në fshatin Milesh të Grudës janë shquar për këto këngë në Logun te Kisha e Grudës – Halil Rrusta Kajoshaj dhe Dedë Nika Gjokaj (Informator: Mark Gjokaj).
Në Krajë para një dekade e kam njohur të ndjerën Naxhie Popi, femrën e vetme nga kjo trevë e cila i ka kënduar shumë vite këto këngë. Ajo, siç mësuam nga Ali Gjeçbritaj, herën e fundit e ka kënduar këtë lloj kënge me Fadil Velajn në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.
Në zonën kufitare të Anës së Malit këto këngë janë kënduar më pak sesa në trevat tjera shqiptare në Mal të Zi. Nga Ahmet Aloshi (Kravar) mësuam emrat e këtyre këngëtarëve anamalas: Isa Zaga, Qazim Shaptafaj, Maliq Aloshaj dhe Qazim Tagani.
Në vazhdim po japim disa variante këngësh të përafërta përkryekrahi të paskriptuara, që i mblodha në Grudë, Triesh dhe Cem të Trieshit.
“O po burrë i vogël o
O po i hipka o atit o
O del o ën Shkodër o“
“O po fjalë o për tel o
O thuoj o Gjakovës o
O çou e del o“
“O po djal i ri o
O veshe jelekun o” (Tregoi: Lekë Zef Nikprelaj – Cem i Trieshit)
1.“ E ç’po bjen era
Luftë po ban Rugova e Peja.”
“E po fjalë e për tel
Thuej Gjakovës çou e del.”
3.” E po burrë i vogël
Çou e del e bier ën Shkodër”
“E po fjalë ka çua
Thuej Gjakovës ke gabua” (Tregoi: Zef Gjokë Berishaj – Priftën – Grudë)
Këngët përmajekrahu u kanë shërbyer brezave për komunikim dhe transmetim të informacionit. Pra, ato kanë pasur brenda vetes edhe dimensionin estetik mjaft të fuqishëm. Interpretimi i këtyre këngëve realizohej me anën e theksimeve të rrokjeve, që informata të transmetohej sa më e fortë dhe sa më e qartë, me theksimin e emrave të figurave që ishin subjekt i informacionit. Ato tashmë, në raport me proceset e sotme dinamike, sociale e kulturore janë shndërruar në shenjë të memories kolektive historike.