Një ditë e paharruar

Familja Kovaçi me angazhimin e tyre të palodhshëm ruajti dhe po na kujton të kaluarën e trevave tona me eksponate të veçanta identifikuese e pse jo edhe për të huajt si pikë turistike që duhet të vizitohet

Ekzistenca e një muzeu të tillë në Anë të Malit, pikërisht në fshatin Draginë, u bë shkak që Kopshti i Fëmijëve “Solidariteti”’ të organizojë vizitë me fëmijë, prindër dhe edukatore të mërkurën, më 6 mars 2024.
Plot dy autobusë me fëmijë, prindër dhe stafin edukativo-arsimor shijuam bukuritë e këtyre trojeve që kanë shumëçka të na ofrojnë në fushën e trashëgimisë. Dihet se në muze janë të ekspozuara dhe konservuara artefakte që dëshmojnë për trashëgiminë kulturore, ku ua rikujtojnë vizitorëve veçoritë dhe mënyrën e jetesës së paraardhësve tanë në këto troje.
Pronari i muzeut ka përzgjedhur, sistemuar artefakte dhe ka arritur ta improvizojë të kaluarën si tërësi brenda një hapësire që ka nevojë të zgjerohet e kompletohet me rafte e vitrina efektive në mënyrë që për vizitorin dhe mirëmbajtja e eksponateve të jetë më e lehtë. Por çdo fillim ka sfidat e veta. Familja Kovaçi me angazhimin e tyre të palodhshëm ruajti dhe po na kujton të kaluarën e trevave tona me eksponate të veçanta identifikuese e pse jo edhe për të huajt si pikë turistike që duhet të vizitohet.
Muzeu dëshmon të kaluarën tonë, mënyrën e jetesës nëpërmjet eksponateve të ndryshme si enë, vegla bujqësore, orendi shtëpiake, fotografi, instrumente muzikore… që janë përdorur dikur.
Besoj se në trevën e Anës Malit ka më eksponate të cilat do ta pasuronin edhe më tepër muzeun, por duhet vetëm që ne të shprehim vullnet të mirë, t’i dorëzojmë në muze e jo t’i shesim për skrap e t’i gjuajmë si sende pa vlerë. Pasurimi me eksponate i këtij muzeu etnografik është mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë njohuritë për traditën dhe kulturën e popullit dhe të parëve tanë.
Fëmijët dhe nënat që ishin në vizitë me ne kaluan një ditë të bukur e të paharruar, që na la mbresa të bukura e të pashlyeshme. Fshati Draginë, Zenelajt me parkun e ndërtuar nga bashkëvendësi ynë – familja Hajdari dhe e tërë Ana e Malit kanë shumëçka t’i ofrojnë çdo vizitori. Prandaj ju sugjeroj që ju të jeni vizitorët e ardhshëm të Anës së Malit.

Lumnije Bisha

Të fundit

më të lexuarat