Në një atmosferë solemniteti e mirënjohjeje, në qytetin bregdetar të Ulqinit, të hënën mbrëma (9 qershor 2025) u bë përurimi i librit “Ora e Kosovës – Shtetndërtimi dhe pavarësia”, vepra më e fundit e ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu.
Ngjarja u mbajt në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, një përvjetor që mbart peshë të veçantë për historinë e re shqiptare.
Promovimi u organizua në bashkëpunim nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ambasada e Republikës së Kosovës në Malin e Zi dhe Komuna e Ulqinit, dhe mblodhi bashkë figura të rëndësishme politike, diplomatike, akademike dhe kulturore nga Kosova dhe Mali i Zi.
Në hapje të përurimit, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, theksoi se libri përfaqëson një dëshmi të rrallë historike, një rrëfim të një protagonisti të dorës së parë për periudhën vendimtare të shtetndërtimit të Kosovës.
“Është një libër voluminoz me aq shumë detaje, ku përshkruhen shumë momente dramatike të historisë së re të Kosovës. Janë kujtime dhe rrëfime autentike të një politikani të mençur dhe të matur, një burrështetasi, i cili ka pasur fatin, por edhe barrën dhe përgjegjësinë të jetë aktor në momentet vendimtare të proceseve politike në Kosovë, në veçanti në procesin e përmbylljes së procesit të Pavarësisë së Kosovës. Duke lexuar librin e Presidentit Sejdiu ju kuptoni vështirësitë e procesit të Pavarësimit të Kosovës. Është një libër referencial për zhvillimet që çuan në shpalljen dhe procesin e finalizimit të Pavarësisë së Kosovës, por jo vetëm”, ka thënë ai, duke potencuar se ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të “Art Club”-it për të promovuar vlerat kulturore dhe historike shqiptare.
Në vijim, për të pranishimit Kallaba shpalosi disa detaje të rëndësishme nga biografia e ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka thënë se është një kënaqësi dhe nder i veçantë për të që të përshëndesë këtë ngjarje të veçantë – përurimin e librit “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi” të Presidentit Fatmir Sejdiu.
“Sonte në Ulqin përkujtojmë me respekt rrugëtimin e shtetndërtimit të Kosovës përmes një dëshmie të gjallë nga një protagonist kryesor i këtij procesi historik. Libri i Presidentit Fatmir Sejdiu nuk është vetëm një rrëfim personal, por një trashëgimi politike dhe njerëzore për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. Ulqini dhe Kosova janë të lidhura thellësisht, jo vetëm përmes historisë dhe gjuhës, por edhe përmes përjetimeve të përbashkëta. Me krenari kujtojmë se para 26 vjetësh, qytetarët tanë u bënë strehë shpëtimi për mbi njëqind mijë kosovarë që iknin nga lufta. Ky akt i mikpritjes mbetet ndër gjestet më fisnike në historinë tonë të përbashkët. Le të jetë ky promovim dëshmi e kësaj lidhjeje dhe një nxitje për të thelluar bashkëpunimin mes nesh. Në emër të Komunës së Ulqinit, e falënderoj Presidentin Sejdiu për kontributin e tij të çmuar dhe për këtë vepër që i shërben së vërtetës dhe kujtesës historike”, ka thënë ai.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rëndësinë e veprës së Sejdiut, duke e cilësuar atë si “një testament politik dhe historik që pasqyron sakrificën, vizionin dhe vendosmërinë e popullit tonë në rrugën drejt lirisë”.
“Presidenti Sejdiu, si njëri ndër protagonistët e drejtpërdrejtë të kësaj periudhe vendimtare, sjell dëshmi të çmuara për sfidat, dilemat dhe vendimet e marra në momentet më kritike për Kosovën”, theksoi ambasadorja, duke shtuar se “rrëfimet e tij nuk janë thjesht përshkrime të ngjarjeve, por një dokumentim i gjallë i frymës së kohës kur u vendos fati i Republikës sonë”.
Ajo shprehu gjithashtu mirënjohjen e Kosovës ndaj shqiptarëve të Ulqinit, të cilët gjatë luftës u bënë strehë për mbi 100 mijë kosovarë.
“Ky akt fisnik mbetet një simbol i fuqishëm i solidaritetit dhe humanizmit dhe një gur themeli i marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet nesh”, ka pohuar ambasadorja Ariana Zherka – Hoxha.
Redaktori i librit, Prof. Dr. Ibrahim Berisha, bëri një përmbledhje të përmbajtjes dhe sfondit të veprës.
Ai tregoi për rrugëtimin jetësor dhe politik të Fatmir Sejdiut, duke nisur nga një fëmijëri e shënjuar nga burgosja politike e të atit në Nish, e deri te pozita më e lartë e shtetit të Kosovës. “Presidenti Sejdiu është njeriu që, përkundër traumave personale dhe sfidave historike, nuk u ndal së besuari në shtetin e tij”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, “Ora e Kosovës” është një vepër voluminoze prej 435 faqesh, e ndarë në 18 kapituj, e cila sjell një panoramë të detajuar të zhvillimeve politike, sociale e diplomatike nga periudha 2006-2008, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Berisha e vuri theksin në qasjen hulumtuese të librit, që ndërthur përvojën personale me analizën profesionale të një juristi e profesori të së drejtës.
Ai theksoi se libri përmban takime dhe biseda me udhëheqës botërorë, si George W. Bush, Bill Clinton, Barack Obama, Angela Merkel, Tony Blair, Papa Benedikti XVI, Ban Ki-Moon, Erdogan, Ahtisaari, Solana dhe të tjerë, duke shpalosur dimensionin ndërkombëtar të përpjekjes për pavarësi.
Ndërsa vetë Presidenti Fatmir Sejdiu iu drejtua të pranishmëve me një falënderim të veçantë për mikpritjen dhe për rolin që Ulqini dhe shqiptarët e Malit të Zi kanë luajtur në mbështetjen e Kosovës në momentet më të vështira.
Ai theksoi se “Ora e Kosovës” nuk është thjesht një kujtim i lavdishëm, por një apel për përkushtim të përditshëm ndaj shtetit dhe së ardhmes së tij.
“Ky libër është dëshmi për të mos harruar, por edhe një thirrje për të ecur përpara me vizion dhe unitet”, ka thënë ish-Presidenti Sejdiu.
Ai foli me emocione për rrugëtimin personal dhe kombëtar që përshkon librin, si dhe për sfidat me të cilat Kosova ende përballet në arenën ndërkombëtare.
“Pavarësia nuk ishte dhuratë. Ishte fitore që doli nga një përpjekje shekullore dhe kërkon angazhim të përhershëm për ta ruajtur dhe për të ndërtuar të ardhmen”, ka thënë Sejdiu.
Promovimi i librit “Ora e Kosovës” në Ulqin, në prag të përvjetorit të çlirimit të Kosovës, shërbeu jo vetëm si një përkujtim solemn i një rruge të gjatë e të vështirë, por edhe si një manifest për gjeneratat e ardhshme. Mesazhi kryesor që doli nga ky takim ishte i qartë: shtetndërtimi është një proces që nuk mbaron kurrë dhe suksesi i tij kërkon përkushtim, vizion dhe bashkim kombëtar.
Për të gjithë ata që e kanë jetuar nga afër ose e kanë përjetuar përmes rrëfimeve dhe dokumenteve, “Ora e Kosovës” është një ftesë për reflektim dhe për të mos harruar sakrificat që sollën lirinë. Për të rinjtë, është një doracak mbi historinë moderne të shtetësisë së Kosovës dhe një frymëzim për angazhimin qytetar.
D. Teliqi