Poeti dhe shkrimtari Ibrahim Berjashi nga Kraja, që jeton e vepron në Ulqin, opinionit letrar i prezantohet me vëllimin më të ri poetik, të titulluar “Kungulli ziliqar”.
Libri është i mbarështruar në pesë cikle, të cilët ndërtojnë një terësi sublime artistike dhe estetike. Vëllimi është ndërtuar me ninulla me motive dhe porosi universale, por hetohen reflektimet krijuese nga ambienti i vendlindjes, e sidomos ninulla nga jeta e përditshme në bregdet. Sikundër në veprat tjera për fëmijë, edhe këtu vargjet përshkohen nga një ndjenjë e hollë humori dhe aventurat e personazheve të ninullave.
Ibrahim Berjashi është autori i vetëm te shqiptarët në Malin e Zi që tash një gjysmë shekulli merret me poezinë për të vegjëlit, por shkruan edhe prozë. Në këtë hark kohor ka botuar shtatë vepra në poezi e prozë për fëmijë.
Redaktor i librit është Ismet Kallaba, ndërsa përgatitjen teknike dhe artistike e ka bërë Gazmend Çitaku.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën “Press Studio” në Ulqin.
Shkrimtari Ibrahim Berjashi ka botuar deri më tash këto libra: “Lule prej guri”, “E tej malësi e det”, “Veloret e bardha”, “Lundra e humbur”, “Orët e vetmisë”, “Floçka e liqenit”, “Dritaren lëre hapur” (Antologji e poezisë shqipe – bashkautor), “Ora e Rumisë”, “Gati u harruem” dhe përzgjedhjen e tregimeve për fëmijë “Sirena e liqenit”. Përmbledhja me poezi për fëmijë “Kungulli ziliqar” është libri i tij i njëmbëdhjetë.(Kohapress)
