Nika: Ju që mësoni dhe kultivoni gjuhën shqipe në këtë trevë jeni heronj të gjallë të ditëve tona

Rozhajë – Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore në Dacaj, shkollës së vetme në gjuhën shqipe në komunën e Rozhajës, kanë pritur kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.
Drejtori i shkollës fillore “Dacaj”, Shevqet Daci, fillimisht i dëshiroi mirëseardhje kryetarit Nika duke e falënderuar për praninë e tij me rastin e festës së mësuesit – 7 Marsit.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për arsimin shqip e për gjuhën shqipe në veçanti, Daci tha se kjo ditë shënon 138-vjetorin e hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në Korçën historike dhe 38-vjetorin e kremtimit të kësaj date historike në shkollën në Dacaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse para nxënësve e mësimdhënësve të shkollës shqipe në Dacaj, kryetari Nika tha se ka zgjedhur këtë shkollë për ta festuar 7 Marsin dhe se ndjehet shumë i lumtur duke marrë në konsideratë faktin se shkolla fillore në Dacaj, me një numër relativisht të ulët nxënësish, është e vetmja shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në komunën e Rozhajës.
“Festa e 7 Marsit festohet kudo në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut e në Luginën e Preshevës. Sot, KKSH ju ka zgjedhur ju që bashkërisht të festojmë Ditën e Mësuesit, duke sjellë disa libra për nxënësit dhe mësimdhënësit. Konsideroj se të gjithë ju mësimdhënësit dhe nxënësit që mësoni dhe kultivoni gjuhën shqipe këtu jeni heronj të gjallë të gjuhës shqipe, identitetit dhe kulturës kombëtare. Ju vërtet po bëni një punë shumë fisnike dhe atdhetare, dhe besoj që e meritoni këtë titull – heronj të gjallë të gjuhës shqipe, të kombit shqiptar në këto treva”, ka thënë kryetari i KKSH-së.
Ai i falënderoi për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke premtuar se KKSH do të jetë vazhdimisht pranë kësaj shkolle dhe kërkesat e saj do të shqyrtohen në bazë të mundësive që ofron KKSH.
Për nder të festës dhe mysafirëve të nderuar, nxënësit e shkollës fillore në Dacaj shfaqen një program kulturor kushtuar Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në fund, kryetari Faik Nika ndau dhurata për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës në Dacaj.
Në mbrëmje, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, shtroi një darkë solemne për nder të kësaj feste kombëtare për të gjithë mësimdhënësit e shkollës fillore “Dacaj”.

Ali Daci

Të fundit

më të lexuarat