I njohur si mjek për nga profesioni, Dr. Gani Karamanaga publikut të gjerë vitëve të fundit i është prezantuar me botime të veçanta të cilat kanë zgjuar interesimin e lexuesve të ndryshëm. Në vazhdën e këtyre botimeve është edhe libri më i ri me titullin “Çinari i Moçëm”. Kemi të bëjmë me një libër të veçantë për nga përmbajtja, sepse në të trajtohen ngjarjet tragjike në qytetin e Ulqinit, të ndodhura në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht kur këtu u vendos pushteti komunist. Janë pikërisht këto ngjarje tragjike të cilat janë realizuar me skenar dhe regji nga pushtetarët e rinjë, drejtuar kundër popullit shumicë në këtë mjedis, përkatësisht shqiptarëve.
Për lexuesit titulli i librit “Çinari i Moçëm” me fotografinë në ballinë është intrigues, sepse ai nuk është i përgjithshëm, por i veçantë, është dëshmitar i disa ngjarjeve nga e kaluara deri në ditët tona. Pikërisht këto të dhëna e kanë motivuar autorin që ky libër të titullohet i tillë, sepse mbetet pikë referuese për popullsinë e Ulqinit.
Çështjet e trajtuara në këtë botim eseistik i referohen kohës se ndryshimeve të mëdha shoqërore, ku me vendosjen e pushtetit të ri, mendohej se do të realizohej barazia qytetare e kombëtare e shqiptarëve në këtë mjedis. Por, ngjarjet demantuan një përceptim të tillë, sepse me vendosjen e pushtetit të ri komunist në Ulqin nga data 26 nëntor 1944, e më pas, individë të ndryshëm u burgosën, u pushkatuan pa gjyq, apo u dënuan me procese gjyqësore të montuara. Ishte ky veprimi praktik i pushtetit, i cili veproi sipas kursit hegjemonist me vellon e idelogjisë komuniste me parullat e “vëllazërim-bashkimit”.
Në rrethana të tilla të fushatës kundër shqiptarëve, pushteti kishte planifikuar të eliminonte individët të cilët llogariteshin si të papërshtashëm, madje edhe armiq të pushtetit i cili po instalohej. Të dhënat të cilat prezanohen në këtë botim e trajtojnë këtë çështje në mënyrë të kompletuar.
Nga të gjithë të eliminuarit, dallohet njëri prej tyre, Rafo-Raif Gorana, një ndër personalitetet e rëndësishme në atë kohë në Ulqin. Autori na ofron të dhëna me interes për familjen Gorana, por edhe familje të tjera të cilat janë përsekutuar në qytetin e Ulqinit.
Esetë e prezantuara në këtë botim paraqesin momente emocionale për çdo lexues, dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse prezantohen ngjarje dhe persona të cilët u likuiduan vetëm pse ishin shqiptarë.
Botimi “Çinari i Moçëm”, hap dilema për të kaluarën e Ulqinit, sepse për të parën herë ofrohen të dhëna të cilat kanë qenë të ndaluara dhe si të tilla të panjohura për publikun e gjerë në këtë qytet. Andaj të gjithë të interesuarit, e sidomos gjeneratat e reja kanë mundësi të njihen me të kaluarën e panjohur apo “historinë e fshehur” të krimeve te pushtetit komunist në Ulqin. Ishte koha e pushtetit policor, kur askush nuk ishte i sigurt në shtëpi të vet, që u dëshmua me burgosje e pushkatime pa gjyq kundër “armiqve” të imagjinuar, për të frikësuar popullsinë e Ulqinit.
Libri “Çinari i Moçëm” ka si mision njohjen me dosjen e krimeve të pushtetit të kohës, duke vlerësuar se në rrethana të reja shoqërore duhet të thuhet e vërteta, duke bërë dallimin në mes viktimave dhe kriminelëve. Iu mbetet të tjerëve të vazhdojnë për hulumtime përkatëse, për t’ua kthyer dinjitetin viktimave të pafajshme, duke i nderuar me rivarrimin e tyre si kudo të botën e qytetëruar.
Në këtë aspekt duhet angazhim konkret nga trashëgimtarët e familjeve të tyre, por edhe nga pushteti lokal dhe subjektet e ndryshme, duke dëshmuar solidaritet në këtë mision sa human aq edhe kombëtar.
Përfundimisht këtë botim e vlerësoj si homazh për të gjitha viktimat në Ulqin në atë kohë dhe më pas, çështje e cila besoj se do të trajtohet dhe plotësohet nga autorë të ndryshëm në të ardhmën.
N. Draga
