Tuz – Në prani të një numri të madh të publikut, u hap Edicioni i tretë i Panairit Ndërkombëtar të Librit, në kuadër të manifestimit kulturor “Vera në Malësi”.
Panairi hapi dyert të mërkurën mbrëma, më 24 gusht 2022, në ambientet e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, ku u bë edhe hapja zyrtare e tij në ambientin e jashtëm, përpara godinës.
Panairin e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj i cili këtë ngjarje kulturore e konsideroi si ngjarje shumë të rëndësishme, duke thënë se ai tashmë është bërë edhe ndërkombëtar.
“Ndoshta panairi ynë është i vogël, ndoshta ka pak pjesëmarrës, por gjithsesi do të dëshironim që ju si pjesëmarrës, si nga ana e botuesve, ashtu edhe autorëve bashkë me aktivitetet që e pasurojnë panairin, të ndjeni kënaqësi që jeni këtu me ne, së paku aq sa na nderon prezenca juaj në mesin tonë. Se kjo veprimtari është me rëndësi për ne si komunë, flet edhe vet fakti se edhe ne po paraqitemi për herë të parë si botues me Monografinë kushtuar piktorit tonë të madh Gjelosh Gjokaj, premtim që në hapjen e panairit të dytë e kemi dhënë, dhe e kemi realizuar”, theksoi Gjeloshaj.
Ndërkaq, sekretarja e Sekretariatit për vetëqeverisje lokale, Marina Ujkaj theksoi se dëshira e kahmotshme për të realizuar një veprimtari të tillë në mesin tonë, u bë realitet që nga krijimi i komunës së pavarur të Tuzit.
“Një veprimtari që tashmë mund ta quajmë tradicionale. Panairi i sivjetshëm na sjell mbi 25 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, të cilët me vete sollën mbi pesë mijë libra, tituj të botuar më parë dhe botime të autorëve të njohur që botohen për herë të parë”, u shpreh ndër të tjera Ujkaj.
Në natën e parë të Panairit, Komuna e Tuzit për herë të parë është prezantuar me botimin e Monografisë në gjuhën shqipe dhe atë angleze, kushtuar piktorit të madh, maestro Gjelosh Gjokaj, për të cilën folën Sead Gjokaj, redaktor dhe përgatitës i monografisë në fjalë, Luan Molliqi, skulptor dhe piktor, Shkëlzen Maliqi, kritik arti, dhe Nikollë Berishaj, përkthyes i Monografisë në gjuhën shqipe. Kjo monografi, në këtë botim të ri, është pothuajse e dyfishuar me materiale bibliografike dhe të dhëna të reja në krahasim me botimin e parë.
Në natën e dytë të Panairit të Librit, publiku i pranishëm kishte mundësi të ndiqte nga afër dy promovime librash të autorëve Gjovalin Shkurtaj “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, për të cilin folën: akademik Shaban Sinani, akademik Gjovalin Shkurtaj dhe Gjekë Gjonaj, dhe promovimin e librit, “Gjerdani nga Shanllëurfa” të Ruzhdija Axhoviq, për të cilin folën: përkthyesi i librit, Nikollë Camaj, Dimitrov Popoviq, Salko Luboder dhe vetë autori, Ruzhdija Axhoviq.
Ndërkaq, në natën e tretë dhe përmbyllëse të Panairit, u bë primovimi i veprave letrare të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”- “Poeti i detit” dhe “Kalimera rrëfen” për të cilat folën: Anton Gojçaj dhe Liridona Sinishtaj-Doçe dhe vepra letrare “Biseda me gjyshin imagjinar” të autorit Fran Camaj, për veprën e të cilit folën: Anton Gojçaj, Frano Kulli dhe Haxhi Shabani.
Në kuadër të Panairit të Librit, një hapësirë e veçantë i është kushtuar më të vegjëlve, ku është bërë promovimi i librave për fëmijë.
Panariti i sivjetshëm i librit në Tuz, për të gjithë admiruesit e fjalës së shkruar, qëndroi i hapur për vizitorë deri më 26 gusht, çdo ditë nga ora 10 deri në orën 13, dhe nga ora 16 deri në orën 23.
t. u.
Ngjarje e rëndësishme kulturore dhe shkencore në vend
Në natën e parë të Panairit, Komuna e Tuzit për herë të parë është prezantuar me botimin e Monografisë në gjuhën shqipe dhe atë angleze, kushtuar piktorit të madh, maestro Gjelosh Gjokaj, për të cilën folën Sead Gjokaj, redaktor dhe përgatitës i monografisë në fjalë, Luan Molliqi, skulptor dhe piktor, Shkëlzen Maliqi, kritik arti, dhe Nikollë Berishaj, përkthyes i Monografisë në gjuhën shqipe. Kjo monografi, në këtë botim të ri, është pothuajse e dyfishuar me materiale bibliografike dhe të dhëna të reja në krahasim me botimin e parë
